Ndërlidhjet

Lotaria Shtetërore maqedonase: Hetimet vazhdojnë, të dyshuarit ende në arrati


Ilustrim.
Ilustrim.

Me urdhër të Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, Policia Financiare po mbledh dokumentacion shtesë për një sërë çështjesh penale të hapura ndaj Lotarisë Shtetërore maqedonase. Po zhvillohen, gjithashtu, veprime parahetimore edhe për prokurime të tjera publike, të realizuara gjatë udhëheqjes së kaluar. Nga Artan Grubi dhe Përparim Bajrami - të akuzuar “për përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore - ende nuk ka asnjë gjurmë.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toçkovski, më 26 dhjetor të vitit të kaluar tha se “nëse nuk kthehet vullnetarisht, do ta gjejmë mënyrën e duhur për ta kthyer” – duke iu referuar ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili kishte kaluar kufirin me Kosovën dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi.

Kanë kaluar shtatë muaj nga ajo deklaratë, por Grubi nuk është kthyer në territorin e Maqedonisë së Veriut – të paktën fizikisht. Më 7 qershor, ai u shfaq virtualisht në Facebook dhe Instagram, duke ndarë urime për ditëlindje nga të afërmit dhe miqtë.

Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare kanë ngritur pesë kallëzime penale për keqpërdorime të supozuara në Lotarinë Shtetërore gjatë kohës që ajo udhëhiqej nga Përparim Bajrami. Për Bajramin dhe Grubin, gjykata kishte caktuar masën e paraburgimit në dhjetor të vitit të kaluar, por të dy mbeten të pakapshëm për autoritetet e drejtësisë.

Fletarrestime ndërkombëtare për Grubin dhe Bajramin
Fletarrestime ndërkombëtare për Grubin dhe Bajramin

Deri më tani, e vetmja deklaratë për vendndodhjen e mundshme të Artan Grubit ka ardhur nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti – i cili ka thënë se Grubi, që ndodhet gjithashtu në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, nuk është në Kosovë, por po fshihet në Shqipëri.

Megjithatë, edhe pas kaq kohe, askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht apo institucionalisht këtë pretendim të Mexhitit. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, as pas tetë muajsh nga arratisja e Grubit, ende nuk e di me saktësi se ku ndodhet ai.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet përkatëse të vendeve ku, sipas informacioneve operative, mund të gjendet personi. Në rast të lokalizimit të tij, do të merren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ta kthyer atë në vend”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve shtesë – nëse është kryer ndonjë analizë teknike apo operative për të identifikuar vendndodhjen nga e cila Grubi ka shpërndarë urimet në rrjetet sociale.

Po ashtu, nuk kanë dhënë përgjigje as për të dhënat e fundit lidhur me vendndodhjen e mundshme të ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Bajrami, ndaj të cilit janë ngritur pesë kallëzime penale për keqpërdorime.

Për dy bashkëpunëtorë të përfshirë në kallëzimin penal për blerjen e aparateve të lotarisë elektronike është shpallur fletarrestim ndërkombëtar, dhe ata po kërkohen në koordinim me Interpolin dhe forcat policore të vendeve të tjera.

Ndryshe nga Bajrami, Grubi kishte ndihmë për të kaluar kufirin. Konsulli i nderit i Kosovës, njëherësh biznesmen, Arsim Papraniku, e kishte transportuar Grubin me veturë diplomatike përtej kufirit maqedono-kosovar, pak para se policia të ndërhynte.

Pas kthimit në Maqedoninë e Veriut, Papraniku u thirr për t’u marrë në pyetje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, policia nuk konstatoi përgjegjësi të tij.

“Në lidhje me personin për të cilin pyetni, ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk po zhvillon asnjë procedurë”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë.

Aktakuza për veprimtari online, pajisje VLT, qira, televizorë dhe softuer të lotarisë

Ndërkohë që Grubi dhe Bajrami janë ende të lirë, institucionet po përpiqen të zbërthejnë një rrjet të ndërlikuar korrupsioni, i cili, sipas hetimeve, është realizuar përmes shpalljeve publike, prokurimeve dhe zgjidhjeve ligjore.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare deri më tani kanë dorëzuar pesë kallëzime penale për veprimtari të paligjshme në Lotarinë Shtetërore gjatë kohës sa ajo drejtohej nga Bajrami.

Ato lidhen me blerjen e terminaleve të lotarisë elektronike (VLT) në vlerë mbi tetë milionë euro, ndarjen e jashtëligjshme të licencave për katër kompani me kapital të përzier publik dhe privat për organizimin e lojërave të fatit online, qira të paktën dyfish më të shtrenjta për hapësira afariste në lagjen Vizbeg të Shkupit, dhe një tender për blerjen e televizorëve.

Kallëzimi më i fundit penal i Ministrisë së Brendshme, i paraqitur rreth një muaj e gjysmë më parë, është kundër gjashtë personave, përfshirë edhe Bajramin.

Si kryetar i Bordit Drejtues, Bajrami ka “shkurtuar kohëzgjatjen e kontratës për marrjen me qira të softuerit për sistemin e lotarisë në vetëm një vit, duke dyfishuar vlerën e vlerësuar të blerjes, dhe ka lidhur kontratë me një subjekt tjetër juridik nga Serbia”. Dëmi, sipas raportit të MPB-së, kap shumën prej 192 mijë eurosh.

Artan Grubi, foto arkivi.
Artan Grubi, foto arkivi.

Sa u përket tenderëve në Shoqërinë Aksionare të Lotarisë Shtetërore, Policia Financiare tashmë ka dorëzuar kallëzime penale kundër Bajramit, pronarit të kompanisë “Ritron Kopi”, Artan Ajruli, si dhe dy drejtorëve të tjerë në Lotarinë Shtetërore.

Ajruli është arrestuar dhe dyshohet për manipulim tenderësh në blerjen e televizorëve, printerëve, pajisjeve kompjuterike dhe të komunikimit për nevojat e Lotarisë Shtetërore. Gjykata Penale në Shkup e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për t’ia konfiskuar pasaportën dhe për t’i caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në gjykatë.

Prokuroria Publike thotë se po ndërmerr veprime lidhur me këtë rast.

“Po sigurohen dëshmi për hetimin e plotë të rastit, pastaj do të urdhërohet ekspertiza përkatëse. Masat janë caktuar nga gjykata, e cila është kompetente për zbatimin ose ndryshimin eventual të tyre gjatë procedurës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Radion Evropa e Lirë.

Policia Financiare, ndërkaq, thekson se tenderi i lidhur me “Ritron Kopi”-n nuk është i vetmi që po hetohet.

“Mund të konfirmojmë se aktualisht janë duke u zhvilluar verifikime dhe veprime parahetimore lidhur me procedura të tjera të prokurimit publik të realizuara nga Lotaria Shtetërore, përveç atyre për të cilat tashmë kemi dorëzuar kallëzime penale”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga kjo drejtori.

Pronari i “Ritron Kopi”-t, Artan Ajruli (majtas), dhe Përparim Bajrami (djathtas) – ilustrim.
Pronari i “Ritron Kopi”-t, Artan Ajruli (majtas), dhe Përparim Bajrami (djathtas) – ilustrim.

Ky institucion është duke kryer verifikime shtesë dhe veprime të tjera me urdhër të prokurorit publik kompetent, në lidhje me rastin e marrjes me qira të një hapësire afariste në një ish-restorant dasmash në Vizbeg të Shkupit – kontratë të cilën qeveria e ka ndërprerë.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse hetimet do të zgjerohen edhe ndaj personave dhe kompanive të tjera, përveç Bajramit, Prokuroria Publike u përgjigj se “nuk mund të parashikojë se çfarë do të rezultojë nga këto verifikime, por pas hetimit të plotë të rastit, do të veprojë në përputhje me kompetencat ndaj çdo personi për të cilin konstatohet dyshimi për vepër penale”.

Në rastin më të madh të lidhur me Lotarinë Shtetërore, që ka të bëjë me blerjen e pajisjeve për lotarinë elektronike në vlerë mbi 8 milionë euro – për të cilin procedura hetimore është ende në zhvillim – prokurorët kanë kërkuar kohë shtesë për hetim.

“Meqë të dyshuarit, përkundër fletarrestimeve të lëshuara me kërkesë të prokurorisë, ende nuk janë të kapshëm për organet e zbatimit të ligjit, prokurorët publikë kanë kërkuar zgjatje të afatit hetimor. Ndërkohë është hapur një hetim financiar dhe janë dhënë udhëzime shtesë për Policinë Financiare për të vepruar në këtë drejtim”, njoftoi Prokuroria Publike.

Pas ndërprerjes së kontratës nga shteti me kompaninë “Hey dooel” për qiranë e hapësirës afariste, qindra pajisje – të cilat janë objekt i hetimit – janë transportuar me kamionë nga ish-restoranti në Vizbeg në një depo private, për të cilën Shoqëria Aksionare e Lotarisë paguan qira.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG