Ndërlidhjet

Ngritja e degës së Shtetit Islamik në Afganistan


Një prej sulmuesve të dyshuar të sulmit në Moskë duke u futur në një gjykatë ruse më 24 mars.
Një prej sulmuesve të dyshuar të sulmit në Moskë duke u futur në një gjykatë ruse më 24 mars.

Prej se u shfaq për herë të parë një dekadë më parë, grupi militant Shteti Islamik Korasan (IS-K) gjerësisht është përqendruar në sulmet e tij në Afganistan dhe Pakistan.

Por, IS-K, dega e Shtetit Islamik (IS) në Afganistan, po kryen një numër në rritje të sulmeve vdekjeprurëse jashtë bastionit të tij në Azinë Jugore, përfshirë në Iran dhe Rusi.

Ekspertët thanë se sulmi vdekjeprurës në sallën e koncerteve jashtë Moskës më 22 mars, për të cilin gjerësisht iu vu faji IS-K, tregon aftësinë dhe ambiciet në rritje të kësaj dege, por edhe rolin e tij udhëheqës në ombrellën e organizatës.

“Kjo degë është bërë shtizë, dega udhëheqëse ndërkombëtare e Shtetit Islamik”, tha Lucas Webber, bashkëthemelues dhe redaktor i MilitantWire.com.

Webber tha se udhëheqjes qendrore të IS-it në Siri dhe Irak i është dashur “të përqendrohet më shumë në mbijetesë, rigrupim dhe rindërtim të aftësive të tij dhe rrjeteve të tij” pasi grupi u mposht gjerësisht dhe u shkatërrua më 2019 nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Në thelb është bërë organizata mëmë e IS-it”, tha Webber, duke iu referuar IS-K, që fillimisht u shfaq në Afganistan në fund të vitit 2014, në vitin e njëjtë kur IS-i mori nën kontroll zona të mëdha në Siri dhe Irak dhe vetëshpalli një kalifat.

IS-i ka degë edhe në Gadishullin Arabik, Afrikë, Azi Juglindore dhe në Kaukaz.

Operacionet e jashtme

Teksa ka vazhduar të kryejë sulme në Afganistan dhe Pakistan, IS-K duket se muajve të fundit ka zhvendosur fokusin e tij në operacionet e jashtme.

Në janar, IS-K u fajësua për vrasjen e më shumë se 90 personave në qytetin jugor iranian të Kermanit, që ishte sulmi më vdekjeprurës në Republikën Islamike në dekada.

Më 22 mars, sulmues të armatosur sulmuan sallën e koncerteve në rajonin e Moskës, duke vrarë të paktën 139 persona. Kjo ishte dhuna më e rëndë terroriste në Rusi në dy dekada.

IS-i mori përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarët amerikanë posaçërisht fajësuan IS-K, përderisa Moska ia atribuojë sulmin ekstremistëve islamikë, pa përmendur degën e IS-it.

IS-K më 25 mars kërcënoi se do të kryente më shumë “masakra” kundër Rusisë. Rusia ka shënjestruar militantët e IS-it në Siri dhe Afrikë dhe ka krijuar lidhje me Qeverinë e talibanëve, që është rivale e IS-K në Afganistan.

Webber nga MilitantWire.com tha se IS-K paraqet një kërcënim që po rritet me shpejtësi për Perëndimin. “Në një të ardhme të parashikueshme, ky duket të jetë një tregues i gjërave që do të vijnë”, tha ai.

Gjenerali Michael E. Kurilla, që udhëheq Komandën Qendrore të Ushtrisë amerikane, u tha ligjvënësve më 21 mars se IS-K “ka aftësi dhe vullnet për të sulmuar interesat amerikane dhe perëndimore jashtë vendit brenda gjashtë muajve apo në periudhë më të shkurtër kohore, me pak ose aspak paralajmërim”.

Zyrtarët e ligjit në Evropë kanë zbuluar disa plane të IS-K në vitet e fundit.

Policia gjermane më 19 mars tha se kishte arrestuar dy mbështetës të dyshuar të IS-K. ata u akuzuan se po planifikonin të sulmonin Parlamentin suedez.

Në korrikun e vitit të kaluar, policia në Gjermani dhe Holandë arrestuan nëntë persona që thanë se ishin në kontakt me IS-K.

Gjatë vitit të kaluar, grupi ka kërcënuar se do të kryejë sulme në Suedi, Holandë dhe Danimarkë, pasi në këto shtete pati djegie të Kuranit, librit të shenjtë të fesë islame.

“Rrjeti i celulave”

Pasi u shfaq, IS-K fillimisht mori pjesë të vogla të territorit në lindje dhe veri të Afganistanit si pjesë e qëllimit më të gjerë të IS-it për t’u zgjeruar përgjatë Azisë Jugore dhe Qendrore.

Por, IS-K është dëbuar nga bastionet territoriale rreth vitit 2019 pasi u përball me sulmet e kryera nga forcat afgane dhe ndërkombëtare, por edhe nga talibanët. Që atëherë, IS-K ka zbatuar një strategji të re të luftimeve urbane.

“Ne jemi dëshmitarë të një faze të re të Shtetit Islamik Korasan”, tha Riccardo Valle, bashkëthemelues i The Khorasan Diary, një platformë online që gjurmon grupet militante në Afganistan dhe Pakistan.


Ai tha se IS-K ka evoluar në një grup që synon të marrë territor sikurse një “ushtri tradicionale” në një “rrjet celulash, që tenton të kryejë sulme më vdekjeprurëse”.

IS-K përbëhet nga luftëtarë afganë dhe të huaj. Në një raport të publikuar në qershor të vitit 2023, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara tha se numri i militantëve të IS-K në Afganistan varijon “nga 4.000 deri në 6.000”, përfshirë edhe anëtarët e familjes. Disa ekspertë vlerësojnë se numri është shumë më i vogël.

Sara Harmouch, eksperte e politikave të terrorizmit dhe mbrojtjes në Uashington, tha se fokusi i grupit IS-K është në luftën asimetrike në vend se të kontrollit territorial dhe kjo i ka mundësuar grupit që të përshtatet me kushtet lokale dhe t’i rezistojë operacioneve kundër terrorit.

“Ky fleksibilitet mund ta bëjë IS-K më dinamik dhe një udhëheqës më të qëndrueshëm brenda rrjetit të IS-it, të aftë për të naviguar në kompleksitetet e epokës të paskaliftatit”, tha ajo.

Harmouch tha se aftësia e grupit IS-K që të kryejë sulme të nivelit të lartë jashtë Afganistanit dhe Pakistanit ka rritur profilin e tij dhe lë të kuptohet se aftësitë e tij po zgjerohen.

“Kjo dukshmëri mund ta pozicionojë grupin IS-K si figurë udhëheqëse brenda rrjetit të gjerë të IS-it, veçanërisht në tërheqjen e rekrutëve dhe burimeve”, tha ajo.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG