Ndërlidhjet

Zgjerimi i BE-së, i ngadalshëm dhe me shumë kushtëzime


Flamuj të BE-së të vendosur para ndërtesës së Komisionit Evropian.
Flamuj të BE-së të vendosur para ndërtesës së Komisionit Evropian.

Janë mbushur 18 vjet prej kur pikërisht me datën 1 maj kishte ndodhur zgjerimi më i madh i Bashkimit Evropian në histori me anëtarësimin e përnjëhershëm të dhjetë shteteve të reja anëtare.

Dhe, për herë të parë bllokut iu bashkuan shumë shtete, të cilat për gjysmë shekulli ishin në anën tjetër të perdes së hekurt, si pjesë e bllokut lindor komunist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Në BE të njëjtën ditë hynë Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Lituania, Sllovenia, Letonia, Estonia, Qipro dhe Malta. Dy vjet e gjysmë më vonë, më 1 janar të vitit 2007 anëtare u bënë edhe Rumania dhe Bullgaria, që ishin pjesë e së njëjtës valë të zgjerimit, por në vitin 2004 ishte vlerësuar se ende nuk ishin të gatshme për t’u bërë anëtare.

Ky zgjerim i madh i BE-së sot në Bruksel përmendet si sukses, por kjo datë nuk shënohet më me aq eufori si dikur. Zgjerimi i BE-së nuk është më proces aq i popullarizuar në BE, edhe pse ai vazhdon me synimin që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor një ditë të bëhen anëtare. Përderisa në rastin e zgjerimit të madh procesi shihej si një “prioritet politikë me synimin e bashkimit të Evropës dikur të ndarë në baza ideologjike”, tash procesi është shumë më i ngadalshëm dhe me shumë kushtëzime.

Edhe pse anëtarësimi i vendeve nga Evropa Lindore shihet si sukses, disa diplomatë në BE, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se “nga ky zgjerim u nxorën mësime që tash përdoren në raporte me Ballkanin Perëndimor, e ato nuk janë gjithmonë pozitive”.

“Procesi i zgjerimit gjatë kohës së negociatave të anëtarësimit kishte fuqi të madhe transformuese, ndihmoi shumë në luftën kundër korrupsionit dhe në reformat a administratës, gjyqësorit dhe sundimin e ligjit. Por, pasi u anëtarësuan në BE disa nga këto vende shënuan kthim prapa në këto standarde”, rikujton një veteran në institucionet e BE-së, duke shtuar se “pikërisht këtë përvojë tash disa vende si Franca, Holanda dhe Gjermania e përdorin për të qenë më të kujdesshëm në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Kemi parë se procesi i zgjerimit vazhdimisht bëhet më i vështirë dhe më i ngadalshëm. Përderisa vendeve si Sllovakia apo republikat Baltike iu deshën rreth dy vjet për të nisur dhe përfunduar negociatat e anëtarësimit, Kroacisë iu deshën gjashtë vjet. E Mali i Zi as pas dhjetë vjet negociatash nuk ka arritur shumë, ka hapur të gjithë kapitujt, por i ka mbyllur vetëm tri”, thotë ky zyrtar.

Pa dyshim si viktimën më të madhe në procesin e zgjerimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin Maqedoninë e Veriut. Ky shtet ishte nisur në procesin e integrimeve evropiane para Kroacisë, si vendi i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor që arriti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, por as pas 18 vjetësh nuk arriti as të nisë negociatat e anëtarësimit. Maqedonia e Veriut kishte aplikuar për anëtarësim në BE pikërisht në vitin kur kishte ndodhur zgjerimi i madh.

Pas këtij zgjerimi të madh në BE, disa shtetet filluan të shfrytëzojnë anëtarësinë për të penguar përparimin e vendeve fqinje në këtë drejtim. Në Bruksel diplomatët përmendin bllokadën shumëvjeqare të Maqedonisë së Veriut nga Greqia për shkak të mospajtimeve rreth emrit. Pastaj bllokadën e Kroacisë nga ana e Sllovenisë për shkak të mosmarrëveshjeve për kufirin në det. E tash Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut për shkak të mospajtimeve rreth interpretimeve historike dhe etnike.

“Zgjerimi i madh ishte një ideal politik dhe askush nuk donte ta prishte këtë proces historik. Më vonë procesi u bë më shumë teknik, prandaj edhe kemi parë aq shumë bllokada”, thotë një diplomat i BE-së.

Si mësime “jo të mira” nga procesi i deritashëm i zgjerimit, diplomatët evropianë përmendin më së shpeshti katër shtete që kanë ende “probleme” me sundimin e ligjit. Së pari janë Rumania dhe Bullgaria.

Ato kur u pranuan në BE më 1 janar të vitit 2007 u bënë anëtare me kushtin që BE-ja të kishte ndaj tyre mekanizmat e monitorimit për të matur suksesin në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Besohej atëherë se këto shtete do të përparonin në këto fusha dhe shumë shpejt këta mekanizma do të shuheshin. Por, as pas 15 vjetësh ky qëllim nuk është arritur, prandaj BE-ja vazhdon monitorimin e këtyre dy vendeve përmes të ashtuquajturit “mekanizmi i verifikimit dhe bashkëpunimit”.

Shembull tjetër që vendet perëndimore të BE-së e përdorin si “mësim të nxjerrë nga zgjerimi”, janë Hungaria dhe Polonia, të cilat, sipas Brukselit, kanë problem me respektimin e vlerave themelore të BE-së, për të cilat u pajtuan se do t’i respektojnë, por tash si vende anëtare, i shkelin.

Edhe Hungaria edhe Polonia janë kritikuar për politizim të gjyqësorit, shkelje të lirive të shtypit, e tash akuzohet edhe për shkelje të ligjeve të Bashkimit Evropian.

“Këto mësime nuk na kanë detyruar të heqim dorë nga zgjerimi i mëtejmë i BE-së, por gjithsesi kanë ndikuar që të jemi më të kujdesshëm”, thotë një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian duke shtuar se “nuk duhet harruar se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë larg nga përmbushja e kritereve që kërkohen për anëtarësim në BE, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit”.

Në këtë moment pesë shtete kanë statusin e kandidatit. Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Praktikisht, vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë duke vazhduar procesin e negociatave të anëtarësimit.

Negociatat me Turqinë, të nisura me 4 tetor të vitit 2005, të njëjtën ditë kur nisën edhe me Kroacinë, praktikisht janë të ngrira për vite.

Mali i Zi dhe Serbia hapin dhe mbyllin kapituj, por me një dinamikë shumë të ngadaltë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë statusin e kandidatit, por nuk i kanë nisur negociatat e anëtarësimit.

Bosnja e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por nuk ka marrë opinion pozitiv të Komisionit Evropian për status kandidati.

Kosova nuk ka aplikuar ende për anëtarësim dhe ka paralajmëruar se këtë do ta bëjë gjatë këtij viti. Pengesë për Kosovën mund të jetë fakti se nuk është njohur si shtet nga pesë vende anëtare të BE-së.

Para agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë aplikuar për anëtarësim në BE.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG