Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut tha se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj, raporton Shërbimi maqedonas i Radios Evropa e Lirë.
Disa media në këtë vend publikuan edhe vendimin e agjencisë, sipas të cilit bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugove”.
REL-i në Prishtinë kontaktoi pronarin e kësaj kompanie, Visar Kelmendi, i cili tha se shitjet në Maqedoninë e Veriut janë duke vazhduar.
“Ka qenë një problem që dy-tri javë me një provë të analizës... Pastaj janë marrë edhe dhjetë analiza të tjera të ujit në Maqedoni të Veriut, në Kosovë dhe në një shtet të tretë dhe është konfirmuar se nuk ka asgjë”, tha Kelmendi.
Më vonë gjatë ditës, Korporata Rugove lëshoi komunikatë për media, dhe tha se uji iu nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori i brendshëm dhe që produktet certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.
“Më datë 22 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet. Lidhur me mostrën e analizuar, dëshirojmë të sqarojmë se mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg dhe sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor”, u tha në reagim, në të cilin u bashkëngjit edhe analiza e kryer në një laborator në Shkup.
Prandaj, sipas kompanisë, “çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë”.
REL-i kontaktoi edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë në lidhje me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.
Çka është bakteri koliform?
Bakteri koliform është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë dhe njerëzve.
Bakteri koliform nuk mund të shkaktojë sëmundje.
Megjithatë, prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat që shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit, thuhet në përshkrimin që bën Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit të Uashingtonit.
Sipas tij, nëse bakteri koliform gjendet në një mostër uji, operatorët e sistemit të ujit punojnë për të gjetur burimin e ndotjes.
Një nga mënyrat për pastrimin e ujit të kontaminuar është përmes klorifikimit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup tha se “nga secila dërgesë e ujit burimor dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova, do të merren mostra laboratorike për testimin e mikroorganizmave, në përputhje me Rregulloren për kërkesat specifike, që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim”.
Paralelisht, kjo agjenci tha se Maqedonia e Veriut ka intensifikuar kontrollet edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet, për të monitoruar mbetjet e pesticideve.
Ajo tha se produktet nuk do të lejohen në treg pa i pasur rezultatet që e konfirmojnë sigurinë e tyre.