Ndërlidhjet

Hidrocentralet: Ky problem i madh i Kosovës


Fotografi nga aktivitetet me kajak në lumin Drini i Bardhë të organizuara nga Klubi i Kajakut "Lumbardhi" në Prizren.
Fotografi nga aktivitetet me kajak në lumin Drini i Bardhë të organizuara nga Klubi i Kajakut "Lumbardhi" në Prizren.

Ka disa vite prej se Arian Krasniqi organizon aktivitete me turistë në shtratin e lumit Drini i Bardhë në Prizren.

Ariani është pjesë e Klubit të Kajakut “Lumëbardhi” dhe përmes këtij klubi, gjatë gjithë vitit organizon shëtitje me kajak nëpër shtratin e lumit Drini i Bardhë.

Në fillim të muajit shkurt, Ariani është çuditur kur në ueb-faqen e Komunës së Prizrenit pa të publikuar një njoftim për një debat publik për mundësinë e ndërtimit të një hidrocentrali në shtratin e këtij lumi.

“Lajmërimin për dëgjim publik, të them të drejtën e kemi parë me një rezervë dhe një brengë sepse po shohim edhe në regjion, edhe në Kosovë ka shumë telashe me këto projekte që bëhen me hidrocentrale. Shohim raste kur kompanitë nuk po i zbatojnë kushtet e kontratës të cilat i kanë dhënë dhe krijohen pastaj probleme më të mëdha”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Aktivitet me kajak në lumin Drini i Bardhë në Prizren.
Aktivitet me kajak në lumin Drini i Bardhë në Prizren.

Ai thotë se një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve të Prizrenit është fakti se dëgjimi publik për këtë projekt, është lënë në një kohë kur Kosova është në fazë të ndërrimit të pushtetit.

Kjo sipas tij e largon vëmendjen nga ky projekt që parashihet të ndërtohet në lumin më të madh të Kosovës.

“Sa dimë ne dhe sa kemi parë, e sa kemi shfletuar, kjo është një digë e madhe dhe në konsultat tona që kemi pasur me njohës të fushës, na kanë thënë se nga aspekti mjedisor kjo është diçka për t'u shqetësuar”, tha Krasniqi.

Më 4 shkurt, Komuna e Prizrenit njoftoi se do të mbahet Debati Publik për Raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për ndërtimin e hidrocentralit “EcoDri” në lumin Drini i Bardhë.

Lumi Dirni i Bardhë në Prizren.
Lumi Dirni i Bardhë në Prizren.

Debati do të organizohet në fshatin Dobrushtë dhe të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Çka parasheh projekti i hidrocentralit “EcoDri”?

Në bazë të dokumenteve të publikuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit hidrocentrali ‘EcoDri’ do të jetë e tipit digë.

Diga pritet të ndërtohet në pjesën e ngushtë të lumit, shumë afër fshatit Dobrushtë.

Raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për hidrocentralin “EcoDri”, thuhet se zbatimi i projektit nuk do të ketë pasoja negative të mëdha në mjedisin e zonës.

“I tërë projekti është në përputhshmëri me strategjinë e zhvillimit energjetik të Republikës së Kosovës dhe është ekologjik, në përputhje me tendencat e zhvillimit të energjetikës alternative në Kosovë", thuhet në raport.

Lokacioni ku parashihet të ndërtohet hidrocentrali.
Lokacioni ku parashihet të ndërtohet hidrocentrali.

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të flasë me përfaqësuesit e kompanisë “EcoDri”, por numri i publikuar në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrimit të Bizneseve nuk ka qenë i qasshëm.

Edhe kontakti me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka qenë i pamundur.

Në qershor të vitit 2019, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte lëshuar një reagim kundër iniciativës për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë qytet.

“Hidrocentralet, ashtu siç janë të planifikuara, nuk përfshihen në planet zhvillimore të Kosovës, e as në strategjitë dhe planet zhvillimore dhe urbanistike të Komunës së Prizrenit, si dhe rrezikojnë zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit, të cilat janë prioritetet komunale për zhvillimin e rajonit”, thuhet një reagim që është ende i publikuar në profilin e Facebook-ut, të kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ambientalistët s'i bind vlerësimi

Ardian Nrecaj, aktivist i Grupit për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit thotë se duhet marrë me dyshim konstatimet e raportit të vlerësimit për projektin e ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Ai thotë se ekziston rrezik i madh nga degradimi i ambientit, pikërisht për faktin se për këtë hidrocentral parashihet të ndërtohet një digë në shtratin e lumit Drini i Bardhë.

“Është absurd të thuhet se nuk do të ketë ndikim në mjedis. Një lopatë ta marrësh dhe ta vendosësh në një vend tjetër ndikon në mjedis dhe lëre më të futësh beton në rrjedhën e ekologjike të një lumi. Ne jemi duke lexuar raportin dhe do të dalim me rekomandimet tona dhe do të kërkojmë përgjegjësi”, tha Nrecaj.

Nrecaj thotë se ndërtimi i këtij hidrocentrali me digë do të ketë efekte të mëdha negative, si në dëmtimin e biodiversitetit, po ashtu edhe në turizmin e asaj zone.

Përvojat këqija të Deçanit dhe Shtërpcës

Në rrjedhën e lumit kryesor në grykën e Deçanit janë të ndërtuara katër hidrocentrale.

Ndërtimi dhe vënia në funksion e këtyre hidrocentraleve ishte përcjellë me mungesë transparence dhe kundërshtim qytetar.

Lokacioni që njihet si Zalli i Rupës në Deçan.
Lokacioni që njihet si Zalli i Rupës në Deçan.

Adem Lushaj, aktivist nga Deçani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo iniciativë për ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë duhet përcjellë me kujdes të shtuar, ndryshe sipas tij, do t’i shkaktohen dëme të pariparueshme ambientit.

“Investimi që ka ndodhur në Komunën e Deçanit është shembulli më i mirë se si nuk duhet lejuar të ndërtohen edhe në komunat e tjera hidrocentralet sikurse janë ndërtuar në Deçan. Gjatë sezonit së verës ka ndodhur të mos jetë pika e ujit nëpër shtratin e lumit, që do të thotë nuk ndodh as respektimi i minimumit ekologjik, që është direktivë e Bashkimit Evropian” thotë Lushaj.

Të premten, më 12 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të lejeve për tri hidrocentrale që janë të ndërtuara në Grykën e Deçanit.

Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesve të personave që kanë paditur kompaninë “Kelkos Energy” për mosrespektim të ligjit, ka thënë në një njoftim se “shtyrja e ekzekutimit vendoset për të parandaluar dëmin e pariparueshëm deri kur të shqyrtohet padia jonë kundër dy organeve vendimmarrëse, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë”.

Një iniciative për ndërtimin e hidrocentraleve, para dy vjetësh ishte edhe në qytetin e Pejës.

Mirëpo, kundërshtimi i madh qytetar dhe i autoriteteve komunale bëri që iniciativa të parandalohej.

“Varrosja” e lumenjve në emër të fitimit të energjisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:33 0:00

Për disa vite rresht kanë protestuar kundër hidrocentraleve edhe banorët e Shtërpcës.

Më të zëshmit kanë qenë banorët e fshatit Biti e Poshtme, të cilët kanë kundërshtuar futjen e lumit Lepenc në gypa.

Përkundër protestave dhe reagimeve të shumta të organizatave të shoqërisë civile, punimet nuk u ndalën dhe hidrocentralet në këtë rrjedhë janë afër përfundimit.

Rreth 95 për qind energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa vetëm vetëm 2.7 për qind nga hidrocentralet.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG