Në mesditën e së hënës të 13 shtatorit, Antigona Gashi, nënë e dy fëmijëve nga Prishtina, u nis për në librari për të blerë libra për fëmijët.
Ajo thotë se po mundohet që fëmijët t’i angazhojë në forma të ndryshme, tani që në vend nuk po mbahet asnjë lloj i mësimit në nivelin parauniversitar.
Gashi nuk po pajtohet me vendimin e Ministrisë së Arsimit që nxënësit të mos kthehen në shkolla deri më 26 shtator.
“Unë po e shoh që popullsia veç po dalin, nuk po ndalen. Unë mendoj që më mirë është të fillojnë mësimin, vetëm duhet të merren masa mbrojtëse, sepse fëmijët po humbin shumë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Nëna e djemve në klasë të dytë dhe të katërt po e sheh të pakuptimtë edhe faktin se nuk po mbahet as mësim online.
“Do të ia kishte vlejtur edhe (mësimi) online që fëmijët të mos rrinë kot. Mos të humbim më shumë fëmijët sepse arsimi është duke rënë ”, shprehet ajo.
Të dielën, më 12 shtator, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit, ku mësimi në nivelin parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe puna e qëndrimeve ditore është pezulluar deri më 26 shtator.
Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna tha se mësimi online mbetet opsion, mirëpo synim kryesor e kanë mësimin me prezencë fizike.
“Bazuar në të gjitha trendet dhe strategjitë botërore nisur nga OBSH, UNICEF… të gjitha po sugjerojnë që rikthimi në shkolla të jenë me prezencë fizike”, tha ajo të dielën gjatë një konference për media.
Ndërprerja totale e mësimit nuk po shihet e përshtatshme as nga mësuesit.
Mimoza Ajeti, mësuese në Prishtinë e cila është edhe nënë e një vajze në klasën e tetë, thotë se ideale do të ishte të ketë mësim për fëmijët në cilindo skenar.
Ajo e pranon se mësimi online ka të metat e veta, por thotë është më i mirë sesa nxënësit të jenë të paangazhuar.
“Më mirë është pak se hiç. Ndoshta nëse angazhohet mësimdhënësi edhe fëmijët domosdo do të angazhohen pak”, thotë ajo.
Reshiti: Mësimi online, joefektiv
Këshilli i Prindërve të Kosovës ende nuk ka dalë me qëndrim në lidhje me shtyrjen e mësimit në Kosovë.
Megjithatë, Ymret Reshiti, kryetar i këtij këshilli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë qëndrim unanim i tyre që mësimi online nuk ia vlen të mbahet.
“Nuk do duhej të vinte në shprehje mësimi online, pa marrë parasysh rrethanat”, shprehet ai.
Sipas Reshitit, është shqetësuese fakti se situata me pandeminë COVID-19 erdhi deri në pikën që autoritetet u detyruan të shtynin mësimin.
Mësimi online përveç se ishte jocilësor kishte edhe probleme teknike, thotë Myrvete Kelmendi, nënë e dy fëmijëve që ndjekin arsimin fillor.
Kelmendi tregon se për djalin e saj, që është në klasë të parë, është e pamundur kyçja në pajisje teknologjike vetëm, ndërsa angazhimet në punë të të dy prindërve i shtojnë telashet.
Përveç kësaj, ajo thotë se nuk do të preferonte nisjen e mësimit online në asnjë formë.
“Nuk ka efekt, nuk ka rezultate”, thotë Myrvete Kelmendi.
Asociacioni i Komunave: U përgatitëm për mësim në shkolla
Komunat e Kosovës kishin qenë të gatshme për nisjen e mësimit në formë fizike nga 1 shtatori.
“Nga aspekti teknik komunat kanë qenë të përgatitura nga 1 shtatori të fillojnë mësimin”, thotë Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Ai thotë se të gjitha diskutimet kanë qenë që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla dhe jo në formë online.
"Gjatë ditëve në vijim ne do të takohemi përsëri edhe me ministren (e Arsimit, Arbërie) Nagavci edhe me ministrin (e Shëndetësisë, Arben) Vitia. Nëse situata me pandemi është më e favorshme, atëherë ne shpresojmë që do të nisim me prani fizike”, shprehet ai.
Ibrahimi shprehet se janë pajtuar me vendimin për shtyrjen e nisjes së mësimit për shkak të ruajtjes së shëndetit dhe jetës së njerëzve. Po ashtu, ai tregon se është diskutuar që orët e humbura mësimore të kompensohen në vonë.
Në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, ku institucionet arsimore funksionojnë sipas sistemit serb, viti shkollor 2021/2022 ka nisur më 1 shtator.
Drejtori i shkollës fillore “Miladin Mitiq” nga Laplje Selo në Komunën e Graçanicës, thotë se bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, mësimi po mbahet online.
“Mësimet mbahen përmes internetit, përmes platformës Google Classroom, apo platforma tjere, kjo varet nga mësuesi”, thotë Lubisha Karaxhiq.
Për dallim nga Kosova, vendet e rajonit kanë nisur vitin e ri shkollor më 1 shtator. Në disa vende, përveç mësimit me prezencë fizike në shkolla, po mbahet edhe mësimi online.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.
Në Kosovë, rritja e numrit të rasteve me koronavirus nisi në mesin e muajit gusht, teksa varianti Delta – që është variant më ngjitës – është bërë variant dominues i koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë raporton se ky variant po prek edhe fëmijët dhe adoleshentët.
Më 19 shtator, nëntë fëmijë të grupmoshës 0-9 vjeç janë infektuar me koronavirus.
Facebook Forum