Ndërlidhjet

Mbi 30 të vdekur nga një sulm rus me raketa në Sumi të Ukrainës


Pasojat e sulmit rus me raketa në Sumi të Ukrainës, 13 prill.
Pasojat e sulmit rus me raketa në Sumi të Ukrainës, 13 prill.

Së paku 34 njerëz janë vrarë të dielën nga një sulm rus me raketa në qytetin Sumi të Ukrainës, njoftuan zyrtarët.

Në mesin e të vrarëve janë dy fëmijë. Të paktën 117 njerëz të tjerë janë plagosur, përfshirë 15 fëmijë.

Ushtria ruse i hodhi dy raketa balistike në qendër të qytetit rreth orës 10:15 të mëngjesit, në kohën kur njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave, sipas zyrtarëve.

Video të postuara nga vendngjarja në kanale zyrtare shfaqin trupa të shtrirë në tokë mes rrënojave dhe tymit në qendër të Sumit.

“Në këtë të Diel të ndritshme të Palmave, komuniteti ynë ka pësuar një tragjedi të tmerrshme”, tha kryetari në detyrë i qytetit, Artem Kobzar, në rrjetet sociale.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes dhe tha se “dhjetëra” njerëz humbën jetën nga sulmi me dy raketa.

“Sipas të dhënave paraprake, dhjetëra civilë janë vrarë dhe plagosur. Vetëm ndyrësira të tilla mund të veprojnë kështu - duke ua marrë jetën njerëzve të zakonshëm”, tha ai.

Zelensky gjithashtu bëri thirrje për një përgjigje globale ndaj sulmit.

“Raketat balistike dhe bombat ajrore nuk janë ndalur kurrë përmes fjalëve. Ajo që nevojitet është një qëndrim ndaj Rusisë si ndaj një terroristi”, tha ai.

Sulmi ndodhi më pak se një ditë pasi diplomatët e lartë të Rusisë dhe Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshjeje të përkohshme të ndërmjetësuar nga SHBA për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar vështirësitë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës trivjeçare.

Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve folën në ngjarje të ndara gjatë Forumit Diplomatik vjetor në Antalia, një ditë pasi i dërguari amerikan, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi mundësitë për paqe.

“Ukrainasit na kanë sulmuar që nga fillimi, çdo ditë që kalon, me ndoshta dy ose tri përjashtime”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, duke shtuar se Moska do t’i paraqesë SHBA-së, Turqisë dhe organizatave ndërkombëtare një listë të sulmeve të Kievit gjatë tri javëve të fundit.

Homologu i tij ukrainas, Andrii Sybiha, e kundërshtoi ashpër atë pretendim, duke thënë të shtunën se Rusia shkrepi “gati 70 raketa, mbi 2.200 dronë dhe mbi 6.000 bomba ajrore në Ukrainë, kryesisht ndaj civilëve”, që nga marrëveshja për ndaljen e sulmeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG