Ndërlidhjet

Me mbishkrime në luftë për barazi 


"Morali i shpisë nuk matet me trupin e çikave" është mbishkrimi i vendosur në një ndërtesë në Vushtrri nga grupi Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
"Morali i shpisë nuk matet me trupin e çikave" është mbishkrimi i vendosur në një ndërtesë në Vushtrri nga grupi Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

“Morali i shpisë nuk matet me trupin e çikave”, është vetëm një nga shumë mbishkrimet që janë shkruar së fundmi në disa prej mureve të objekteve të qytetit të Vushtrrisë.

Kjo dhe shumë mbishkrime të tjera, që kanë për qëllim avancimin e barazisë gjinore, janë duke u shkruar nëpër hapësira publike në qytete të ndryshme të Kosovës nga një grup joformal i aktivistëve feministë.

“Ai që të rreh e ka venin n’burg jo n’shpi” është një grafit tjetër që ka për qëllim vetëdijesimin e grave dhe vajzave kundër shtypjes dhe dhunës sistematike që ushtrohet ndaj tyre.

"Dhunuesit e grave në burg", është mesazhi i shkruar në një mur në Vushtrri.
"Dhunuesit e grave në burg", është mesazhi i shkruar në një mur në Vushtrri.

Diana Morina që është pjesë e grupit joformal Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë nga komunat përkatëse vendosin vetë për përmbajtjen e mbishkrimeve, të cilat përmbajnë përjetimet e tyre personale.

“Janë përjetime të grave në shpi, në shkolla, në rrugë, në kafene, në institucione dhe ndoshta për publikun e japin idenë që gratë veçse janë të revoltuara dhe të vendosura që ta ndryshojnë rrënjësisht sistemin”, thotë Morina.

Ajo thotë se shumë gra dhe vajza, përpos dhunës fizike përballen me dhunë të formave të tjera, përfshirë dhunën ekonomike dhe psikologjike.

“Secili prej atyre mbishkrimeve feministe e denoncon një sistem patriarkal, që përmes dominimit burrëror, por edhe mirëmbajtjes së strukturave shtypëse në përgjithësi, i dhunon gratë në çdo hapësirë që ato janë, qoftë ajo hapësirë private apo publike”, thotë Morina.

Morina thotë se mbishkrimet janë duke marrë mbështetje në publik, ndërkohë që shpreson se përmes tyre do të arrihet sadopak barazia gjinore.

Disa prej mbishkrimeve janë shkruar edhe nëpër hapësirat e shkollave ku është raportuar për ngacmime seksuale ndaj vajzave.

“Këtu ngacmuesit seksualë japin mësim”, shkruan në një mbishkrim të vendosur në një objekt shkollor në Komunën e Gjilanit.

Grafit në murin e një shkolle.
Grafit në murin e një shkolle.

Mbishkrime të tilla përveç Vushtrrisë dhe Gjilanit janë shkruar edhe në Deçan, Lipjan e Mitrovicë.

Pandemia u zbut, por dhuna u forcua

Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 në mbarë botën, të dhënat kanë treguar se ka pasur rritje të të gjitha llojeve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht janë intensifikuar rastet e dhunës në familje.

Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, i njohur gjithashtu si UN Women, bën të ditur se “globalisht edhe para se të fillonte pandemia COVID-19, një në tri gra përjetuan dhunë fizike ose seksuale kryesisht nga një partner intim”.

Rastet e dhunës në familje në rastin e Kosovës filluan të shpeshtohen në pjesën e dytë të vitit 2020. Gjatë vitit 2020, sipas Policisë së Kosovës, janë raportuar gjithsej 2.069 raste të dhunës në familje, shumica prej tyre nga grave dhe vajzave.

Por, shifra më të larta janë shënuar pjesën e parë të këtij vitit. Që nga muaji janar e deri në fund të muajit qershor të këtij viti janë regjistruar gjithsej 1.132 raste të dhunës në familje. Në të njëjtën periudhë të vitit 2020, ishin regjistruar 1.010 raste.

Sipas të dhënave, në periudhën janar-qershor 2021 janë regjistruar 1.132 raste të dhunës në familje.
Sipas të dhënave, në periudhën janar-qershor 2021 janë regjistruar 1.132 raste të dhunës në familje.

Në Policinë e Kosovës thonë se janë duke punuar me të gjitha kapacitetet për t’i trajtuar me kujdes rastet e dhunës në familje.

“Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë.

Por, aktivistja Diana Morina thotë se shifrat për rastet e dhunës në familje, që ofron nga institucionet, nuk përfshijnë të gjitha rastet dhe format e dhunës.

Ajo beson se ka shumë më shumë raste, sidomos të grave dhe vajzave që nuk kanë mundësi të luftojnë e as raportojnë dhunën apo shtypjen që ushtrohet ndaj tyre.

Morina thotë se sjellja patriarkale është prezente në institucionet e Kosovës.

“Patriarkalizmi është i institucionalizuar, do të thotë kjo mendësi që e sheh gruan si pronë të burrit dhe dominimin burrëror mbi gratë si normë, fatkeqësisht është e rrënjosur edhe në institucione”, thotë Morina.

Sipas saj, fakti që patriarkalizmi dominon institucionet, bën që dhuna ndaj grave dhe vajzave të tolerohet dhe të shndërrohet në normalitet.

Dhuna dhe abuzimi, me hov të pandalshëm

Një studim i gjerë i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nxjerr në pah faktin se një në katër gra dhe vajza në të gjithë botën janë sulmuar fizikisht ose seksualisht nga një burrë ose partner mashkull.

Raporti zbuloi se dhuna në familje filloi herët, me një të katërtën e vajzave të moshës 15 dhe 19-vjeçare si dhe grave në moshë të re, që vlerësohet të jenë abuzuar të paktën një herë në jetën e tyre. Shumë më të larta shifrat janë te mosha 30 deri 39 vjeç.

Kur përfshihen edhe shifrat për dhunën e ushtruar jo nga partnerët, OBSH-ja vlerëson se rreth një e treta e grave të moshës 15 vjeç e më lartë, pra diku midis 736 milionë deri 852 milionë, do të përjetojnë një formë të dhunës seksuale ose fizike gjatë jetës së tyre.

Raporti i OBSH -së u përqendrua në dhunën fizike dhe seksuale, por vuri në pash se shifrat aktuale do të ishin shumë më të larta nëse do të përfshiheshin lloje të tjera abuzimi, të tilla si dhuna në internet dhe ngacmimi seksual.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG