Ndërlidhjet

Mbi 20.000 ushtarë nga rajonet Volga të Rusisë janë vrarë në luftën në Ukrainë


Flamujt valëvisin mbi varret e ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë në një varrezë në rajonin e Volgogradit të Rusisë.
Flamujt valëvisin mbi varret e ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë në një varrezë në rajonin e Volgogradit të Rusisë.

Më shumë se 20.000 ushtarë nga Povolzhei e Rusisë – territore që përbjënë disa rajone përreth Lumit Volga – janë vrarë në Ukrainë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj në vitin 2022, sipas përllogaritjeve të ueb-faqes së Radios Evropa e Lirë, Idel.Realities.

Të dhënat nga Idel.Realities tregojnë se Bashkortostani ka numrin më të lartë të të vrarëve, rreth mbi 3.000 ushtarë, i ndjekur nga Tatarstani me 2.724 ushtarë dhe Perm Krai me 2.296 ushtarë.

Humbjet më të vogla nga 14 rajonet e Povolzheit u raportuan në Penza (461) dhe Morodovia (307).

Të dhënat janë llogaritur duke përdorur raporte nga të afërmit e të vrarëve dhe deklaratat zyrtare.

Autoritetet në këto rajone e kanë mbështetur vazhdimisht luftën, duke dhënë ndihmë financiare për t’i nxitur banorët t’i bashkohen ushtrisë.

Përveç ushtarëve të thirrur përmes mobilizimeve, shumë nga rajoni që iu bashkuan luftës ishin të burgosur dhe mercenarë ushtarakë privatë, si dhe "kontraktniki" – burra që nënshkruajnë vullnetarisht kontrata për të luftuar, të joshur nga pagat jashtëzakonisht të larta dhe përfitimet për veteranët, duke përfshirë ato për vejushat dhe të mbijetuarit.

Qeveria ruse hesht rreth humbjeve të saj në luftë prej se e nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022. Shifra e saj e fundit zyrtare erdhi në shtator të atij viti, kur njoftoi se ishin vrarë 5.937 ushtarë rusë. Në atë kohë, pala ukrainase po raportonte humbjet ruse gati dhjetë herë më të larta se kjo shifër.

Kjo e ka bërë të vështirë për gazetarët, analistët dhe vëzhguesit e jashtëm ta vlerësojnë plotësisht ndikimin e luftës në popullata të caktuara.

Ky numër, së bashku me të dhënat e publikuara nga REL-i javën e kaluar, është treguesi më i fundit se si barra e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës po bie në mënyrë disproporcionale mbi rajonet më të largëta të Rusisë, larg qendrave të popullsisë së pasur si, Moska dhe Shën Petersburg.

Mediazona dhe Shërbimi rus i BBC-së kanë konfirmuar emrat e 71.057 ushtarëve rusë të vrarë deri në muajin e kaluar, me Bashkortostanin dhe Tatarstanin që renditen në vend të parë dhe të katërt, përkatësisht, për nga humbjet në shkallë kombëtare.

Në përgjithësi, humbjet ruse në luftën në Ukrainë tani i tejkalojnë ato të të gjitha konflikteve pas Luftës së Dytë Botërore, që kanë përfshirë Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë që nga rënia e Perdes së Hekurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG