Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë se bllokada kufitare në mes të Bjellorusisë dhe Polonisë, është duke çuar në shkelje “serioze” të të drejtave të migrantëve dhe azilkërkuesve, nga ana e qeverive të të dyja vendeve.
Në një raport të publikuar më 24 nëntor, kjo organizatë me bazë në Nju-Jork ka cituar njerëz nga kufiri të kenë thënë se “janë kthyer mbrapsht, ndonjëherë me dhunë”, nga gardat kufitare polake për në Bjellorusi.
“Në anën bjelloruse kanë qenë të zakonshme akuzat për dhunë, trajtim jonjerëzor dhe përdorim të forcës nga gardat kufitare të Bjellorusisë”, është thënë në raport.
Prej muajit gusht, mijëra persona, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Jemeni, kanë udhëtuar në kryeqytetin bjellorus, Minsk, përmes kompanive që kanë bërë pretendime të rreme për hyrje të lehtë në Bashkimin Evropian, ka thënë HRW.
Bashkimi Evropian akuzon Minskun se ka shtyrë migrantët të kalojnë kufirin me Poloninë dhe vendet tjera të BE-së, Lituaninë dhe Letoninë, me qëllim të destabilizimit të bllokut evropian, pasi ky i fundit ka vendosur sanksione ndaj regjimit të liderit bjellorus, Akyaksandr Lukashenka, i cili akuzohet për manipulim të zgjedhjeve në gusht të vitit të kaluar.
“Ndonëse Bjellorusia ka prodhuar këtë situatë, pa marrë parasysh pasojat njerëzore, Polonia ka përgjegjësi për këto vuajtje në zonën kufitare”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese e lartë për Evropën dhe Azinë Qendrore në HRW.
“Burrat, gratë dhe fëmijët janë shtyrë në të dyja anët e kufirit për disa ditë apo javë ne temperatura të ulëta, pavarësisht nevojës për ndihmë humanitare që është pamundësuar nga të dyja anët”.
Pjesëtarë të organizatës, Human Rights Watch, kanë udhëtuar në të dyja shtetet në muajin tetor dhe kanë intervistuar 19 migrantë që kanë treguar “histori rrëqethëse të ecjes nëpër pyje, këneta, moçale dhe lumenj në temperatura të ulëta për ditë e madje edhe javë, pa ushqim dhe ujë”.
Deri më tani, 13 migrantë kanë vdekur në kufi prej kur ka nisur kriza.
Sipas HRW-së, si Bjellorusia, ashtu edhe Polonia kanë obligim për të parandaluar vdekje tjera, duke u siguruar njerëzve të bllokuar në kufi, qasje në ndihmë humanitare.
Ukraina angazhon “operacion special” afër kufirit me Bjellorusinë
Shërbimi kufitar i Ukrainës ka thënë se ka angazhuar “operacion special” në kufi me Bjellorusinë, pas shqetësimeve se kriza me migrantë mund të përfshijë edhe territorin ukrainas.
Përmes një komunikate është thënë se operacioni është pjesë e masave “për të rritur mbrojtjen e kufirit ukrainas në mënyrë që të prandalojë krizën me migrantë si dhe të luftojë aktivitete ilegale”.
Rreth 8,500 trupa ushtarake dhe zyrtarë policorë do të ruajnë zonën kufitare, me qëllim të parandalimit të hyrjes së ndonjë migranti në këtë shtet.
Aeroplanë dhe pajisje tjera për vëzhgim do të jenë të pranishme në kufi për të vëzhguar, është thënë mes tjerash në deklaratë.