Ndërlidhjet

Trump: S'ka të mbijetuar nga përplasja e avionit dhe helikopterit


Tragjedi në Uashington: Aeroplani i pasagjerëve përplaset me helikopterin ushtarak
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:57 0:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk ka të mbijetuar pas përplasjes të një avioni të pasagjerëve dhe një helikopteri ushtarak në afërsi të Uashingtonit.

“Si shtet, ne mbajmë zi për çdo shpirt që u humb kaq papritur”, tha Trump gjatë një konference për media.

“Fatkeqësisht nuk ka të mbijetuar”, shtoi ai ai.

Avioni i pasagjerëve kishte 64 persona në bord, ndërkaq helikopteri tre pjesëtarë të ekuipazhit.

Pas përplasjes, dy fluturaket ranë në një lumë në Uashington.

Trump tha se ende nuk është e qartë se çfarë çoi deri te përplasja e dy fluturakeve, por autoritetet po vazhdojnë hetimet.

“Ne do ta kuptojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurohemi që diçka e tillë mos të ndodhë më”, tha Trump.

Më herët, autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se kanë arritur t'i nxjerrin trupat e 28 personave nga lumi Potomak, ndërsa një tjetër prej helikopterit.

Trump tha se tani autoritetet kanë kaluar nga operacionet e kërkim-shpëtimit, në atë të gjetjes së trupave.

"Kjo ishte një natë e errët në kryeqytetin tonë", tha Trump gjatë konferencës për media.

Presidenti amerikan konfirmoi se në mesin e viktimave ka edhe shtetas të huaj, duke theksuar se ka kontaktuar me Rusinë për riatdhesimin e trupave të shtetasve rusë të vrarë në këtë aksident.

Teksa rasti po hetohet, Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan i ndaloi të gjitha fluturimet pas përplasjes së fluturakeve.

Një pjesë e dëmtuar e aeroplanit shihet në lumin Potomak në Uashington.
Një pjesë e dëmtuar e aeroplanit shihet në lumin Potomak në Uashington.

Çfarë ndodhi?

Rreth orës 21:00 të së mërkurës, sipas kohës lokale, një aeroplan i kompanisë PSA Airlines, duke operuar si American Airlines 5432, është përplasur me një helikopter të ushtrisë amerikane, teksa i është afruar aeroportit Ronald Reagan, sipas Administratës Federale të Aviacionit.

Aeroplani i pasagjerëve, i llojit Bombardier CRJ700, është nisur nga Kansasi.

Në të kanë qenë 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të bordit, sipas American Airlines.

Pentagoni ka thënë se helikopteri ka qenë i tipit Sikorsky H-60, i cili ishte nisur nga Virxhinia. Tre ushtarë kanë qenë në bord, sipas rrjetit televiziv, CBS.

Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se do ta hetojë incidentin, bashkë me Bordin Kombëtar për Siguri të Transportit.

Policia dhe departamenti i zjarrfikësve janë duke vazdhuar operacionet e tërheqjes së trupave nga lumi.

Temperaturat e ulëta janë duke vështirësuar punën e ekipeve për kërkim-shpëtim.
Temperaturat e ulëta janë duke vështirësuar punën e ekipeve për kërkim-shpëtim.

Çfarë kanë thënë dëshmitarët?

Ari Schulman ka thënë për NBC Washington se e ka parë përplasjen e aeroplanit teksa ka qenë duke vozitur me makinë në afërsi të aeroportit.

Ai ka thënë se ulja e aeroplanit është dukur normale, derisa ka parë një dritë të madhe në qiell, si pasojë e përplasjes.

Deklarimet e zyrtarëve

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi më herët se ishte duke e përcjellë nga afër situatën.

“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, tha ai përmes një deklarate.

Nënpresidenti J.D Vance ka bërë thirrje për t’u lutur për ata që janë përfshirë në incident.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, të cilët sapo janë emëruar në pozitat e tyre, kanë thënë se janë duke monitoruar situatën.

Shefi i kompanisë American Airlines, Robert Isom, ka shprehur “dhimbje të thellë” për përplasjen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është thellësisht e mërzitur për rrëzimin e aeroplanit dhe ka ngushëlluar familjarët që mund të kenë humbur dikë të afërt si pasojë e incidentit.

“Kosova është me ju në këtë periudhë zemërthyese”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Kampionët rusë të patinazhit Naumov dhe Shishkova raportohet se ishin në mesin e pasagjerëve

Ish-kampionët botërorë rusë të patinazhit, Vadim Naumov dhe gruaja e tij, Evgenia Shishkova, janë në mesin e viktimave si pasojë e rrëzimit të aeroplanit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS dhe uebfaqja ruse e sportit, Sports.ru, kanë cituar burimet e tyre të kenë thënë se Naumov dhe Shishkova, të cilët kanë fituar medalje të arta në Kampionatin Botëror më 1994, kanë qenë në aeroplan.

Në foto: Vadim Naumov dhe Evgenia Shishkova.
Në foto: Vadim Naumov dhe Evgenia Shishkova.

Çifti ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara pasi kanë përfunduar karrierën dhe janë bërë trajnerë në fushën e patinazhit.

Djali i tyre 23-vjeçar, Maximi, është shtetas amerikan që garon për Shtetet e Bashkuara në gara ndërkombëtare.

Ai është shpallur kampion kombëtar i të rinjve më 2020.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë regjistruar ndonjë aksident me aeroplanë pasagjerësh qysh prej shkurtit të vitit 2009, ndonëse një mori incidentesh në vjetët e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG