Ndërlidhjet

Ministri hungarez: S’e mbështesim bërjen e NATO-s bllok anti-Kinë


Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Hungaria nuk dëshiron që NATO-ja të bëhet një bllok “kundër Kinës”, dhe nuk do ta mbështesë këtë, tha të enjten ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Duke folur në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Szijjarto tha gjithashtu se pranimi i Ukrainës në aleancën ushtarake do ta dobësonte unitetin në grup.

Në një draft të komunikatës përfundimtare të samitit të NATO-s në Uashington, Kina përshkruhet si një vend vendimtar që ia lehtëson Rusisë përpjekjet e luftës në Ukrainë, ndërsa nënvizohet se Pekini po vazhdon të përbëjë sfida sistematike për Evropën dhe për sigurinë.

Kina e ka quajtur komunikatën të njëanshme dhe “nxitëse të mosmarrëveshjeve”.

“NATO-ja është aleancë e mbrojtjes... ne nuk mund ta bëjmë atë bllok kundër Kinës”, tha Szijjarto për televizionin hungarez, duke iu përgjigjur një pyetjeje për përpjekjet e NATO-s për ndërtimin e aleancës në Indo-Paqësor.

Kina është partner i rëndësishëm tregtar dhe investues për Hungarinë. Vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian synojnë të bëhen më pak të varura nga Pekini.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u takua me presidentin e Kinës, Xi Jinping, të hënën, për të diskutuar për një marrëveshje të mundshme për paqe në Ukrainë, pas vizitave në Kiev dhe në Moskë.

Vizita e tij në Moskë dhe takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, i zemëroi disa liderë të BE-së, pasi blloku kërkon t’i shmangë kontaktet e nivelit të lartë me Moskën në lidhje me luftën në Ukrainë.

Në samitin e NATO-s, liderët u zotuan për mbështetje për Ukrainën, ndërsa në draftin e komunikatës u ritheksua mbështetja për Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.

“Pranimi i Ukrainës nuk do ta forconte, por do ta dobësonte unitetin e aleancës, sepse ka qëndrime plotësisht të ndryshme për anëtarësimin e saj”, tha Szijjarto.

Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës mund të krijojë rrezik për hapjen e një konflikti mes Rusisë dhe NATO-s.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG