Ndërlidhjet

Armenia pret përmirësim të raporteve me Turqinë


Flamuri i Armenisë.
Flamuri i Armenisë.

Armenia pret që të vendosen raportet diplomatike me Turqinë dhe kufijtë mes dy shteteve të hapen si rezultat i bisedimeve për normalizimin e raporteve. Bisedimet do të nisin më 14 janar në Moskë, tha Ministria e Jashtme e Armenisë.

Të dy shtetet, vitin e kaluar kanë emëruar përfaqësues të posaçëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe po kërkojnë që të përmirësojnë raportet pas tensionimeve disa vjeçare. Rundi i parë i bisedimeve pritet të nisë si pjesë e një përpjekje më të gjerë për paqe rajonale në rajonin e Kaukazit Jugor, nën ndërmjetësimin e Rusisë.

“Sipas mendimit tonë, Qeveria turke gjithashtu ndan qasjen për nisjen e dialogut pa parakushte”, tha Vahan Hunanyan, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme armene.

Hunanyan theksoi se Rusia do të jetë nikoqir i takimit dhe rundi i parë i bisedimeve do të jetë i natyrës eksploruese.

“Është e vështirë të pritet që si rezultat i një takimi të mund të arrihen rezultate të prekshme, por procesi do të nisë”, tha ai.

Në dhjetor të vitit 2021, Jerevani dhe Ankaraja njoftuan se do të emërojnë përfaqësues të posaçëm që do të udhëheqin bisedimet. Ish-ambasadori turk në Shtetet e Bashkuara, Serdar Kilic do ta përfaqësojë Ankaranë dhe zëvendëskryetari i Asamblesë Kombëtare të Armenisë, Ruben Rubinian do të udhëheqë bisedimet për palën armene.

Pas emërimit të përfaqësuesve të posaçëm, Armenia hoqi ndalesën për importin e mallrave turke dhe Turqia njoftoi se do të lejohen fluturimet për në Armeni.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev gjithashtu kanë zhvilluar një sërë rundesh të bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe me ndërmjetësimin e Rusisë, që prej luftës së vitit 2020 për rajonin e Nagorno-Karabakhut.

Raportet mes Armenisë dhe Turqisë historikisht kanë qenë të komplikuara lidhur me vrasjen e vitit 1915 të armenëve nga otomanët.

Por, lufta ndërmjet separatistëve armenë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin e Nagorno-Karabakhut gjatë ndarjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, përkeqësoi raportet mes Ankarasë dhe Jerevanit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG