Ndërlidhjet

Rezistenca ndaj pushtimit rus që e vendosi Ukrainën në hartën e Perëndimit


Flamuri ukrainas i vendosur në hyrje të Kupianskit, qytetit të çliruar nga forcat ukrainase.
Flamuri ukrainas i vendosur në hyrje të Kupianskit, qytetit të çliruar nga forcat ukrainase.

Kur Deep Vellum – një shtëpi e vogël dhe e pavarur botuese, e bazuar në Dallas të Teksasit – ra dakord, tre vjet më parë, ta botonte një roman të autorit ukrainas Andrey Kurkov, plani ishte të botoheshin, si zakonisht për botime të reja, 2.000 kopje.

Por, kur libri u bë gati për publikim në mars të vitit 2022, bota kishte ndryshuar: Më 24 shkurt, Rusia kishte nisur një pushtim të paprovokuar të Ukrainës, që dominonte mediat perëndimore dhe nxiti një interes të paprecedentë për historinë dhe kulturën e Ukrainës.

Romani “Bletët e hirta” i Kurkovit, që përshkruan jetën në Donbas të Ukrainës – vendi ku filloi një luftë më 2014 dhe ku ndodhën disa nga luftimet më vdekjeprurëse – po "fluturonte nga raftet", tha themeluesi i Deep Vellum, Will Evans, për Radion Evropa e Lirë. Tani, një vit më vonë, është ende e vështirë të gjesh kopje të këtij libri në librari.

Deep Vellum ka shitur 20.000 kopje të librit “Bletët e hirta” që nga publikimi i tij dhe po printon mijëra të tjera shkaku i kërkesës së madhe. Libri i fundit i Kurkovit, një rrëfim personal i titulluar “Ditari i një pushtimi”, do të dalë në shitje në prill me 10.000 kopje, numri ky më i lartë që Deep Vellum ka botuar ndonjëherë për një libër të ri.

Ndërkohë, Voroshilovgrad, edhe një roman i Serhiy Zhadanit për jetën në Donbas para shpërthimit të luftës më 2014 e pas lëvizjeve të Moskës për të nxitur separatizmin ka qenë shumë i kërkuar, tha Evans, duke u shitur brenda 12 muajve të fundit aq sa gjatë gjashtë vjetëve të para pas publikimit.

“Në dhjetë vjetët e mia në këtë profesion, nuk kam parë kurrë një konflikt që ka ngjallur kaq më shumë interes për titujt letrarë sesa kjo luftë e tanishme”, tha Evans, i cili do të botojë dy libra të tjerë nga autorë ukrainas më vonë gjatë këtij viti dhe planifikon ta vazhdojë promovimin e shkrimtarëve ukrainas.

Ky interesim është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në ndërgjegjen e njerëzve në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe në mbarë botën. Në imagjinatën perëndimore, Ukraina ka qenë pothuajse gjithmonë nën hijen e Rusisë – fenomen që vazhdoi për pjesën më të madhe të tre dekadave që kur të dy vendet u bënë të pavarura, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, tani, qëllimi që synon nënshtrimin e Ukrainës ndaj Rusisë – për ta fshirë ose pakësuar dukshëm hapësirën që një vend dhe kultura e tij zënë në mendje dhe në harta – duket se e ka pasur efektin e kundërt. Në të gjithë Atlantikun dhe në mbarë botën, ndërgjegjësimi për Ukrainën dhe kulturën e saj po rritet, përderisa ukrainas po luftojnë për ta ruajtur sovranitetin dhe për ta rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

“E vetmja e mirë në [këtë luftë] është se bota tani e di se çfarë është Ukraina, ku është dhe çfarë përfaqëson”, tha Evans, duke shtuar se letërsia ukrainase po e luan një rol të rëndësishëm në “formimin e narrativit” për audiencat e huaja.

Andrey Kurkov (majtas) dhe Will Evans në Panairin e Librit ë Frankfurt. 19 tetor 2022.
Andrey Kurkov (majtas) dhe Will Evans në Panairin e Librit ë Frankfurt. 19 tetor 2022.

Edhe shtëpi të tjera të vogla botuese po nënshkruajnë marrëveshje me autorë ukrainas të tjerë dhe përkthyesit ukrainas thanë se tani janë të përmbytur me punë. Shtypi i Universitetit të Yale do ta publikojë së shpejti veprën "Qielli mbi Ukrainë" të Zhadanit, rrëfimin e tij personal për pushtimin, ndërsa Seven Stories Press do ta botojë një koleksion tregimesh të shkurtra nga autori dhe ushtari ukrainas, Artem Chapeye.

Ky interes i ngjallur për kulturën ukrainase shkon përtej letërsisë. Njerëzit në Perëndim po grumbullojnë libra mbi historinë e Ukrainës, po pyesin për artin dhe filmat ukrainas dhe po provojnë ushqimin ukrainas, në tentim për ta mbështetur dhe kuptuar Ukrainën.

Për më tepër, mijëra familje në SHBA dhe Evropë i kanë hapur dyert e tyre për refugjatët ukrainas, duke mësuar drejtpërsëdrejti për një vend për të cilin më parë dinin pak ose aspak.

Dështimi i Putinit

Për presidentin rus, Vladimir Putin, ndërgjegjësimi dhe interesimi në rritje për Ukrainën përfaqëson një dështim të plotë të asaj që mund të ketë qenë një nga synimet e tij kryesore: ta bindë botën se Ukraina nuk ka ekzistuar kurrë në të vërtetë dhe nuk mund të ekzistojë si asgjë tjetër veçse një pjesë ose një shtojcë e Rusisë.

Në vitin 2008, Putini i tha presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George W.Bush, se Ukraina “nuk ishte as edhe një vend”. Ai e përsëriti dhe e përforcoi këtë pretendim të rremë në vitet dhe muajt para shkurtit të vitit 2022 – duke përfshirë në një artikull të vitit 2021 në të cilin ai e përshkroi vendin si një “pjellje të periudhës sovjetike” dhe në një fjalim ogurzi, tre ditë para pushtimit, e përshkroi si “historikisht” ruse.

Ai gjithashtu ka pretenduar se ukrainasit dhe rusët janë “një popull”, duke nënkuptuar se ukrainasit nuk kanë histori dhe kulturë unike.

Në Ukrainë, forcat ruse kanë bombarduar muze, kanë plaçkitur objekte arti dhe kulturore, kanë bërë rusishten gjuhën kryesore të arsimit në territoret e pushtuara dhe kanë dëbuar fëmijë ukrainas në Rusi, veprim ky që Kievi ka thënë se është një përpjekje për ta zhdukur identitetin ukrainas.

Para nisjes së luftës në shkurt të vitit të kaluar, shumë njerëz në Perëndim nuk do të kishin reaguar lidhur me komentet e Putinit për Ukrainën – dhe disa madje i kanë bërë jehonë pohimeve të tij në mediat sociale dhe në televiozione.

Është e vështirë të gjenden shifra, por dëshmitë anekdotike sugjerojnë se shumë kohë pas rënies së Bashkimit Sovjetik të vitit 1991, shumë amerikanë dhe evropianë e shihnin Ukrainën si një pjesë të botës ruse, apo edhe pjesë të vetë Rusisë. Kishte shumë pak orë të historisë ukrainase në universitete dhe shumë pak promovim të letërsisë, artit ose filmave ukrainas në librari, muze dhe teatro.

Ukraina dhe shtetet e tjera ish-sovjetike ishin bërë "një Rusi e pafund" për shumë njerëz në Perëndim, tha historiani ukrainas Olesya Khromeychuk në një artikullit të publikuar në mars të vitit 2022.

Por, pushtimi rus dhe rezistenca e Ukrainës e kanë ndryshuar këtë.

Vitaly Chernetsky, një profesor i gjuhëve dhe letërsisë sllave në Universitetin Shtetëror të Kansasit, i lindur në Ukrainë, tha se për “shumë e shumë vite” ai duhej t'u përshkruante amerikanëve se çfarë është Ukraina dhe çfarë nuk është: Rusi. Kjo tani i përket të kaluarës.

“Nuk ka më nevojë të bëhet ai lloj shpjegimi”, tha Chernetsky për Radion Evropa e Lirë. Ukraina tani është “një vend konkret në mendjet e njerëzve të rëndomtë në SHBA”.

Numri i konsiderueshëm i flamujve ukrainas para shtëpive nëpër SHBA është një dëshmi e këtij ndryshimi.

Ukraina kishte qenë edhe një herë në qendër të vëmendjes amerikane disa vite më parë, kur vendi ishte përfshirë në çështjet e makinacioneve politike të SHBA-së që çuan në procedurat për shkarkimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë viteve 2019-2021.

Megjithatë, vëmendja ndaj Ukrainës tani është shumë më e madhe dhe ka rezultuar me një ndryshim më thelbësor në perceptime.

Librat të autorëve ukrainas të publikuara nga Deep Vellum, të shfaqura në Nju Jork.
Librat të autorëve ukrainas të publikuara nga Deep Vellum, të shfaqura në Nju Jork.

Drejtuesi kryesor i këtij ndryshimi mund të jetë fakti që brutaliteti i luftës së Rusisë – dhe rezistenca e jashtëzakonshme ndaj një sulmi që shumë besonin se do ta vinte menjëherë Ukrainën nën kontrollin e Moskës – shfaqen ditë e natë në mediat perëndimore.

“Zemrat e njerëzve anojnë shumë kah ukrainasit”, i tha Radios Evropa e Lirë Scott Eubanks, pronar i një galerie arti në Scottsdale të Arizonës, të specializuar në vepra arti nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ai tha se klientët “entuziazmohen” kur mësojnë se piktura që kanë zgjedhur ta blejnë është e një artisti ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka qenë kyç në këtë ndryshim. Ai i është drejtuar personalisht Kongresit amerikan, Parlamentit britanik dhe legjislaturave të tjera perëndimore; bisedoi me aktorë si Ben Stiller dhe Sean Penn; priti personalitetin televiziv amerikan David Letterman në një platformë të metrosë së Kievit; dhe eci me presidentin amerikan, Joe Biden, në Kiev këtë javë përderisa dëgjoheshin sirenat e sulmit ajror.

*Video: Vizita e Bidenit në Kiev

Biden në Kiev: Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Përpjekjet e diasporës ukrainase kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ngritjen e profilit të Ukrainës. Por, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe njerëz si Angela Boelens, një profesoreshë në SHBA e cila nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me Ukrainën.

Boelens, një banore e Ajovës, është njëra nga mijëra amerikanët që po presin vullnetarisht refugjatë ukrainas, përmes një programi të administratës së Bidenit. Organizata e saj jofitimprurëse IA NICE ka ndihmuar në rivendosjen e tetë familjeve ukrainase me pesë të tjera që vijnë, tha ajo.

Boelens bën rregullisht prezantime për Ukrainën, për konfliktin dhe për nevojat e refugjatëve. Këto prezantime ua shfaq njerëzve në komunitetin e saj, përfshirë këtu nxënësit dhe mësuesit nëpër shkolla.

Ajo tha se banorët vendas po arrijnë ta njohin Ukrainën edhe drejtpërdrejt nga refugjatët.

“Ne po mësojmë për atë që po ndodh atje. Dhe po mësojmë përmes njerëzve që vijnë”, tha Boelens për Radion Evropa e Lirë. “Të gjithë duan t’i njohin këta njerëz”.

"Nevoja për ta kuptuar historinë drejt"

Në universitetet dhe muzetë e SHBA-së, po ndodhin ndryshime thelbësore që po ndihmojnë në formimin e një perceptimi të ri për Ukrainën.

Shumë universitete u kanë dhënë studiuesve ukrainas pozita pune të përkohshme mësimore dhe kërkimore, ndërsa ofrojnë edhe kurse për historinë e Ukrainës dhe marrëdhëniet ruso-ukrainase.

Vjeshtën e vitit të kaluar, profesori i historisë në Universitetin Yale, Timothy Snyder, e zhvendosi kursin e tij të titulluar “Formimi i Ukrainës Moderne” në internet dhe e bëri pa pagesë në mënyrë që të arrihet një audiencë më e madhe.

Njëzetetre mësimet në këtë kurs – të cilat, ndër tjerash, i përgënjeshtrojnë pretendimet e rreme të Putinit për Ukrainën dhe historinë e saj – kanë marrë nga 140.000 deri në 1.5 milion shikime.

Muzeu i Artit Modern në Nju Jork, një nga muzetë më të vizituar në botë, ia kushtoi një galeri të tërë punës së artistëve ukrainas menjëherë pas fillimit të luftës.

Edhe disa muze më të vegjël në SHBA kanë mbajtur ekspozita të artit dhe fotografisë ukrainase, duke popullarizuar artistë të rinj si Mykyta Kadan.

Thames and Hudson, botues i librave të ilustruar të artit, sapo ka nxjerrë në shitje dy vepra kushtuar artit dhe kulturës ukrainase, duke përfshirë një që përkon me një ekspozitë të madhe evropiane të artit modernist ukrainas. Këta libra thuhet të jenë të parët që i kushtohen Ukrainës në 73 vjetët që nga themelimi i kësaj shtëpie botuese.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kulturës ukrainase ka ngjallur një interes për shumë fusha, veçanërisht në histori dhe art, ku ka pasur debate të drejtuara rreth ndikimit të kolonializmit rus.

Shumë artistë të lindur në Ukrainë gjatë periudhave cariste ose sovjetike janë cilësuar prej kohësh si rusë, por institucionet arsimore dhe kulturore tani i po rishikojnë të dhënat e publikuara.

Muzeu Metropolitan i Artit i Nju Jorkut kohët e fundit e riklasifikoi disa artistë, si Ivan Aivazovsky, Arkhyp Kuindzhi dhe Ilya Repin, si ukrainas dhe e riemëroi një pikturë të Edgar Degas të titulluar më parë “Valltarët rusë” në “Valltarët me veshje ukrainase”. Galeria Kombëtare e Britanisë muaj më parë e kishte riemërtuar të njëjtën pikturë.

Peter Doroshenko, drejtor i Muzeut të Ukrainës në Nju Jork dhe një përkrahës i ndryshimeve të tilla, i tha Radios Evropa e Lirë se pret që më shumë muze ta ndjekin këtë shembull.

“Lufta e ka ndryshuar në mënyrë dramatike nevojën për ta korrigjuar dhe për ta sqaruar historinë”, tha ai.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG