Mentori (emri i njohur për redaksinë), është 62-vjeçar. Ai është nga qyteti i Pejës dhe tash e 21 vjet jeton me virusin HIV/AIDS.
Në vitin 1995, ai e kishte kuptuar se ishte prekur me këtë virus. Atë kohë, ai e kujton kur i ishin paraqitur telashet me shëndetin dhe rënien e imunitetit.
Për Radion Evropa e Lirë, Mentori tregon se si është infektuar me këtë virus.
“Jam operuar në një spital në Spanjë, ku edhe kam qëndruar për tre muaj. Dyshohet se aty edhe e kam marrë këtë virus pasi që në vitin 1995 nuk e kanë testuar gjakun, të cilin unë e kam marrë të infektuar. Unë kam dy fëmijë dhe asnjëri nuk janë të infektuar, pasi që para se të infektohem i kam pasur fëmijët”, tregon Mentori.
Jeta më sëmundje është e vështirë, thotë Mentori. Aq më vështirë, thotë ai, është të jetosh me HIV/AIDS në Kosovë, ku njerëzit e kësaj kategorie ndihen të stigmatizuar.
“Të jetosh me HIV në Kosovë, është shumë e vështirë. Këtu HIV- in e konsiderojnë sikurse ebolën, apo hepatitin C e që këto të dyja të sjellin vdekjen menjëherë. HIV/AIDS-i nuk është ashtu. Kohëve të fundit kanë nisur pak të vetëdijesohen”.
“Unë jetoj normalisht. Shumica e njerëzve nuk e dinë që jam i infektuar. Unë bëj shumë sport, pasi ky virus kërkon shumë sport për shkak se terapia është shumë e rëndë. Por, me ushtrime fizike i mbron veshkat dhe mëlçinë. Unë merrem me alpinizëm më së shumti. Deri 20 kg në ditë eci”, thotë Mentori.
Ndryshe, në Kosovë që nga viti 1986, kur ishte identifikuar rasti i parë, sipas shënimeve të Klinikës infektive, me virusin HIV/AIDS, janë prekur rreth 160 persona.
Prej tyre janë 30 persona të prekur nga ky virus, të cilët marrin terapi në Klinikën Infektive.
E terapia, të cilën e posedon Klinika infektive në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës, sipas Mentorit, me vite është e njëjta e me të cilën bëhet imunizimi. Mentori konsideron se ai lloj terapie duhet të ndërrohet pas disa vitesh, mirëpo kjo nuk bëhet:
“Në Klinikën infektive nuk jam shumë i kënaqur, pasi analizat na i bëjnë një herë në vit, derisa ato duhet bëhen çdo 3 muaj. Pastaj, terapia nuk duhet gjithmonë të jetë e njëjtë pasi imunizohesh, e këtu gjithmonë të njëjtën. Unë kam jetuar edhe në Spanjë dhe atje është krejt tjetër mënyrë e trajtimit.
Por, gjendja është shqetësuese, sepse ka shumë të prekur me HIV, që nuk shkojnë të marrin terapi, e pa terapi jeton shumë shkurt’’.
Mirëpo, në Klinikën infektive në QKUK, Sali Ahmeti, infektolog, thotë se përdorin terapi protokollare, ashtu si edhe në të gjitha vendet tjera të rajonit e Evropës, për trajtimin e të prekurve me virusin HIV/AIDS.
“Sa i përket terapisë për të sëmurët me HIV/AIDS, kemi terapi dhe pacientët e marrin në mënyrë sistematike. Në trajtim i kemi rreth 30 raste, derisa numri total është rreth 160”.
“Aplikohen protokollet standarde si në vendet e regjionit dhe ato evropiane. Realisht për të sëmurët me HIV/AIDS ekzistojnë stigmatizime të ndryshme edhe në vendet e tjera, por edhe në Kosovë, dhe për këtë arsye kemi raste që pacientët orientohen në qendra jashtë Kosovës pikërisht për shkak të paragjykimeve që kanë”, thotë Ahmeti.
Në anën tjetër, Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë se trajtimi i personave me HIV është i mangët.
“Secila klinikë duhet të ketë njëfarë standardi për përkujdesje dhe shërbimi që ua japin personave që jetojnë me HIV dhe këtë nivel nuk e kemi arritur ende. Sido që të jetë, shërbimet duhet të përmirësohen pasi ka ankesa te ne, në adresën e Shoqatës sonë, por që këto duhet përmirësohen, ndonëse është e mundimshme, por jo edhe e parealizueshme”, shprehet Gjonbalaj.
Një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, dhe tuberkuloz.
Për këto sëmundje janë ndarë çdo pesë vjet nga 5 milionë euro.
Facebook Forum