Ndërlidhjet

“Mburoja e Demokracisë” e BE-së që synon ta luftojë dezinformimin rus


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Evropian po përgatitet ta paraqesë planin e tij më të fundit për ta mbrojtur bllokun dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE nga ndërhyrjet e huaja dhe manipulimi politik.

“Mburoja e demokracisë”, siç po quhet, është një grup propozimesh që do të zbatohen gjatë viteve në vijim. Një draft i avancuar i dokumentit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thekson se Rusia është kërcënimi kryesor dhe i drejtpërdrejtë si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për vendet që synojnë t’i bashkohen atij.

Komisioni Evropian do ta paraqesë planin më 12 nëntor.

“Përveç luftës së saj brutale dhe agresore kundër Ukrainës, Rusia po i intensifikon gjithashtu sulmet hibride, duke zhvilluar një betejë ndikimi kundër Evropës. Taktikat e përdorura depërtojnë thellë në strukturën e shoqërive tona, me pasoja potencialisht afatgjatë”, thuhet në draft.

“Duke përhapur narrative mashtruese, ndonjëherë përfshirë manipulimin dhe falsifikimin e fakteve historike, ata përpiqen ta minojnë besimin në sistemet demokratike”.

Në tekstin 30-faqësh nuk përmendet asnjë vend tjetër, edhe pse blloku ka shprehur më parë shqetësime për përpjekjet e Kinës për të ushtruar ndikim politik në mbarë kontinentin.

Epoka e dezinformimit

Çështja e luftimit të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja është e diskutueshme si në Bruksel ashtu edhe përtej tij.

BE-ja ende nuk është rimëkëmbur nga kritikat e ashpra të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih në shkurt, ku ai argumentoi se rreziku për BE-në nuk vinte nga Kina apo Rusia, por nga brenda, përmes censurës dhe shtypjes së mendimeve kundërshtuese.

Kritika erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë në dhjetor të vitit 2024 për ta anuluar rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, vetëm disa ditë para zhvillimit të rundit të dytë.

Gjykata vendosi se Kremlini kishte zhvilluar një fushatë online për të promovuar kandidatin nacionalist Calin Georgescu, i cili doli i pari. Shumë kritikë akuzuan gjykatën për ndërhyrje politike në zgjedhje dhe për cenim të lirisë së fjalës.

Për këtë arsye, Komisioni Evropian po lëviz me kujdes.

Një pjesë e këtij kujdesi vjen nga fakti se shumë prej këtyre çështjeve janë kompetencë e shteteve anëtare, por edhe sepse Brukseli është i kujdesshëm për të mos acaruar më tej marrëdhëniet me platformat e mëdha online, veçanërisht ato amerikane si Google, Microsoft dhe Meta, në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike janë bërë të paparashikueshme për shkak të luftërave tregtare dhe frikës se SHBA-ja mund të tërheqë më shumë trupa amerikane nga kontinenti.

Megjithatë, drafti sugjeron se BE-ja duhet të bashkëpunojë me këta gjigantë teknologjikë. Shumica e tyre, me përjashtim të dukshëm të X-it të Elon Muskut, janë nënshkruese të Kodit të Sjelljes së BE-së për Dezinformimin, që nënkupton se kompani si Facebook dhe TikTok paraqesin rregullisht raporte para Komisionit Evropian mbi mënyrën se si po e trajtojnë këtë çështje.

Kritika për Inteligjencën Artificiale

Dokumenti sugjeron që Komisioni Evropian duhet t’i nxisë këto kompani të bëjnë më shumë për të “hequr monitizimin e dezinformimit” dhe për të përmirësuar zbulimin dhe etiketimin e përmbajtjeve të krijuara ose manipuluara nga Inteligjenca Artificiale.

“Mburoja e Demokracisë” bazohet në tri shtylla: përmirësimi i ndërgjegjësimit situatës, mbështetja e institucioneve demokratike dhe medias së lirë, si dhe rritja e angazhimit të qytetarëve.

Propozimi kryesor është krijimi i një Qendre Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike. Kjo do të shërbejë si një qendër që “do të lidhë rrjetet dhe strukturat ekzistuese që punojnë për parandalimin, zbulimin, analizimin dhe reagimin ndaj modeleve të kërcënimeve në hapësirën e informacionit, si dhe për të zhvilluar qasje, praktika dhe metodologji të përbashkëta dhe për të shkëmbyer të dhëna e analiza përkatëse”.

BE-ja e ka provuar këtë edhe më parë, në vitin 2019, por Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë nuk pati sukses. Kjo përpjekje e dytë do të përfshijë institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe madje edhe vendet kandidate si Moldavia dhe Ukraina, si dhe ato të Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian, megjithatë, dëshiron të sqarojë se kjo nuk është një “Ministri e së Vërtetës”. Planet do të zbatohen gradualisht, pjesëmarrja do të jetë vullnetare dhe qendra do të veprojë “duke respektuar kompetencat e BE-së dhe ato kombëtare”.

Vëzhgimi nga afër i zgjedhjeve

Ide të tjera përfshijnë prezantimin vitin e ardhshëm të një “portofoli digjital të BE-së për identitetin” për qytetarët dhe banorët e BE-së, krijimin e një rrjeti evropian për verifikimin e fakteve, që do të punojnë në një bazë të dhënash për verifikimin e fakteve, si dhe “një rrjet vullnetar ndikuesish për të rritur ndërgjegjësimin mbi rregullat përkatëse të BE-së dhe për të promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira”.

Duke kujtuar zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Moldavi, në të cilat Rusia ishte përfshirë fuqishëm për të ndikuar në rezultat, drafti gjithashtu sugjeron që misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së jashtë bllokut duhet të forcohen “për të ndihmuar autoritetet kombëtare gjatë gjithë ciklit zgjedhor”, diçka që Brukseli pritet ta bëjë përsëri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm në Armeni.

Në të njëjtën mënyrë, propozohet edhe zgjerimi i mandatit të Observatorit Evropian të Mediave Digjitale, i cili ofron kërkime dhe analiza mbi fushatat e dezinformimit. Ai tani do të marrë më shumë fonde për të kryer më shumë punë rreth zgjedhjeve, jo vetëm në shtetet anëtare të BE-së, por edhe në vendet partnere.

Në dokument përmendet gjithashtu mbështetja financiare për median dhe gazetarinë e pavarur në fqinjësinë e BE-së, përfshirë Bjellorusinë dhe Rusinë.

Nuk përmenden shuma konkrete. Megjithatë, shumë prej programeve të propozuara në kuadër të “Mburojës së Demokracisë” janë aktualisht të përfshira në propozimin e Komisionit Evropian për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, në vlerë 2 trilionë euro, që do të nisë në vitin 2028.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG