Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS).
Ndër këto ligje përfshihet edhe ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.
Më herët gjatë ditës, Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve, organ legjislativ i Republikës Sërpska (RS), nuk e aktivizoi mekanizmin e interesit jetik kombëtar, i cili do të mundësonte potencialisht parandalimin e hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon punën e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës në atë entitet.
Ligjet u miratuan nga Kuvendi i Popullit të RS më 27 shkurt, si organi kryesor legjislativ.
Këshilli i Popujve, në fakt, nuk është një dhomë e barabartë me Kuvendin Popullor të RS-së, por një institucion i veçantë i pushtetit legjislativ, që shqyrton ligjet vetëm nëse një ose më shumë klube të popujve kërkojnë shqyrtimin e shkeljes së interesit jetik kombëtar.
Pas vendimit të Klubit të Boshnjakëve, u krijuan kushtet që këto ligje jokushtetuese, të cilat ndalojnë punën e institucioneve gjyqësore të shtetit të Bosnjës në RS, të nënshkruhen nga presidenti i RS, Milorad Dodik.
Ai veçse kishte paralajmëruar se do ta bënte këtë dhe pasi nënshkroi dekretin për shpalljen e tyre, ligjet do të hyjnë në fuqi një ditë pas pas botimit në Gazetën Zyrtare të RS.
Pas hyrjes në fuqi, mbetet mundësia e kontestimit të këtyre ligjeve para Gjykatës Kushtetuese të Bonjës ose e anulimit të tyre nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Christian Schmidt, në përputhje me të ashtuquajturit “fuqitë e Bonit”.
Fuqitë e Bonit përfshijnë të drejtën e përfaqësuesit të lartë për të miratuar ose ndryshuar ligje dhe direktiva, për të shkarkuar zyrtarë, për të vendosur sanksione, për të kundërshtuar vendimet e institucioneve, për të ndryshuar të gjitha kushtetutat përveç asaj shtetërore, si dhe për të krijuar ose shfuqizuar institucione.
Çfarë parashikojnë ligjet jokushtetuese?
Me projektligjin për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jokushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, të miratuar më 27 shkurt, parashikohet ndalimi i punës dhe veprimeve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës në Republikën Sërpska.
Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e këtij shteti.
Kodi Penal i Bosnjë dhe Hercegovinës parashikon dënime deri në pesë vjet burg dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare për këdo që në mënyrë të paligjshme përpiqet të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnjës ose të rrëzojë institucionet e saj më të larta.
Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës, si dhe SIPA, janë themeluar bazuar në ligje të miratuara në Asamblenë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës dhe të konfirmuara në Dhomën e Popujve të shtetit.
Për t’u shfuqizuar, sipas Kushtetutës së Bonjsë, për këtë duhet të shprehet edhe Parlamenti i shtetit.
Deputetët e Kuvendit të RS-së kanë miratuar gjithashtu ndryshime në Kodin Penal të entitetit, me të cilat parashikohet ndjekja penale e të punësuarve në institucionet e Bosnjës që jetojnë në RS, nëse nuk zbatojnë vendimet e autoriteteve të entitetit.
Dodik i nënshkroi këto ligje pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës më 26 shkurt, e cila e dënoi atë në shkallën e parë me një vit burg dhe ndalim nga ushtrimi i funksionit për gjashtë vjet. Më herët, ai ishte shpallur fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Llukiq, u shpall i pafajshëm.
Liderët e RS-së përpara shpalljes së dënimit, kishin kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës nëse Dodik do të dënohej.