Qasja në ndërtesën e Agjencisë Shtetërore për Hetime (SIPA) të Bosnje e Hercegovinës në Banjallukë u bllokua më 7 mars, ndërsa punonjësit u larguan nga ambientet në orët e mëngjesit.
SIPA është agjencia shtetërore për hetime dhe mbrojtje, e cila funksionon si organizatë administrative e Ministrisë së Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës. Banjalluka është qendra administrative e Republikës Sërpska.
Byroja e Radios Evropa e Lirë (REL) në Sarajevë nuk ka marrë informacion zyrtar nga SIPA në lidhje me zhvillimet në ambientet e saj në Banjallukë, si dhe nuk ka marrë përgjigje për pretendimet jozyrtare se Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska (MPB RS) do të marrë nën kontroll ndërtesën të premten.
Informacionet për ndërprerjen e punës së SIPA-s në Banjallukë vijnë pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska për ndalimin e funksionimit të SIPA-s, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë entitet.
Zëdhënësja e MPB-së së RS-së, Mirna Milanoviq, tha për REL-in se "nuk ka informacion" lidhur me ndonjë urdhër të kësaj ministrie ndaj SIPA-s.
REL-i mëson jozyrtarisht se MPB-ja e RS-së ka kërkuar që punonjësit të largohen nga objekti dhe që puna të ndërpritet.
Sipas raportimit të gazetarit të REL-it nga terreni, në ndërtesën e SIPA-s në Banjallukë nuk shihet asnjë aktivitet, nuk ka njerëz që hyjnë apo dalin, ndërsa portat e ambienteve të Agjencisë janë të mbyllura.
Gjithashtu, parkingu është pothuajse bosh, përveç disa automjeteve të parkuara të SIPA-s.
Rojet e objektit janë të vetmit të pranishëm për momentin dhe ata nuk kanë dashur të japin ndonjë informacion.
Sipas burimeve të sigurta të REL-it, punonjësit e SIPA-s në Banjallukë janë njoftuar se orari i tyre i punës është shkurtuar.
"Thjesht na thanë të dalim jashtë. Na u tha se është vetëm për sot për arsye sigurie", tha një nga punonjësit e SIPA-s në Banjallukë, i cili dëshiroi të mbetet anonim.
Zyra e SIPA-s në Banjallukë nuk është selia qendrore e Agjencisë. Ndërtesa kryesore e SIPA-s ndodhet në Sarajevën Lindore dhe deri më tani nuk ka informacione për ndonjë ndryshim në funksionimin e saj.
Mbyllet Qendra Përkujtimore në Srebrenicë për shkaqe të sigurisë
Qendra Përkujtimore në Srebrenicë njoftoi më 7 mars se “në përputhje me situatën aktuale të sigurisë” do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të ri.
“Vendimi u mor për shkak të pamundësisë për të ofruar sigurinë e duhur për punonjësit, bashkëpunëtorët, mysafirët e vizitorët, në përputhje me rregulloret ligjore dhe rrethanat aktuale, si dhe për shkak të grusht shtetit që është në proces e sipër dhe që është i drejtuar kundër institucionet të shtetit nga grupet rebele me bazë në Banjallukë”, u tha në një postim në X.
Siguria për Qendrën Përkujtimore është ofruar nga Drejtoria për koordinim të organeve policore të Bosnjë e Hercegovinës që nga viti 2011.
Kjo Qendër tha se do të kërkojë garanci të sigurisë nga SIPA, Zyra e përfaqësuesit të Lartë dhe EUFOR-i në mënyrë që të rinisë punën.
Misioni i Qendrës është që të ruajë kujtimin e viktimave të gjenocidit, të edukojë lidhur me rëndësinë e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut.
Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë përafërsisht 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe në zonat përreth.
Një ditë më parë, MPB-ja e RS-së u bëri thirrje punonjësve të SIPA-s që të paraqisnin kërkesë për t'u transferuar në MPB-në e RS-së.
Aktualisht, nuk ka informacione zyrtare se sa punonjës të SIPA-s i janë përgjigjur thirrjes së MPB-së së RS-së.
MPB-ja e RS-it, përveç ligjit antikushtetues, i referohet edhe një Rregulloreje për procedurën e marrjes së punonjësve nga Republika Sërpska që janë të punësuar në SIPA, e miratuar nga Qeveria e RS-së.
Në thirrjen publike thuhet se "punonjësit e SIPA-s nga Republika Sërpska ftohen të paraqesin kërkesën për transferimin e tyre në stacionin më të afërt policor të MPB-së së RS-së".
"Ata do të pranohen menjëherë dhe do të bëhen pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska me vendosjen e marrëdhënies së punës", thuhet në thirrjen publike të MPB-së së RS-së.
Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës.