Ndërlidhjet

Mickovski: Nëse Zaev nuk deponon dorëheqjen, do ta rrëzojmë


Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Partia VMRO-DPMNE dhe shumica e re parlamentare, që u bë e ditur të premten në mbrëmje, pret që kryeministri në dorëheqje, Zoran Zaev, të dorëzojë të hënën dorëheqjen në Kuvend, në të kundërtën shumica e re do të kërkojë seancë parlamentare për të votuar mosbesimin e Qeverisë.

“Ne do të përpiqemi të formojmë një qeveri politike të qëndrueshme me një shumicë më të madhe në Parlament. Nëse nuk ia dalim, do të duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Deri të hënën do të presim që Zoran Zaev të dorëzojë dorëheqjen në Kuvend dhe nëse kjo nuk ndodh, me 61 nënshkrimet e deputetëve, do të fillojmë procedurën për largimin e kësaj Qeverie”, ka deklaruar të shtunën kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Nga ana tjetër, Lidhja Social-Demokrate, në reagimin e parë pas njoftimit për formimin e shumicës së re parlamentare, tha se bëhet fjalë për një grup partish, që sipas LSDM-së, janë kundër integrimeve euroatlantike të vendit, por edhe kundër stabilitetit të vendit dhe si e tillë, përveç konflikteve, nuk do të sjellë asgjë të mirë për vendin.

LSDM-ja ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave progresive për parandalimin e formimit të një qeverie të tillë.

“Populli e pa sesi u ulën në të njëjtën tavolinë përfaqësuesit e strukturave që janë kundër NATO-së, kundër BE-së, kundër Marrëveshjes së Prespës dhe pjesëmarrësit në aksionet e përgjakshme të 27 Prillit. Kjo përbërje nënkupton konflikt parimesh, konflikt pikëpamjesh, konflikt politikash dhe konflikt vlerash. Një përbërje e tillë politike nuk mund të ofrojë asgjë për interesin e qytetarëve, as për interesat kombëtare të shtetit, sepse e vetmja gjë në atë tryezë është dëshira për pushtet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar që të veprohet pa emocione dhe eufori dhe se për zhvillimet e fundit janë në kontakt me të gjithë faktorët relevantë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet kontakteve intensive më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATO-në, BE-në, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori”, thuhet në reagimin me shkrim të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Njoftimin për formimin e shumicës së re parlamentare, kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, që po ashtu është pjesë e qeverisë aktuale, e sheh si veprim jo të mirë për stabilitetin e vendit.

“Megjithatë, Maqedonia (e Veriut) po hyn në një proces të paqëndrueshmërisë politike që do të zgjasë dhe do të ketë efekte negative për stabilitetin, proceset integruese evropiane, luftën kundër pandemisë, por edhe biznesin”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.

Ndërkohë partitë që njoftuan se janë pjesë e shumicës parlamentare, pretendimet e partive në pushtet për rrëzimin e procesit integrues apo devijimin e vendit nga BE-ja dhe SHBA-ja, i quajnë “manifestim të frikës për humbjen e pushtetit, dhe tendencën që të gjitha dështimet në pesë vitet e fundit të mbulojnë me gjoja orientimin e tyre properëndimor”.

“Alternativa nuk do të jetë pjesë e një Qeverie që do të tërhiqej nga proceset integruese euroatlantike. Vendi ynë duhet të mbetet anëtar i NATO-s, duhet të forcojmë marrëdhëniet tona dhe duhet të përshpejtojmë sa më shpejt integrimin evropian. Nëse një parti, pjesë e qeverisë, e kushtëzon këtë, ne nuk do të jemi pjesë e një qeverie të tillë”, ka deklaruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, duke theksuar se shumica e re do të jetë me orientim evropian dhe do të punojë për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë që është futur si pasojë e qeverisë së korruptuar dhe të kriminalizuar.

Kryetari i partitë “E Majta”, Dimitar Apasiev, e cila apostrofohet si parti anti-perendimore, nuk ka komentuar akuzat, por ka thënë se qëllimi kryesor është largimi nga pushteti i qeverisë që sipas tij ka shkatërruar gjithë pasuritë e Maqedonisë së Veriut.

“Me një lëvizje politike i përzumë ata që i dëbuan prindërit tanë nga fabrikat dhe që Maqedoninë (e Veriut) e shndërruan në bashibozuk. Me sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë (së Veriut) garantohet shpërndarja e Qeverisë me votë mosbesimi – në rast se Zoran Zaev nuk jep dorëheqje. Kjo marrëveshje në asnjë rast nuk do të thotë koalicion dhe ka një qëllim të vetëm, rrëzimin e regjimit hibrid të BDI-së dhe LSDM-së”, ka shkruar Apasiev në profilin e tij në Facebook.

Për mocionin e votëbesimit të Qeverisë, opozitës i nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Shumica aktuale parlamentare numëron 62 deputetë, por me largimin e tre deputetëve të lëvizjes BESA, ajo e humb shumicën, që nënkupton edhe rrëzimin e Qeverisë.

Zhvillimet e këtilla në skenën politike në Maqedoninë e Veriut pasuan disfatën e Lidhjes Social Demokrate (LSDM) të kryeministrit Zoran Zaev, në zgjedhjet lokale.

Kjo parti humbi Shkupin dhe mbi gjysmën e 80 komunave gjë që çoi në paraqitjen e dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG