Ndërlidhjet

Rishikimi i buxhetit të Maqedonisë së V., të orientohet në menaxhimin e pandemisë


Shkup, fotografi ilustruese.
Shkup, fotografi ilustruese.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të rishikohet buxheti i shtetit, në mënyrë që t’i përshtatet kushteve që ka imponuar pandemia e koronavirusit. për t`iu përshtatur kushteve që ka imponuar pandemia e koronavirusit.

Ky do të jetë rishikimi i dytë i buxhetit, pasi rishikimi i parë u bë në muajin maj, gati dy muaj pas regjistrimit të rasteve të para me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Ndërkohë, të premten, më 11 shtator, zëvendëskryeministri për çështje financiare, Fatmir Besimi ka paralajmëruar pakon e katërt të masave për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Për të gjitha pakot e masave për mbrojtje nga koronavirusi, ishin paraparë 550 milionë euro, ndërsa deri më tani për qytetarët dhe bizneset janë derdhur rreth 240 milionë euro. Nga huat për koronavirusin, deri më tani janë shpenzuar rreth 70 për qind të mjeteve që të përmirësohet likuiditeti i buxhetit dhe mbeten 30 për qind, të cilat i kemi ende në dispozicion që do të jetë pikënisja për planifikimin e pakos së masave ekonomike”, deklaroi Besimi.

“Në këtë moment bëjmë edhe përllogaritje se sa janë nevojat deri në fund të vitit të anës së shpenzimeve të të gjitha institucioneve dhe varësisht nga vlerësimet e tyre do të mundemi që deri në fund të javës së ardhshme të sjellim përfundime në Këshillin Ekonomik në Qeveri se sa do të jetë e gjithë pakoja, por gjithsesi do të jetë pako e madhe ekonomike. Do të varet nga rebalancimi (i buxhetit) dhe varësisht se si janë vlerësimet, procedurat rreth ribalancit do të fillojnë menjëherë që me kohë ta kalojnë filtrin në shtëpinë ligjvënëse”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Arben Halili ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e arsyeshme që në kushte pandemie, buxheti të pësojë më shumë herë rebalancë, megjithëse shton se mjete e arkës së shtetit duhet të orientohen në sektorët që janë më me prioritet dhe veçanërisht në respektimin e komponentës zhvillimore.

“Gjithsesi se fokusi i qeverisë për ballafaqim më të suksesshëm për sa i përket krizës që ka shkaktuar pandemia duhet të jetë në dërgimin e mjeteve, në radhët të parë në sektorin e shëndetësisë, por njëkohësisht qeveria duhet të fokusohet në sigurimin e një qëndrueshmërie të sektorit ekonomik. Detyrimisht fokusi duhet vënë në investimet kapitale si një lokomotivë zhvillimore që ka ndikim edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë. Po ashtu, nuk duhet anashkaluar, nënvlerësuar sektorin e arsimit që në kohë krize është një nga sektorët që ka pësuar më shumë goditje”, thotë Halili.

Drejtoresha ekzekutive e “Finance Think” në Shkup, Bllagica Petrevski vlerëson se përderisa respektohet komponenti zhvillimor, nuk është shqetësues thellimi i borxhit publik.

“Nuk duhet të na shqetësojë fakti që borxhi publik, në kushte të tilla, shkon në rritje, gjithmonë derisa mjetet shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe për qëllime zhvillimore. Në periudhën në vijim ne nuk do të kemi shumë hapësirë, përkatësisht hapësira fiskale është mjaft e kufizuar dhe është e nevojshme që të gjitha mjetet që janë në dispozicion t’i shfrytëzojmë ekskluzivisht në komponentën zhvillimore, dhe jo në masa populiste”, thotë Petrevski për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në muajin maj, gjatë rishikimit të buxhetit, qeveria rriti shpenzimet për 53.7 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG