Europol-i dhe Interpol-i së bashku me Policinë maqedonase, janë në kërkim të mashtruesve me lajme të rreme për tregtimin e kriptovalutave, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Disa gjurmë të faqeve mashtruese çojnë në adresa në Britani, në Shtetet e Bashkuara e Singapor dhe kërkojnë futjen e të dhënave personale për tregtimin e kriptovalutave. Politikanët dhe gazetarët që janë abuzuar në mashtrim kanë bërë tashmë denoncime.
Dy klikime të gabuara në internet dhe menjëherë do të merrni një thirrje në celularin juan nga një numër i dyshimtë me prefiks të huaj.
Të përgjigjeni apo jo?
Këtë pyetje e ka bërë 48-vjeçari Petar nga Shkupi, i cili ka klikuar në një link me një lajm të rremë, në të cilin është keqpërdorur emri dhe fotografia e një gazetareje maqedonase, ku thuhet rrejshëm se ajo ka vdekur në rrethana të dyshimta, pasi ka njoftuar se si u pasurua shpejt përmes kriptovalutave.
Fushata me mashtrime të tilla ka të paktën dy javë që është aktive në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram. Janë publikuar linqe e lajme të rreme për personazhe publike maqedonase, të cilat imitojnë media të njohura për audiencën. Janë keqpërdorur emrat e ish-kryeministrit Zoran Zaev, kryeministrit aktual, Hristijan Mickoski, si dhe shumë emra gazetarësh.
Në tekstet që ka analizuar Radio Evropa e Lirë pretendohet se duke klikuar thjesht në link, qytetarët mund të fillojnë të pasurohen. Ueb-faqe të tilla krijohen çdo ditë me personazhe të rinj, por me të njëjtin rrëfim, i cili mund të ju çojë në llogari boshe.
Lajmet e rreme çojnë në tri platforma në dukje të ndryshme
Tri platforma të supozuara të tregtimit të kriptomonedhave të quajtura "nearstedge", Bitapp24 dhe Immediate codex po ofrohen përmes disa faqeve të rreme. Pasi të klikoni në një nga këto platforma të supozuara të tregtimit të kriptomonedhave, do të shihni se të gjitha kanë të njëjtën faqe të parë, vetëm emri i ueb-faqes është i ndryshëm. Gjurmët fillestare në internet tregojnë se kjo fushatë filloi në dhjetor të vitit të kaluar me platformën e pretenduar Bittap, e cila tani tregon se është në punë.
Linku që klikoi Petar e çoi atë në një platformë të supozuar të quajtur "nearstedge".
Platforma, sipas të dhënave të disponueshme publikisht, është themeluar në shkurt të këtij viti, me status joaktiv. Kjo platformë ofrohet edhe në intervistën false të publikuar së fundmi me ish-drejtorin e Zonës së Zhvillimit Industrial Teknologjik dhe tashmë drejtor i një kompani private Kostal, Viktor Mizo.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Mizo thotë se ai dhe kolegët e tij e kanë raportuar rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai nuk ka profil në Facebook dhe Instagram, ndaj lajmin e ka mësuar përmes mesazheve të miqve. Ata, gjithashtu, i shkruanin për ta pyetur nëse është e vërtetë intervista e sajuar në të cilën ai flet se si u pasurua me kriptovaluta.
“Ky është abuzim i të dhënave personale dhe privatësisë, mashtrim... Mendoj se diku kishte një njoftim se kisha vdekur, kështu që u ringjalla dhe po flisja me njerëzit. Nuk e di se cili është qëllimi i këtyre abuzimeve dhe mashtrimeve dhe çfarë mendojnë njerëzit - se këtu jemi David Beckham, Messi apo Warren Buffett, kështu që ne kemi thënë diçka në Maqedoni dhe njerëzit do ta besojnë. Është, gjithashtu, e çuditshme sesi zgjidhen nga njerëz që dikush do t'u besonte diçka që ata thoshin”, thotë Viktor Mizo.
Sipas hulumtimit të REL-it, pasi hapet faqja e internetit me platformën e pretenduar tregtare, aktivizohet një login në të, duke kërkuar futjen e të dhënave personale si emri, mbiemri, e-maili dhe numri i telefonit dhe marrja e informacionit se porosia është bërë.
Menjëherë pas kësaj fillon kërkimi i të dhënave nga kartela bankare, domethënë përdoruesit i kërkohet të blejë kriptomonedhë, me shkronja me font më të vogël që ju njoftojnë se e pranoni vetë rrezikun e tregtimit, që do të thotë se edhe nëse humbasin paratë, nuk ka kujt t’i ankoheni.
Policia maqedonase tashmë ka nisur hetimet për këto mashtrime pasi ka marrë disa raportime.
“Duke qenë se autorët janë nga jashtë, jemi duke u koordinuar me Europol-in dhe Interpol-in dhe për rastet është njoftuar edhe Prokuroria”, thuhet në përgjigjen e MPB -së për Radion Evropa e Lirë.
Sektori për hetimin e krimit kibernetik i Ministrisë së Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe dokumente bashkëngjitur mesazheve që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar të njohur për ta.
Me lajme të rreme, ata ju joshin në kërkimin e pasurisë
Një hotel në 101 Buckingham Palace Street në Londër është adresa me cilën përfundon faqja e një prej mashtrimeve më të fundit me keqpërdorimin e emrit dhe fotove të ish-kryeministrit Zoran Zaev, ku ai dyshohet se "pëshpërit" në një intervistë të rreme se si ka arritur të pasurohet me vetëm 250 euro të investuara në tregti me kriptovaluta, por ajo pjesë e intervistës thuhet se është fshirë.
Në atë adresë të Londrës, nën emrin Olga Maslova, më 3 korrik të këtij viti është regjistruar faqja e fundit folivada.com, e cila ripublikoi një intervistë të rreme me ish-kryeministrin Zoran Zaev, në të cilën pretendohet se jeta e tij është në rrezik për shkak se ka treguar sekretin se si është pasuruar me kriptovaluta. E njëjta faqe interneti është shpërndarë edhe në Instagram dhe Facebook si postim i sponsorizuar.
Faqja e lajmeve në gjuhën angleze duket si ballina kryesore e medias britanike BBC.
Por, në adresën e internetit shihet se është një faqe e krijuar false, e cila përveç këtij lajmi ka vetëm lidhje me një platformë të supozuar të tregtimit të kriptomonedhave dhe asgjë më shumë. Ky link ka qenë aktiv ditët e fundit me ndryshime të vazhdueshme të datave, duke treguar çdo ditë se intervista e rreme me Zaev është publikuar sot.
Disa nga faqet e internetit zbehen dhe rihapen së shpejti
Linku i përmendur, të cilën rrjeti social Facebook e ka shënuar si informacion të rremë, ka ardhur nga adresa e internetit news-24cna.com e regjistruar më 3 korrik të këtij viti në të njëjtën adresë në Londër.
Por, kjo lidhje nuk është më funksionale. Nuk ka detaje të regjistrimit për këtë domen, por fillimisht në këtë faqe lidhja çonte në platformën e quajtur BitApp 24, adresa e regjistrimit të së cilës është shënuar Shkupi, rruga Dame Gruev 14.
Mirëpo, në këtë adresë në Shkup ndodhet selia e Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore. Një kompani e tillë nuk ekziston në atë adresë.
Po ashtu, shihet se nëse ndryshon vendndodhja e IP adresës, kjo faqe interneti jep një ndërfaqe krejtësisht të ndryshme, me bazë në Singapor dhe ofron një kontekst krejtësisht të ndryshëm në rusisht.
Pas regjistrimit të këtij domeni, rruga të çon në një platformë tjetër të quajtur trade-pro.tech, e cila sipas informacioneve të disponueshme publikisht është regjistruar në Londër në shkurt të këtij viti.
Si pronar i kësaj kompanie, në të dhënat e disponueshme britanike, figuron një shtetas bullgar 60-vjeçar, i cili ka themeluar kompaninë vetëm me një depozitë prej 100 funtesh britanike.
Adresa e regjistrimit për faqen e internetit që ofron intervistën e rreme me Mizon, minishouts.com, të çon në Çikago, Illinois. Sidoqoftë, kjo faqe interneti u regjistrua në vitin 2021, pa të dhëna të tjera të disponueshme. Regjistri thotë vetëm se të dhënat janë redaktuar për mbrojtjen e privatësisë.
Një tipar i zakonshëm i disa faqeve të internetit që përhapin lajme të tilla të rreme është se emailet e tyre të kontaktit janë të hapura për Proton Mail - një ofrues që punon fizikisht në Zvicër dhe e reklamon veten si jashtëzakonisht të mbrojtur dhe garanton privatësinë e përdoruesve të sistemit të tyre.
Si duket “pasurimi i shpejtë”?
Petar, i cili tani ankohet se po ngacmohet vazhdimisht në telefon, fillimisht klikoi në një link që çon në një platformë të supozuar të tregtimit të kriptomonedhave. Më pas, siç pretendon ai, përmes Google-it dhënat e tij hynë në sistem vetëm me një klikim më shumë. Tani Peter vazhdon të marrë thirrje për të investuar në mashtrimin e kriptove.
“Nuk e di se çfarë duan nga unë, nuk kam në plan të bëj transaksione. Më morën nga numri maqedonas, por për shkak të theksit që tingëllonte si britanik, nuk doja të vazhdoja bisedën, kisha frikë se ishte një mashtrim që do të më ngarkonte më shumë në faturën e telefonit. Por menjëherë pas kësaj filluan të më bien numra spam nga jashtë edhe në Viber, vazhdimisht po më shqetësojnë”, tha Petar për Radion Evropa e Lirë.
Telefonatat që Petar i merr tash e një javë vijnë nga disa numra telefoni, disa prej tyre kanë prefikse nga Britania dhe Austria, por dy janë edhe nga operatorët maqedonas. Përpjekjet e REL-it për të biseduar me përdoruesit e numrave të telefonit maqedonas ishin të pasuksesshme.
Çfarë mund të humbni nëse futni të dhëna personale?
Inxhinieri i sigurisë së informacionit, Bozhidar Spirovski, shpjegon se të dhënat personale në internet mund të jenë deri diku të sigurta vetëm nëse futen në shërbime komerciale nga të cilat blihen produktet komerciale dhe ato kompani janë të detyruara t'i ruajnë të dhënat e sigurta.
Por, në të gjitha vendet e tjera në internet ku dikush do të fusë të dhënat e kontaktit të tij, duhet ditur se ekziston rreziku i lartë që të keqpërdoren dhe të përfundojnë në “anën e zezë të internetit”.
Objektivi i fushatës mashtruese janë personat nga 27 deri në 64 vjeç
Sipas të dhënave në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, fushata mashtruese synon përdoruesit e moshës 27 deri në 64 vjeç që ndodhen në Maqedoninë e Veriut.
Fushata mashtruese e ofruar është në dy gjuhë, maqedonisht dhe anglisht. Dëshmi të mëtejshme se këto platforma nuk janë legjitime tregohen nga fakti se një kompani legjitime e tregtimit të kriptomonedhave nuk do të reklamonte në faqet e internetit të rreme që hapen ndryshe nga vende të ndryshme, domethënë, baza e markës është e rreme.
Përveç kësaj, kjo fushatë shpërndahet si një postim i sponsorizuar në Facebook dhe Instagram nga faqet e fansave të krijuara rishtazi me pak ndjekës të dyqaneve apo restoranteve të huaja të veshjeve. Por, diskutohet se në të dhënat Meta të këtyre faqeve të fansave nuk ka të dhëna që dikush ka paguar për postime sponsorizuese.
Sipas shkencëtarëve kompjuterikë, me të cilët folëm, kjo tregon për robotët që gjenerojnë postime të lajmeve të rreme.
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Maqedonisë së Veriut thotë se këtë vit nuk kanë marrë asnjë ankesë nga qytetarët për mashtrim dhe abuzim me emrin dhe foton me lajme të rreme për kriptovalutat.
Por, ata paralajmërojnë se teknikat e inxhinierisë sociale të bazuara në kompjuter si "phishing" dhe "pharming" përdoren shpesh në raste të tilla abuzimi.
“Fatkeqësisht, ndërgjegjësimi i publikut ende nuk është në nivel të lartë sa i përket këtyre kërcënimeve dhe ekziston një numër i madh qytetarësh që nuk është i njohur me këtë lloj mashtrimi. Dërguesit me qëllim të keq, pasi marrin në dorë të dhënat personale të qytetarëve, ose i përdorin vetë për qëllime të paligjshme ose ua shesin palëve të treta”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Agjencia bën thirrje te qytetarët që sa më shpejt të kërkojnë ndihmë dhe t'i raportojnë këto raste tek institucionet kompetente në mënyrë që të mos pësojnë dëme të mëtejshme, jo vetëm financiarisht, por edhe të jetës private, integritetit, nderit dhe reputacionit të tyre.