Ndërlidhjet

Mbi 20 vjet dhe 12 adresa banimi - rrugëtimi për në shtëpi


Foto nga arkivi, Mitrovica e Veriut
Foto nga arkivi, Mitrovica e Veriut

Erhan Rrakateli, që nga përfundimi i luftës më 1999, dymbëdhjetë herë ka ndërruar adresën e banimit në Mitrovicën e Jugut, si pasojë e djegies e shtëpisë së tij në anën veriore të qytetit.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Rrakateli thotë se ende është në pritje që autoritetet shtetërore në Kosovë t'i lejojnë krijimin e kushteve dhe mundësive për rindërtimin e shtëpisë. Kjo familje, refuzon të shes pronën edhe pse ka pasur oferta.

"Jetoj me qira që 21 vjet. Askush nuk na ndihmuar absolutisht, as për ta paguar qiranë apo diçka e tillë. Jam në të dymbëdhjetën banesë që e kam ndërruar. Nuk na kanë lejuar të ndërtojmë kur kemi pas para. Të gjitha ato para na kanë shkuar duke paguar qiratë për më shumë se 20 vjet dhe tash kemi mbetur kështu në dyer të huaja", tha Rrakateli.

Familja Rrakateli kritikon institucionet e Kosovës dhe të gjitha qeveritë deri tash për, siç thanë, mosinteresimin e tyre për banorët shqiptarë nga veriu i Kosovës.

"Nëse më rregullohet shtëpia nesër, unë pasnesër do të isha kthyer në shtëpi", tha Rrakateli.

Familja Rrakateli është njëra nga rreth 15 mijë familjet të cilat janë shpërngulur nga veriu i Kosovës. Këto familje janë shpërndarë në pjesën jugore të qytetit, e cili tashmë është edhe zyrtarisht e ndarë nga pjesa veriore, por edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Disa nga familjet tashmë pasurinë e tyre e kanë shitur pasi banesat u ishin uzurpuar dhe më pas janë blerë nga serbët lokal.

Çështja e kthimit të personave të zhvendosur është diskutuar së fundmi edhe në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.

Më 7 shtator, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, konfirmuan se i kanë përafruar qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve, të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunim ekonomik, por nuk kanë dhënë më shumë informata.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, i thanë Radios Evropa e Lirë se në Bruksel janë duke negociuar për marrëveshje të përgjithësuara dhe nuk po bëjnë ndonjë marrëveshje specifike, siç mund të jetë kthimi i shqiptarëve në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, Nazan Kërveshi, drejtoreshë në Drejtorinë e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale pranë komunës së Mitrovicës së Jugut, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende ka familje të shpërngulura nga veriu i Kosovës që jetojnë në kushte të rënda sociale.

"Në vitin 2000, afër 15 mijë familje janë dëbuar nga pjesa veriore. Ka nga ato familje që jetojnë në Prishtinë, mirëpo te çështja e banimit ende nuk kanë bërë zgjidhje, për arsye se nuk kanë dashur të shesin pronat dhe gjithmonë me shpresën që Mitrovica do të jetë e bashkuar", tha Kërveshi.

Ajo ka shpjeguar se aktualisht komuna e Mitrovicës së Jugut, është duke ndihmuar 10 familje me pagesën e qirasë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se në jug të komunës jetojnë ende shumë familje të veriut të Kosovës si refugjatë.

"Ka disa që i kanë shitur banesat, ka disa që nuk i kanë shitur banesat dhe duan të kthehen atje, por në pamundësi të kthimit, duhet të jetojnë si refugjatë në pjesën e jugut. Kjo është e vërteta dhe unë ketë çështje e kam ngritur për diskutim kudo, deri në Bruksel", tha Bahtiri.

Edhe pse nuk është konfirmuar nga autoritetet në Kosovë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas raundit të fundit të takimit në Bruksel lidhur me kthimin e të zhvendosurve ka deklaruar se "Prishtina do të miratojë një ligj për kthimin e personave të zhvendosur. Sipas tij ky është një hap i rëndësishëm, megjithëse ai ka thënë se është skeptik për rezultatet në praktikë”.

Ndërkohë, në komunën e Zveçanit, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”.

Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG