Korridori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj ishte mbushur me pacientë që prisnin të kontrolloheshin nga mjeku familjar gjatë javës së kaluar.
Brenda po i priste mjeku specialist i mjekësisë familjare, Istref Bajraktari.
Ai ka rreth një muaj që ka mbushur moshën e pensionimit dhe do të duhej ta ndërpriste punën, mirëpo Komuna e Skenderajt vendosi t’ia vazhdonte angazhimin për shkak se po përballen me mungesë të mjekëve.
“Vendosa të vij pak t’i ndihmoj popullatës dhe shtëpisë së shëndetit”, thotë Bajraktari, i cili kryen vizita mjekësore për 60 deri 120 pacientë në ditë.
Si të punësuar në sektorin publik, punëtorët shëndetësorë në Kosovë pensionohen në moshën 65-vjeçare, kur edhe u ndërpritet angazhimi i rregullt në institucione shëndetësore.
Mjekësia primare, përkatësisht qendrat e mjekësisë në nivele komunale udhëhiqen nga komunat, ndërsa mjekësia sekondare (spitalet) dhe ajo terciare (Qendra Klinike Universitare e Kosovës - QKUK), udhëhiqen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Rrezarta Ibrahimi, drejtoreshë për Shëndetësi në Komunën e Skenderajt thotë për Radion Evropa e Lirë se angazhimin e Bajraktarit e kanë bërë përmes një procedure të prokurimit, me të cilën mjekut i paguhet shërbimi në baza mujore.
Megjithatë, nga paga mbi njëmijë euro që i takonte me kontratë të rregullt, me këtë formë të angazhimit, mjekut i bie të paguhet më pak se gjysma e kësaj shume.
Ibrahimi tregon se në gjithë Skenderajn kanë të angazhuar 31 doktorë për pesë qendra të mjekësisë familjare dhe shtatë qendra ambulantore.
Mungesën e mjekëve e kishin vërejtur më së shumti në fushën e mjekësisë familjare ku kanë të angazhuar vetëm tre mjekë, përfshirë Bajraktarin.
“Në komunën e Skenderajt kemi shumë [ mjekë] që janë të gatshëm [të angazhohen], por me njëfarë forme nuk po na lejohet t’i angazhojmë aq sa ne dëshirojmë”, thotë Ibrahimi.
Sipas saj, komuna nuk ka shumë mundësi financiare për t’i angazhuar mjekët e pensionuar me pagë të plotë, ndërsa procedura tenderuese, sipas saj, i kushton në kohë komunës.
Tentativë për zëvendësimin e anesteziologëve
Sistemi shëndetësor publik ka vite që përballet me mungesë të mjekëve.
Të dhënat e Odës së Mjekëve tregojnë se të angazhuar në sistemin publik shëndetësor aktualisht janë rreth 3.300 doktorë të niveleve të ndryshme.
Sipas Pleurat Sejdiut, kryetar i Odës së Mjekëve, një prej arsyeve të mungesës së mjekëve është fakti që mjekët e rinj po migrojnë jashtë shtetit.
“Vitin e kaluar i kemi pasur 211 [mjekë që kanë migruar]. Ndërsa këtë vit në tre muajt e parë i kemi afër 60 që janë larguar”, thotë ai.
Sipas tij, problem është edhe plakja e stafit shëndetësor.
“Parimisht diku rreth 70 ose 75 [mjekë] pensionohen çdo vit. E kemi llogaritur për 10 vjetët e ardhshëm diku rreth 1.300 mjekë dalin në pension, që tregon edhe për moshën e shtyrë të specializantëve tanë”, thotë Sejdiu.
Një nga fushat ku ka më së shumti probleme me mungesën e mjekëve në sistemin publik është anesteziologjia.
Radio Evropa e Lirë, në vitin 2022 ka raportuar se QKUK-ja ka 48 anesteziologë, ndërsa bazuar në nevojat dhe kërkesat, do të duhej të kishte 120.
Në vitin 2021, ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kishte rekomanduar që profesionistët shëndetësorë të pensionohen në moshën 67 apo 68 vjeç.
Pleurat Sejdiu tregon se ministri Latifi kishte bërë gjithashtu një tentativë për t’i riangazhuar anesteziologët e pensionuar në QKUK, mirëpo pa sukses.
“Kanë biseduar me ta dhe normalisht ata kanë krahasuar ofertën që i jep Qeveria me ofertën që u kanë në sektorin privat që është si nata me ditë”, thotë Sejdiu.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në sektorin privat, anesteziologët arrijnë pagën prej 3 mijë deri në 4 mijë euro, ndërsa në sektorin publik me ligjin që ka hyrë në fuqi në vitin 2023 paga është mbi 1.200 euro, si dhe mund të arrihet deri rreth 2 mijë së bashku me shtesat që merren për punë jashtë orarit.
- Anesteziologët ikin nga QKUK-ja
- Ikja e mantelbardhëve rrezikon sistemin shëndetësor
- Jo vetëm mjekë specialistë, por edhe ata familjarë po ikin nga Kosova
Anesteziologu Zekë Zeka thotë se arsyet pse mjekët e fushës së tij preferojnë sektorin privat karshi atij publik nuk janë vetëm financiare.
“Aty nuk të vlerëson as stafi dhe nuk të vlerësojnë as pacientët. Aty është krijuar asi lloj mentaliteti. Po dëgjojmë çdo ditë. Sulmohet personeli, sulmohen mjekët”, thotë ai.
Zeka e kishte braktisur sistemin publik shëndetësor në vitin 2007 për arsye financiare.
“Thjesht, duhej të orientohesha... ose t’i ndihmoj familjes. Sot e kësaj dite, sistemi privat paguan së paku dyfishin e publikut”, tregon Zeka.
Ai ka tre vjet që është pensionuar, por vazhdon të punojë në një spital privat me orar të rregullt.
Ministria e Shëndetësisë(MSH) në Kosovë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me përpjekjet për t’i zëvendësuar mjekët që mungojnë apo për t’i ripunësuar mjekët e pensionuar.
Gjatë vitit 2022, MSH-ja u kishte bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, për angazhim dhe punë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.
Mungesa e mjekëve në rajon
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2023, Shqipëria radhitet më së keqi sa i përket numrit të mjekëve në Ballkanin Perëndimor.
Për çdo 10 mijë banorë në Shqipëri ka rreth 18 mjekë, ndërsa Serbia qëndron më së miri në rajon me afro 36 mjekë për 10 mijë banorë.
OBSH-ja nuk i ka të dhënat e ndara për Kosovën, pasi Kosova ende nuk është pjesë e kësaj organizate.
Megjithatë, i gjithë rajoni viteve të fundit është përballur me migrimin e mjekëve në vendet perëndimore, kryesisht në Gjermani.
Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, legjislacioni ka ofruar mundësi që në drejtimet deficitare që përfshijnë profesionistët shëndetësorë, të kenë mundësi të punojnë me kontratë të rregullt edhe pas moshës 64-vjeçare, për të paktën edhe dy vjet shtesë.
Në Serbi, mosha e pensionit për gra është 63 vjeç, ndërsa për burra 65. Vazhdimi i punës mund të bëhet, varësisht nga profesioni, vetëm me marrëveshje të veçantë me punëdhënësin. Kjo përfshin edhe sistemin shëndetësor.
Në Bosnjë e Hercegovinë, mjekët mund të dalin në pension në moshën 65-vjeçare apo pasi të kenë plotësuar kriterin e stazhit të punës prej 40 vjetësh. Megjithatë, ata mund të vazhdojnë të punojnë në institucione publike deri në moshën 70 vjeçe, me lejen e drejtorit të spitalit dhe me miratimin e ministrit të Shëndetësisë.