Ndërlidhjet

Presidenti i Malit të Zi në Bruksel, pas miratimit të rezolutës për Jasenovacin


Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Bruksel, 2 korrik 2024.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Bruksel, 2 korrik 2024.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se shoqëria malazeze, pothuajse në tërësi, mbështet anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian - gjë që, sipas tij, i detyron vendimmarrësit të punojnë me përkushtim drejt realizimit të këtij qëllimi.

“Me veprime mendjengushta, Mali i Zi nuk duhet ta humbasë mundësinë që së shpejti të bëhet anëtar i plotë i BE-së”, tha ai.

Millatoviq i bëri komentet gjatë një takimi me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të martën në Bruksel.

Sipas njoftimit të Presidencës malazeze, Michel i tha Millatoviqit se Mali i Zi duhet të mbetet në rrugën evropiane.

Ishte ky takimi i parë mes zyrtarëve nga Podgorica dhe Brukseli pas miratimit të Rezolutës për Jasenovacin në Kuvendin e Malit të Zi.

Kjo rezolutë ishte pikërisht arsyeja përse takimi u zhvillua në Bruksel dhe jo në Podgoricë.

Michel e anuloi udhëtimin në kryeqytetin e Malit të Zi, pasi Parlamenti i këtij vendi miratoi Rezolutën për Jasenovacin më 28 qershor.

Në shpjegimin e kabinetit të Michelit nuk u përmend Rezoluta, por u tha se presidenti i Këshillit Evropian e shtyu vizitën e planifikuar në Mal të Zi më 2 dhe 3 korrik, “për të siguruar bisedime të suksesshme me bashkëbiseduesit kryesorë të këtij vendi, të cilat nuk duhet të mbeten nën hijen e ngjarjeve të fundit”.

Millatoviq tha pas takimit me Michelin se ai e ka anuluar vizitën e tij në Podgoricë pikërisht për shkak të miratimit të Rezolutës për Jasenovacin. Ai tha, po ashtu, se ky veprim mund të ndikojë në rrugën evropiane të vendit.

Shumica parlamentare e Parlamentit të Malit të Zi votoi për Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac më 28 qershor.

Jasenovaci - 70 km në lindje të kryeqytetit të Kroacisë, Zagreb - është i njohur për vrasjet masive të hebrenjve, serbëve, romëve dhe kroatëve antifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vlerësimet e numrit të të vrarëve atje ndryshojnë, por historianët e pavarur thonë se ai sillet midis 80.000 dhe 100.000.

Qeveria kroate i konsideron ngjarjet atje si krim të Luftës së Dytë Botërore.

Në ditën kur u miratua rezoluta në Mal të Zi, Kroacia tha se ky veprim nuk i kontribuon ndërtimit të një kulture të përkujtimit, por se është “instrumentalizim i viktimave të Jasenovacit” për qëllime politike ditore.

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjatë një bisede telefonike me homologun malazez, Jakov Millatoviq, tha se rezoluta është një akt i dëmshëm që “rëndon në mënyrë të panevojshme mbi marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve”.

Pas kësaj bisede, në platformën X reagoi edhe Millatoviq:

“Kemi rënë dakord se është detyrë e jona e përbashkët që t’i kujtojmë me nderim të gjitha viktimat e gjenocidit në Jasenovac, e jo që të tregtohet politikisht me viktimat dhe krimin, të cilin askush nuk e mohon”.

Rezoluta për Jasenovacin ishte një përgjigje politike e forcave proserbe në Mal të Zi ndaj mbështetjes së Qeverisë malazeze për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u miratua në fund të majit.

Rezolutën për Srebrenicën e kundërshtuan zyrtarët proserbë të Malit të Zi, përfshirë kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG