Ndërlidhjet

Qendrat spitalore në Maqedoninë e V., të mbingarkuara


Shkup, fotografi nga arkivi.
Shkup, fotografi nga arkivi.

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut po ankohen se edhe pas kthimit në normalitet të Qendrës Klinike në Shkup, ata nuk po mund të marrin shërbimet nga kjo klinikë, për shkak të ngarkesës.

Tashmë të gjitha spitalet në Maqedoninë e Veriut janë duke punuar me kapacitet të plotë, pasi një pjesë e madhe e tyre ishin shndërruar në klinika ku trajtoheshin pacientët e prekur nga sëmundja COVID-19.

Angellina Naskovska, pensioniste, e cila në Qendrën Klinike erdhi për të bërë analiza për sëmundje të zemrës, thotë se pavarësisht se mjekët janë të sjellshëm, diçka nuk po funksionon me sistemin e caktimit të termineve, pasi mezi arriti që të caktojë termin te mjeku specialist.

“Kam pritur disa orë për vizitë. Megjithatë, mjeku u tregua shumë i kujdesshëm për të gjitha shqetësimet që i tregova. Patjetër që duhej të vija te specialisti për të parë sa ka avancuar sëmundja ime pas operacionit që kisha. Pra, më duhet të di nëse është e nevojshme që ta ndryshoj terapinë. Një vit ishin të mbyllur në shtëpi për shkak të koronavirusit”, thotë ajo.

Mjekët amë pranojnë se qytetarët hasin në vështirësi të caktojnë termine për kontrolle te mjekët specialistë.

“Kjo problematikë është vazhdimësi e gjendjes së jashtëzakonshme gjatë pandemisë. Spitalet publike tani nxjerrin termine, por për shkak se ka një fluks të madh të pacientëve që po presin për një kohë të gjatë që të vizitohen te mjekët specialistë, kjo po pamundëson që terminet për vizitë të caktohen menjëherë. Unë mendoj se ky problem do të tejkalohet, por duhet kohë derisa të stabilizohet gjendja në sistemin shëndetësor”, thotë Liridon Disha, mjek amë në Tetovë.

Ndërkaq, autoritetet shëndetësore thonë se e kuptojnë reagimin e pacientëve, por kërkojnë mirëkuptimin e tyre, pasi spitalet veç se kanë filluar të punojnë me kapacitete të plotë, pas një kohe të gjatë të reduktimit të termineve për kontrolle dhe ndërhyrje kirurgjike.

Ish-ministri i Shëndetësisë Gjorgji Orvçanec, thotë për Radion Evropa e Lirë se drejtuesit e spitaleve duhet të kenë vizion të qartë për institucionin që drejtojnë dhe të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

“Për të plotësuar nevojat e qytetarëve, neve si shtet na duhet të paktën tre apo katër spitale më të mëdha rajonale, që do të ofronin mbrojtjen shëndetësore sekondare. Kjo gjë te ne mundon, prandaj të gjitha rastet orientohen te Qendra Klinike e Shkupit dhe kjo kontribuon në kaos. Gjithashtu nevojitet një qendër klinike”, thotë ai.

Ndërkaq, mjekët kanë theksuar se nevojitet një strategji e qartë kombëtare sa i përket sistemit shëndetësor, mbi bazën e të cilit do të zhvilloheshin politikat shëndetësore për të paktën 15 vjetët e ardhshme dhe jo të bëhen zgjidhje të atypëratyshme dhe nën presionin e politikës ditore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG