Ndërlidhjet

Mbi 22 milionë fëmijë në Pakistan nuk janë në shkollë


Pakistan, foto nga arkivi.
Pakistan, foto nga arkivi.

Pasiguria politike, dhuna e kryengritësve, varfëria dhe shtypja shtetërore në Pakistan i kanë dhënë atij njërin nga sistemet më të mangëta arsimore, thuhet në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch.

Raporti i titulluar “A duhet ta ushqej vajzën time apo ta shkolloj?” nxjerr në pah se shkollimi në Pakistan, sidomos për vajzat, nuk është përmirësuar qëkur një samit ndërkombëtar në Oslo, në vitin 2015, e listoi Pakistanin "midis vendeve më të këqija në botë për arsim".

Raporti, i publikuar të martën, thotë se mbi 22 milionë fëmijë në Pakistan nuk janë në shkollë.

Raporti fajëson "paqëndrueshmërinë politike, ndikimin joproporcional në qeverisje nga forcat e sigurisë, shtypjen e shoqërisë civile dhe mediave, kryengritjen e dhunshme dhe përshkallëzimin e tensioneve etnike dhe fetare", të cilat thuhet se kanë përçarë shoqërinë pakistaneze dhe po pengojnë shtetin që të ofrojë shërbime thelbësore, siç është arsimi.

Raporti thekson se si mungesa e shkollimit të vajzave në Pakistan ndihmon në thellimin e pabarazisë gjinore në këtë vend, e cila është përkeqësuar nga shkalla e lartë e dhunës kundër grave.

Edhe pse shkalla e ndjekjes së mësimit në Pakistan është e ulët në të gjithë vendin, disa zona janë shumë më keq se të tjerat.

Baluçistani, provinca më e madhe në vend, ka raportuar se 81% e vajzave dhe 52% e djemve nuk e kanë përfunduar shkollën fillore në vitet 2014-15. Rreth 75% e vajzave dhe 40% e djemve në këtë rajon jugperëndimor nuk e kanë ndjekur kurrë shkollën, thuhet në raportin e organizatës Human Rights Watch.

Paaftësia e qeverisë për të ofruar shkollim për fëmijët ka çuar në rritje të madhe të numrit të shkollave private në Pakistan. Derisa këto shkolla e kanë rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në arsimim, shumë familje të prekura nga varfëria nuk janë në gjendje t'i përballojnë ato, thuhet në raport.

Qeveria ka njoftuar se në vitin 2016, rreth 60 milionë pakistanezë jetonin në varfëri - gati 30 përqind e popullsisë së Pakistanit.

Raporti thotë se edhe pse shkollat shtesë private dhe fetare në vend mund të ofrojnë një zgjidhje të vogël për problemet arsimore të Pakistanit, "asgjë nuk mund ta çlirojë shtetin nga detyrimi, sipas ligjit ndërkombëtar dhe vendas, për të siguruar që të gjithë fëmijët ndjekin një shkollim të mirë”.

Një tjetër problem në Pakistan është edhe mungesa e sigurisë. Sipas raportit, shumë familje përmendin dhunën dhe krime të tjera, përfshirë ngacmimet seksuale dhe rrëmbimet, si arsye për mosdërgimin e vajzave në shkollë.

Në periudhën 2013-2017, qindra shkolla janë sulmuar në Pakistan, kryesisht me pajisje shpërthyese. Sulmi më i keq ishte një masakër në dhjetor të vitit 2014 në Shkollën Publike Ushtarake në Peshauar, ku kanë mbetur të vrarë 145 vetë, shumica prej të cilëve fëmijë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG