Në sistemin publik shëndetësor në Kosovë, çdo vit hyjnë miliona euro si donacione. Megjithatë, institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime kualitative, mungesë barnash e materialit shpenzues.
Buxheti për shëndetësi ndër vite nuk ka pasur rritje dhe kjo ka qenë arsyeja pse shërbimet shëndetësore nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar. Për një vit, Qeveria e Kosovës për shëndetësi ndan rreth 180 milionë euro.
Rina Limani, koordinatore për donacione në nivel të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, vetëm Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka pranuar rreth 3 milionë euro donacione.
“Në vitin 2017 në gjashtë mujorin e parë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar I Kosovës ka pranuar rreth 3 milion euro donacioni, ku shumica kanë qenë barna por edhe material shpenzues, shtretër e paisje tjera mjekësore nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, ku më pas ato janë shpërndarë varësisht nga nevoja edhe në spitale regjionale”, tha Limani.
Ndonëse donacionet që nga paslufta nuk janë ndalur asnjëherë, mungesat si të barnave, ashtu edhe të materialit shpenzues e aparaturës, kanë qenë evidente.
Në qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ky vit nga udhëheqësi i këtij institucioni është konsideruar si viti më i rëndë, për shkak të mungesës së buxhetit dhe pamundësisë për të planifikuar Klinikën me furnizim.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ka pasur në vazhdimësi mbështetje të donatorëve, që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore. Ata kanë shtuar tutje se po punohet në vazhdimësi që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja.
Lulzim Uka, zyrtar për informim në këtë ministri thotë se kanë donator që vazhdojnë të investojnë në Kosovë prej shumë vitesh.
“Ministria e Shëndetësisë ka donatorë të shumtë. Si donator i madh është Qeveria zvicerane, ku financon MSH-në me mbi 6 milionë euro dhe projekti ka të bëjë me kujdesin shëndetësor të qasshëm dhe cilësor, gjithashtu Qeveria e Luxemburgut, ku ka vazhduar ndër vite përmes projektit KSV 017, Fondi Global, që mbështet aktivitetet në parandalimin e Tuberkulozit dhe HIV Aids, me 1 milion euro. Gjithashtu donacion kemi edhe spitalin e pediatrisë nga shtetet arabe, që pritet të nisë këtë vit, pastaj Qeveria italiane ka ndihmuar me donacione për funksionalizimin e kardiokirurgjisë, e shumë donacione tjera që janë në vazhdim e sipër ndër vite”, thotë Uka.
Ndryshe, ndonëse në shumë klinika nuk mund të kryhen shërbime të caktuara dhe pacientët detyrohen t’i marrin jashtë vendit ato shërbime, ka edhe klinika brenda QKUK- së, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, që donacionet janë vërejtur.
Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, zyrtarë shëndetësorë brenda saj kanë thënë se prej kur marrin si donacion një ampulë të quajtur Surfaktant (e që shërben për përshpejtimin e pjekjes së mushkërive të foshnjave të lindura para kohe), ndër vite ka rënë shumë vdekshmëria e foshnjave nga 31 promil sa ka qenë në vitin 2006, ose nga 1000 foshnje të lindura kanë vdekur 31 prej tyre, në vitin 2016, kjo shifër ka rënë në 12 promil.