Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, nuk ka arritur ende ta rikthejë faqen e saj në Facebook, tri ditë pasi iu hakua.
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike (KOS-CERT) nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse është njoftuar se faqja në Facebook e institucionit të Qeverisë së Kosovës është hakuar më 4 shkurt, pse nuk është rikthyer as tri ditë më vonë dhe nëse ky incident online mund të ketë pasoja për informacionet apo dokumentet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Kjo faqe ndiqet nga mbi 2.000 njerëz, dhe kryesisht publikon aktivitetet e Ministrisë së lartpërmendur.
REL-i e ka kontaktuar edhe ministrin Rashiq për ta pyetur se si institucionet kompetente nuk kanë mundur ta rikthejnë faqen në Facebook të institucionit të Qeverisë së Kosovës për tri ditë dhe nëse ai ka ndonjë informacion se kush e ka kryer sulmin kibernetik dhe për çfarë motivi, por nuk mori përgjigje.
Ndërkaq, ministri Rashiq në llogarinë e tij personale në Facebook tha se nuk është i befasuar, sepse “e di se me kë kemi të bëjmë”.
Nga ana tjetër, në tri ditët e fundit, faqja në Facebook e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ka bërë një sërë postimesh nga persona që e kanë hakuar profilin më 4 shkurt, kur u njoftua se “nga ky moment do të fillojë raportimi objektiv për abuzime, makinacione dhe forma të tjera të veprimtarisë së paligjshme brenda së njëjtës Ministri në dy vjetët e fundit”.
Në të njëjtën ditë, ministri Rashiq njoftoi se faqja në Facebook e Ministrisë që ai drejton ishte hakuar dhe u bëri thirrje të gjithëve që "t’i vlerësojnë postimet e mëtejshme nga ai profil si plotësisht të rrejshme".
Ndërkohë, më 7 shkurt u publikua një video, ku gjoja shihet ministri Rashiq “duke bërë listat e atyre që nuk lejohen të kalojnë”, gjegjësisht marrin ndihmë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Një ditë më parë, më 6 shkurt, u publikua një "letër" e një person i quajtur Jovica Çukaloviq, drejtuar Nenad Rashiqit, ku thuhej se ai refuzon ofertën për t'u përfshirë politikisht në partinë e tij Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe se "ndërpret bashkëpunimin për shkak të manipulimeve politike".
Rashiq garon në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me partinë e tij Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Përveç tij, partitë tjera politike serbe që marrin pjesë në këto zgjedhje janë, Lista Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Popullore Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, e ka akuzuar partinë e Nenad Rashiqit për “blerje të votave me fondet e Qeverisë së Kosovës”, pra për shpërndarjen e teknikës së bardhë dhe subvencione bujqësore gjatë fushatës zgjedhore.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Rashiq i ka mohuar këto akuza, duke shtuar se këto janë “programe të rregullta” të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Kur u pyet nëse Ministria që ai drejton aktualisht shpërndan teknikë të bardhë, Rashiq u përgjigj: "Me sa di unë, jo".
Megjithatë, ai nuk ka mundur të shpjegojë se si dhe kur është bërë video-incizimi, në të cilën mund të shihet dhe dëgjohet përpilimi i listave nëpër zyrat e partisë për këtë lloj ndihme për qytetarët.
Edhe Lista Serbe u përball me akuza për “blerje votash”. Kundërshtarët e tyre politikë pohuan se në vend që të shkojnë në Shërbimin Kombëtar të Punësimit të Republikës së Serbisë, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dërgohen në zyrat e partisë së Listës Serbe për të “bërë lista” për të marrë 20.000 dinarët e ndihmës që shteti serb kishte premtuar për 5.000 të papunë.
Kjo ndihmë është dhënë në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, i cili pasoi pasi u prezantua në opinion në shtator të vitit të kaluar nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, për shkak të mbylljes së institucioneve që veprojnë në Kosovë në kuadër të sistemit serb.