Ndërlidhjet

A do të pengojnë protestat arritjen e marrëveshjes për emrin?


Protestë në Greqi kundër përdorimit të emrit Maqedoni, pas riaktualizimit të kësaj çështjeje me shtetin e Maqedonisë. Selanik, 21 janar, 2018
Protestë në Greqi kundër përdorimit të emrit Maqedoni, pas riaktualizimit të kësaj çështjeje me shtetin e Maqedonisë. Selanik, 21 janar, 2018

Nga Qeveria e Maqedonisë kanë njoftuar se në kuadër të mbledhjes së të hënës kanë analizuar propozimet e fundit të ofruara nga ana e ndërmjetësuesit të posaçëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjen e emrit, Metju Nimicit.

“Qeveria e Maqedonisë punon në analizën dhe konsultimet lidhur me kornizën e dorëzuar nga ndërmjetësi Metju Nimic. Në periudhën e ardhshme do të bëjmë përpjekje për proces gjithëpërfshirës, me kyçjen e gjithë faktorëve relevantë politikë në vend, në drejtim të ndërtimit të qëndrimit dhe strategjisë së përbashkët”, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Maqedonisë.

Ndërkohë, nga Qeveria nuk kanë komentuar protestat e djeshme nga shumë vise të Greqisë, të organizuar nga më shumë grupe nacionaliste si dhe priftërinj të Kishës greke, të cilët kanë demonstruar se janë kundër zgjidhjes së kontestit rreth çështjes së emrit, nëse çfarëdo zgjidhje do të e përmbante termin Maqedoni.

Protesta në Selanik, 21 janar 2018
Protesta në Selanik, 21 janar 2018

Njëkohësisht janë organizuar edhe kundër protesta nga e majta greke, por me një intensitet më të ulët.

Përderisa njohësit e çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë thonë se protestat e realizuara gjatë ditës së djeshme në Greqi, në asnjë mënyrë nuk do t`i dekurajojnë autoritet qeveritare në Athinë dhe Shkup sa i përket zgjidhjes së kontestit lidhur me çështjen e emrit, me këtë dhe zhbllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

“Uroj që inicimi i protestave për të dyja palët, të paraqesë kurajë plotësuese për të çuar para kah zgjidhja këtë proces. Nuk është lehtë të tejkalohet një kontekst i cili zgjatë më shumë se 25 vjet, por do të thosha se shoh tek të dy palët një dedikim , vetëdijësim po edhe kurajë më të madhe që kjo temë të tejkalohet”.

“Njëherësh do theksuar se me rëndësi është që të përshpejtohet dinamika që do të çojë kah zgjidhja e kontestit, me qëllim që të gjithë palët, të cilët kanë qëndrime negative ndaj zgjidhjes së këtij kontestim të mos kenë hapësirë t`i masivizojnë aktivitet e tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Ndërkaq, Nikolla Dujovski, ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Shkup konsideron se për t’u theksuar është fakti se për momentin ekziston konsensus i përgjithshëm në qeveritë e dy vendeve, se duhet të bëhen hapa drejt zgjidhjes së kontestit të emrit.

Dujovski thotë se protestat në Greqi nuk do të kenë ndikim në rrjedhën e procesit të zgjidhjes së kontestit të emrit, meqë siç thekson ai për Radion Evropa e Lirë,“qëndrimi i kryeministrit grek është i qartë dhe është në drejtim të gjendjes së kompromisit për çështjen”.

“Nëse e ndjekim qëndrimin e kryeministrit Alexis Tsipras gjatë dhjetë ditëve të fundit është i qartë. Ai përgatit terren për zgjidhje eventuale. Ka biseduar me përfaqësues të Kishës, me një pjesë të partnerëve që janë pjesë e koalicionit të Qeverisë greke, mendoj se mund të hapet diskutim edhe me partitë opozitare dhe të gjendet zgjidhje”, konsideron Dujovski.

Ndryshe, të dielën në Shkup, një grup maqedonasish të cilët dolën të protestojnë kundër Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe janë shprehur edhe kundër mbajtjes së referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, në funksion të gjetjes së një kompromisi me Greqinë.

Protestuesit maqedonas në Shkup në fund të protestës e kanë djegur edhe flamurin e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG