Punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut janë evakuuar të enjten, pas një alarmi për vendosje të bombave, që është dërguar në adresën elektronike të këtij institucioni.
“Pas kontrolleve të ekipeve të specializuara anti-terroriste të forcave policore është konstatuar se bëhet fjalë për alarm të rremë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ky është alarmi i parë për vendosjen e bombave në një institucion shtetëror, që nga paraqitja e këtij fenomeni më 26 nëntor.
Që atëherë dhjetëra shkolla të mesme në Shkup dhe qendra tregtare kanë marrë njoftime për vendosje bombash, por të gjitha kanë rezultuar të rreme.
Paralajmërime për vendosje të bombave të hënën janë dërguar edhe në Qendrën e Transportit Publik, në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Biser”, si dhe ndërtesën “Flat Iron”.
Drejtuesit e institucioneve ende nuk kanë arritur të zbulojnë burimin e dërgimit të emaileve kërcënuese përmes postave elektronike.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se me gjasë bëhet fjalë për “luftë kibernetike” që, sipas tij, ka për qëllim frikësimin e qytetarëve dhe destabilizimin e vendit.
Ai tha se institucionet janë në kontakt me bashkësinë ndërkombëtare për ndihmë në përballjen me këtë dukuri.
Më 5 dhjetor, Ministria e Jashtme në Shkup ka ngritur padi penale për veprën “terrorizëm” ndaj një personi të mitur, pasi ai kishte pranuar në Polici se në muajin tetor ka kërcënuar me bomba katër shkolla të mesme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar se me këtë padi penale nuk është zbardhur rasti i alarmeve për bomba, pasi, sipas tij, kërcënimet kanë ardhur edhe nga jashtë vendit, gjë që, siç është shprehur ai, dëshmon se bëhet fjalë për sulme kibernetike që vështirë do të mund të zbulohen.