Ndërlidhjet

Macron propozon union të ri politik për shtetet joanëtare të BE-së


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën se mund të duhen dekada derisa Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

Gjatë fjalimit në Strasburg në Ditën e Evropës, Macron tha se “të gjithë ne e dimë shumë mirë se procesi për anëtarësimin [e Ukrainës] do të marrë disa vite, në fakt ndoshta disa dekada”.

Këto komente ai i bëri pasi presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se planifikon që të japë në qershor opinionin për kërkesën e Ukrainës që t’i bashkohet bllokut.

Sapo të jepet statusi i shtetit kandidat, procesi për anëtarësim në BE zakonisht merr kohë disa vjet, pasi kërkohet vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare, por edhe shtetet aspiruese duhet të plotësojë të gjithë kapitujt negociues të anëtarësimit.

Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, liderët e BE-së kanë thënë se do të tentojnë të përshpejtojnë procesin e anëtarësimin e Ukrainës në bllok.

Deri më tani, Ukraina ka vetëm Marrëveshjen e Asoocimit me BE-në, e cila mëton që të hapë tregjet e shtetit dhe ta sjellë atë më pranë Evropës.

Megjithatë, Macron tha se një procedurë e përshpejtuar për Ukrainën do të çonte në uljen e standardeve, ide të cilën ai e kundërshton.

“Bashkimi Evropian, duke pasur parasysh nivelin e integrimit dhe ambicien, nuk mund të jetë e vetmja mënyrë për të strukturuar kontinentin evropian në terma afatshkurtër”, tha ai.

Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.

“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.

Presidenti francez shtoi se anëtarësimi në këtë organizatë të re, megjithatë, nuk do të garantonte një anëtarësim të ardhshëm në BE.

Ideja është mirëpritur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili e përshkroi atë si “një sugjerim mjaft interesant për t’u përballur me sfidën më të madhe me të cilën përballemi”.

Ai tha se mirëpret diskutimet për këtë propozim me liderin francez, i cili arriti në Berlin për bisedime në mbrëmjen e 9 majit.

Scholz shtoi se BE-ja nuk do të ndalojë procesin e pranimit të vendeve, të cilat veçse kanë nisur procesin e anëtarësimit, duke përmendur këtu Maqedoninë e Veriut si shembull. Ai tha se udhëheqësit maqedonas viteve të fundit kanë marrë vendime “shumë të guximshme”.

“Ne duhet të gjejmë mënyra që kjo trimëri të mos zhgënjehet”, tha Scholz.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG