Ndërlidhjet

Në Maqedoninë e Veriut ulen rastet me COVID-19


Klinika për Sëmundje Ngjitëse në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Klinika për Sëmundje Ngjitëse në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, deklaroi të hënën se Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ai tha se ka një rritje të lehtë të personave të shtruar nëpër spitale, por gjithashtu, sipas tij, është në rënie edhe numri i të prekurve me COVID-19.

Të hënën, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 26 të vdekur me COVID-19, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 8,409 persona.

Po ashtu janë regjistruar edhe 711 raste të reja, ndërkaq 7,170 persona janë të shtrirë në spitale.

Infektimet e reja bazohen në testimin e 3,197 mostrave. Ndërkaq, rastet aktive me koronavirus janë rreth 13,600.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se të martën Komisioni për Sëmundje Infektive do të punojë me përbërje të zgjedhur, por nuk bëri të ditur se cilët janë anëtarët e rinj të këtij trupi, që jep propozime lidhur me masat për mbrojtje nga pandemia.

Kreu i shëndetësisë foli edhe për refuzimin që i bënë ftesës së tij për të qenë anëtar të Komisionit edhe tre ekspertë të njohur shëndetësorë, Dragan Danilovski, Nikola Panovski dhe Velo Markovski. Ata thirrjen e refuzuan për shkak të ishte bërë nëpërmjet rrjetit social Facebook.

“Nuk është koha për t'u ndalur te ftesa apo lutja, por për të ndihmuar në përballimin e pandemisë”, deklaroi Sali duke theksuar se ftesa është publike për të gjithë ekspertët.

Ai bëri të ditur se në seancën e të martës të Komisionit për Sëmundje Infektive do të vendoset se si dhe kur do të bëhet verifikimi apo testimi i shpejtë i nxënësve nëpër shkolla. Sipas tij, kjo formë e testimit do të bëhet përmes qendrave të shëndetit publik që mbajnë evidencë për të gjitha rastet pozitive.

"Java e parë është shumë e rëndësishme për të reaguar shpejt nëse ka nevojë për të ndërmarrë veprime shtesë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Të martën, në Maqedoninë e Veriut në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme fillon gjysmëvjetori i dytë me prezencë fizike. Mësimi ishte shtyrë për dy javë për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19. Edhe në gjysmëvjetorin e parë mësimi është zhvilluar me prezencë fizike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG