Ndërlidhjet

Shkup: Kuvendi rrëzon katër interpelanca, miraton një për deputeten Ilire Dauti


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti një debat maratonik, deri në orët e vona të natës së 10 janarit, rreth pesë interpelancave të inicuara nga opozita shqiptare dhe ajo maqedonase.

Në fund, deputetët e miratuan vetëm një interpelancë, duke e shkarkuar nga posti i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputeten e Frontit Evropian, Ilire Dauti.

Katër interpelancat e tjera nuk kaluan – të cilat u paraqitën nga koalicioni i Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë – në lidhje me punën e zëvendëskryeministrave, Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme (MPB) Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni.

Deputetja Dauti u shkarkua me arsyen se për javë të tëra nuk ka pranuar ta vërë në rend dite propozimin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM) për ngritjen e statusit dhe pagave për ish-pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe më pas.

"Për fund, një kërkesë kam sepse me shkarkimin tim, sido që të jetë epilogu, nuk zgjidhet kjo problematikë. Prandaj, kërkesa ime është të ulemi të gjithë bashkë dhe të ripërpunojmë ligjin, duke përfshirë të dy palët nën të njëjtat kushte, edhe forcat e sigurisë dhe ato të UÇK-së", tha në fjalën e saj deputetja Dauti.

Ky ligj përcakton statusin dhe të drejtat për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase që morën pjesë në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Ligji nxiti debate të shumta mes përfaqësuesve shqiptarë dhe maqedonas, pasi të drejtat që u takojnë 'branitellave' nuk u takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Nga partia e “E Majta”, përshëndetën shkarkimin e Dautit dhe thanë se "përgjegjësia tani mbetet mbi shumicën për të zgjedhur një kryetar të ri të Komisionit parlamentar dhe për të zhbllokuar procedurën në lidhje me Ligjin për "branitellat"'.

Nga Bashkimi Demokartik për Integrim (BDI) shkarkimin e Dautit e cilësuan “si një një akt të turpshëm dhe revanshist”.

“Ky vendim nuk është asgjë tjetër veçse një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe një përpjekje për ta zhvlerësuar atë në çdo formë”, kumtuan nga BDI.

Pavarësisht këtyre pohimeve, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më vonë sqaroi se votat e interpelancës janë shprehje e deputetëve dhe të njëjtat, siç tha, nuk kanë pasoja juridike detyruese për shkarkim, duke lënë të kuptohet se deputetja Dauti "nuk është shkarkuar".

Megjithatë, partia e deputetes Dauti, për Radion Evropa e Lirëtha se çdo interpelancë nënkupton shkarkimin e një funksionari ose bartës funksioni.

"Sqarimet e Afrim Gashit dhe deputetëve të Vlenit janë vetëm një tentim tragji-komik për të relativizuar dhe për të mbuluar dëmin e madh që kanë shkarkuar", tha Arben Zeqiri, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës.

Seanca, u braktisë nga deputetët e Lidhjes Socialdemokarte (LSDM), të cilët paraprakisht deklaruan se nuk do të mbështesin asnjë nga interpelancat, edhe pse propozimligji për “branitellat” ishte dorëzuar në Kuvend nga deputetja e kësaj partie, Sllavjanka Petrovska.

Për funksionarët e VMRO-DPMNE-së, këto janë interpelancat e parapas zgjedhjeve të majit 2024, kur edhe i fituan zgjedhjet.

Ndërkaq, për koalicionin shqiptar VLEN, kjo është interpelanca e dytë. E para u mbajt më 2 shtator të vitit të kaluar, e iniciuar po ashtu nga partia E Majta, me qëllimin, shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Për çka akuzoheshin katër ministrat e pushtetit?

Fronti Evropian akuzon Toshkovskin dhe Isenin, se si persona përgjegjës të MPB-së, në ditën e festës së flamurit shqiptar (28 nëntor), kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë “në mënyrë të paparë dhe të pajustifikuar, duke penguar një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve”.

Për Stoilkoviqin, i cili është gjithashtu kryetar i partisë Demokratike të Serbëve (DPSM), dhe ministër i Bashkësive mes Komuniteteve, Fronti Evropian e akuzon për mosveprim lidhur me ngjarjet e 2 dhjetorit në Kumanovë, ku u regjistruan disa raste të zjarrvënieve.

Krejtësisht në fund, Fronti e bënë përgjegjës zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti për “keqmenaxhimin e situatave në vend”, duke përfshirë edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe për dështim që të mbrojë "interesat e komunitetit shqiptar".

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre akuzave, Mexhiti u shpreh se ende i kujton momentet kur "BDI-ja me krenari e priste Vuçiqin në Ohër, ndërkohë që mbështetën edhe nismën Ballkani i Hapur".

Çka ndodhi në muajt nëntor dhe dhjetor?

Rikujtojmë se më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Lidhur me këtë policia arrestoi 17 persona.

Toshkovski njoftoi se personat e arrestuar ishin kryesisht të rinj të moshës 18 deri 21 vjeç.

Ai djegien e flamurit maqedonas e cilësoi si “sulm direkt ndaj shtetit”, dhe tha se këto veprime janë dëshmi e paralajmërimeve paraprake nga MPB-ja për destabilizim të vendit.

Pamjet e incidenteve, të cilat u shpërndan në rrjetet sociale si Facebook, X dhe TikTok, nxitën reagime të ashpra të partive politike dhe opinioni publik në këtë vend.

BDI-ja kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit Toshkovski, dhe bëri thirrje për ndërhyrje të komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar, sikurse kumtuan “spiralen e rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes që kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend”.

Nga LSDM-ja thanë se sistemi i sigurisë ka dështuar, për çka edhe ata kërkuan dorëheqjen e Toshkovskit, drejtorit të Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev, dhe kreut të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, Sasho Topallovski.

VLEN, njoftoi se ka siguruar fotografi që dëshmojnë se të rinjtë që dogjën flamurin shtetëror “janë bashkëpunëtorë të afërt të ish-zëvendëskryeministrit nga BDI-ja”, Artan Grubi. Grubi përgënjeshtroi lidhjen dhe paralajmëroi padi.

Pesë ditë më vonë, në Kumanovë ndodhën disa zjarrvënie, të dyshuara si të qëllimshme. Zjarret përfshinë një lokal afarist, që figuronte në emrin e Fitor Jakupit, këshilltar i BDI-së në Kuvendin Komunal të këtij qyteti, një pjesë të një shtëpie dhe disa vetura, përfshirë atë të prokurorit publik, Xhelal Bajrami.

Bajrami, për Radion Evropa e Lirë, përjashtoi çdo motiv politik lidhur me ngjarjen.

"Nuk dua t’i jap kësaj ngjarjeje ndonjë konotacion tjetër, por mendoj se është thjesht një akt kriminal. Nuk kam dyshim në ndonjë person. Nuk besoj se ka ndodhur me prapavijë politike, aq më tepër sepse unë nuk merrem me politikë prej më shumë se 10 vitesh dhe e përjashtoj këtë mundësi", tha Bajrami më 2 dhjetor 2024.

Paraprakisht, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ishte shprehur i bindur se katër interpelancat e parashtruara kundër ministrave të kabinetit të tij qeveritar, nuk do të kenë sukses.

  • 16x9 Image

    Enis Shaqiri

    Enis Shaqiri është gazetar i Radios Evropa e Lirë në Maqedoninë e Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG