Ndërlidhjet

Luftërat shtyjnë kompanitë e teknologjisë të bashkëpunojnë me Pentagonin


Ndërtesa e Pentagonit. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ndërtesa e Pentagonit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shkurtimisht

  • Për shkak të konflikteve në botë, kompanitë amerikane të teknologjisë janë futur në tregun e mbrojtjes.
  • Investimet në teknologjinë e mbrojtjes arritën në 28 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2025, duke tejkaluar shpenzimet vjetore të viteve të mëparshme.

Për dekada, shumica e kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë dhe investitorët kanë qëndruar larg Pentagonit.

Disa u dekurajuan nga rregullat e shumta për kontrata, që la shumicën e biznesit në duart e gjigantëve, sikurse Lockheed Martin dhe RTX. Të tjerë nuk deshën të përfshiheshin për shkak të pikëpyetjeve etike lidhur me ndërtimin e armëve dhe sistemeve të vëzhgimit.

Por, pushtimi rus i Ukrainës, konflikti mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe rritja e shpejtë ushtarake e Kinës kanë ndryshuar këtë ekuacion.

Është zhdukur edhe rezistenca me të cilën u përball Google më 2018, kur i lejoi Pentagonit të përdorte inteligjencën artificiale të kompanisë për të analizuar pamjet e dronëve për identifikimin e objektivave, duke nxitur shqetësime në mesin e gjigantëve të Luginës së Silikonit. Protestat e punonjësve detyruan menaxhmentin të tërhiqej nga marrëveshja.

Reagimi, i nxitur nga një grup i vogël brenda kompanisë Google, shpërfaqi një shqetësim më të thellë në mesin e punëtorëve të sektorit të teknologjisë lidhur me përdorimin e shpikjeve të tyre për armë vdekjeprurëse apo për qëllime ushtarake, për të cilat kanë dyshime në aspektin etik.

Kjo rezistencë gjerësisht u shua, duke hapur rrugën për sipërmarrësit kapitalistë që po investojnë miliarda për startup-e të teknologjisë së mbrojtjes, ndërsa inxhinierët po largohen nga disa prej kompanive më të mëdha të Amerikës për të krijuar gjeneratën e re të armëve që do të përdoren në fushëbetejë.

“Me çdo kompani që flas dëshiron që të sigurohet se ka diçka që ata mund të bëjnë dhe ata janë duke e bërë këtë gjë”, tha Emil Michael, nënsekretari në Pentagon për hulumtim dhe inxhinieri. Ai këtë deklaratë e bëri në një konferencë të mbajtur muajin e kaluar në Uashington për teknologjinë e mbrojtjes, duke shtuar se ditët kur Lugina e Silikonit përjashtonte punën për ushtrinë “kanë marrë fund”.

Përfitimet janë të qarta. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po shqyrton që buxheti për mbrojtje të jetë 1 trilion dollarë.

OpenAI, kompania e inteligjencës artificiale me seli në San Francisko, në qershor nënshkroi një kontratë në fushën e mbrojtjes në vlerë prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte kontrata e parë formale e kësaj kompanie me Pentagonin. Muajin paraprak, Meta njoftoi se po bëhej bashkë me Anduril për të ndërtuar pajisje të realitetit virtual (XR) për ushtrinë amerikane.

Këto zhvillime kanë nxitur inxhinerët dhe investitorët të kanalizojnë talentin dhe paratë në teknologji me përdorim të dyfishtë, që mund të shërbejnë edhe për qëllime komerciale si dhe për qëllime ushtarake.

Disa analistë thanë se në disa mënyra, Lugina e Silikonit po kthehet në origjinë.

Shumë kohë para se të bëhej qendër për aplikacione dhe telefona të mençur, rajoni u zhvillua falë investimeve federale në elektronikë, gjysmëpërçues dhe pajisje kompjuterike gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.

“Kemi parë një ndryshim të vërtetë”, tha Raj Shah, ish-pilot amerikan që udhëhoqi njësinë e parë të shpikjeve në mbrojtje dhe tani udhëheqë Shield Capital, një fond që përqendrohet në startup-e për mbrojtje.

“Inxhinierët e mençur po thonë: ‘po e shohim se çfarë po ndodh në Izrael, po e shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe nuk mund ta marrim për të mirëqenë mënyrën tonë të jetesës. Në vend se të krijojmë aplikacione për shpërndarjen e fotografive, ne do të ndërtojmë diçka që ndihmon në ruajtjen e kësaj paqeje”.

Investimet

Sipërmarrësit, firmat privat edhe kompanitë e tjera të teknologjisë kanë investuar më shumë se 28 miliardë dollarë në këtë sektor në pjesën e parë të vitit 2025, duke tejkaluar totalet vjetore të bëra viteve të fundit. Sa për krahasim, gjatë gjithë vitit 2019 ishin investuar 18 miliardë në teknologjinë e mbrojtjes, sipas PitchBook.

Kjo rritje përfshin një gamë të gjerë fushash: sisteme autonome, robotikë, softuer, siguri kibernetike, materiale të reja, teknologji hapësinore, bioteknologji dhe ruajte të energjisë.

Po ashtu, po ndihmon rritja e buxheteve të mbrojtjes nga shtetet e tjera.

Aleatët e NATO-s u pajtuan në qershor që të rrisin shpenzimet për mbrojtje të GDP-së në 5 për qind, me 3.5 për qind për mbrojtjen bazë dhe 1.5 për qind për fusha të lidhura me të, sikurse siguria kibernetike dhe industria e mbrojtjes. Procedurat e thjeshtuara të prokurimit po ashtu e kanë bërë më të lehtë garën mes startup-eve.

Megjithatë, të bësh biznes me Pentagonin është një sfidë e madhe. Edhe SpaceX dhe Palantir – dy prej kompanive më të suksesshme që kanë hyrë në biznesin e mbrojtjes në dekadat e fundit – kanë paditur Departamentin e Mbrojtjes për të fituar kontrata.

Kredenciale kërkohen vetëm për t’u futur në biznes dhe secila nga tetë qendrat e prokurimit në Pentagon ka rregulla të ndryshme, buxhete dhe afate kohore.

“Mbrojtja nuk është si tregjet e tjera. Edhe nëse keni teknologjinë më të mirë nuk është se të çon larg. Suksesi po ashtu varet nga kuptimi se si qeveria blen, kush janë vendimmarrësit dhe si të përshtatesh me programet afatgjata”, tha së voni Point72 Ventures, një firmë në pronësi të investitorit miliarder, Steve Cohen, kompani që fokusohet në startup-et e mbrojtjes.

Matthew Steckman, president dhe udhëheqës i biznesit në Anduril, një prej startup-eve më të mëdha të mbrojtjes, tha se Pentagoni po thjeshton mënyrën për blerjen e armëve po kompanitë ende po përballen me vështirësi që të marrin porosi të mëdha që do t’iu mundësonin që të zgjeronin aktivitetin.

“Nëse dua të bëhem kompani e aftë apo e qëndrueshme – që është ambicie e shumë kompanive – duhet të gjejë mënyrën se si t’i kalojë këto projekte me buxhete të vogla, për të kaluar tek ato të mëdha”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, Pentagoni shpenzojë rreth 2 miliardë dollarë në produkte nga startup-et e mbrojtjes – një pjesë shumë e vogël e buxhetit të tij prej 850 miliardë dollarësh, sipas Grupit të Mbrojtjes të Luginës së Silikonit, që është një organizatë jofitimprurëse e krijuar për të ndërtuar ura lidhjeje mes komunitetit të teknologjisë dhe Pentagonit.

Ndryshimi në qëndrimet e investitorëve ndaj industrisë së mbrojtjes ndodh në një kohë kur analistët paralajmërojnë se industria e mbrojtjes e SHBA-së nuk është e përgatitur për një konflikt të gjatë si ai në Ukrainë, ku për shembull, çdo muaj lëshohen dhjetëra mijëra dronë.

Sipas tyre, SHBA-ja për dekada të tëra ka prioritizuar sisteme me kosto të lartë e të sofistikuara, sikurse janë avionët F-35 apo raketat Patriot – armë që vështirë prodhohen shpejtë apo në masë të madhe.

“Në fizikën e re të fushëbetejës, nëse nuk mund të prodhosh, humb. Dhe çdo stërvitje ushtarake e dëshmon këtë”, tha Steckman.

Ai shtoi se ulja e kërkesave për performancë ekstreme mund të sjellë “fitime të mëdha në prodhim”.

Për shembull, raketat Barracuda-M të kompanisë Anduril kërkojnë vetëm 10 mjete për t’u ndërtuar, duke mundësuar prodhim në shkallë të madhe.

Shumë startup-e po ndjekin gjithashtu dizajne modulare, që e bëjnë më të lehtë zëvendësimin e pjesëve ose softuerit teksa ndryshojnë kushtet e betejës. Ky është një model i huazuar nga gjigantët komercialë si Apple dhe Tesla.

Startup-et po ashtu po përshpejtojnë zhvillimin dhe prototipet, duke anashkaluar rrugën tradicionale qeveritare të qeverisë që zgjatë me dekada.

Anduril përdori financim privat për të dizajnuar dhe për ta bërë gati për përdorim Roadrunner – një avion që mund të nisë fluturimin nga pozicioni vertikal – në vetëm dy vjet. Pentagoni e shpërbleu këtë përpjekje të kompanisë me një kontratë prej 250 milionë dollarësh për 500 Roadrunner, të cilët janë të aftë të shmangin kërcënimet në ajër.

Michael, shefi për kërkime në Pentagon, tha se ai dëshiron që më shumë kompani të përdorin kapitalin e tyre për të krijuar sisteme novatore.

“Qeveria nuk mund të marrë përsipër të gjithë rrezikun për projekte të tilla. Kur rreziku ndahet, kjo mund të sjellë shpejtësi që do të nxisë novacionin”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG