Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është arratisur.
Lajmi për Radion Evropa e Lirë u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se më 28 qershor, Policia pranoi aktvendimin për paraburgimin e Roshiqit dhe që atëherë është në kërkim të tij.
Po atë ditë, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.
Asnjë nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në gjykatore kur u shpall aktgjykimi.
Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka akuzuar Marko Roshiqin për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, që do të thotë se autoritetet e akuzuan atë që kishte ndjekur çdo lëvizje të Ivanoviqit dhe automjetit të tij.
Siç u tha në fillim të gjykimit, në xhepin e Oliver Ivanoviqit u gjet një letër ku ishte shkruar numri i targave të një automjeti në pronësi të Marko Roshiqit.
Roshiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, së bashku me vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ai akuzohet se ishte pjesë e rrjeteve korruptive të lidhura me krimin e organizuar transnacional.