Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj, i dënuar nga Serbia për krime lufte, është liruar nga burgu, njoftoi vëllai i tij, Valoni.
“Vëllai im është liruar nga burgu, dhe ne jemi të lumtur që ai më në fund është kthyer në shtëpi. Ky është një fillim i ri për të gjithë ne, dhe ne besojmë në një të ardhme më të mirë”, shkroi Valon Mehmetaj në Facebook.
Nezir Mehmetaj ishte dënuar me gjashtë vjet burgim nga Gjykata e Lartë e Serbisë nën akuzat për krime lufte kundër civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.
Familja e tij vazhdimisht kishte hedhur poshtë akuzat ndaj tij.
Vitin e kaluar, Gjykata serbe tha se kishte konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.
Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në vendimin e gjykatës ishte thënë po ashtu ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.
Nezir Mehmetaj u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që nga ajo kohë kishte qenë në paraburgim në Serbi.
Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte në Rudicë të Komunës së Klinës në periudhën qershor-korrik 1999.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kishin kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.
Vetëm vitin e kaluar, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka ngritur shtatë akuza kundër shqiptarëve të Kosovës për krimet e pretenduara ndaj popullatës civile serbe në fund të viteve ’90.
Edhe autoritetet në Kosovë kanë ngritur një sërë akuzash dhe ka shqiptuar dënime për akuzat për krime lufte në Kosovë më 1998-99.