Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës reagon pas lirimit të shtetasve serbë


Fotografi ilusturese.
Fotografi ilusturese.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se dy qytetarë serbë të arrestuar më 6 prill në Prizren, janë liruar në mungesë të provave, duke nxitur reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë në detyrë.

“Është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Këtë vendim, Prokuroria tha se e ka ndërmarrë pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë dhe analizimit të të gjitha provave.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, e kritikoi Prokurorinë për lirimin e tyre, dukë shkruar në Facebook se ata u liruan “pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm”.

Ajo nuk dha dëshmi për provat, por e përsëriti se ata “kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë”.

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, e shpërndau reagimin e Haxhiut dhe e citoi një fjali të saj: “Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona, sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”.

Më 5 dhe 6 prill, në Prizren dhe Gjakovë, policia arrestoi 16 qytetarë serbë, përfshirë serbë nga Kosova dhe Serbia.

Sveçla tha më 6 prill se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara, të cilat kishin targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.

Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë.

Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.

Sveçla tha se ata dyshoheshin se kishin për qëllim “mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme,” pasi sipas tij, ishin “gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës serbe.”

Ministri Sveçla, në reagimin e tij, po ashtu tha se të arrestuarit kishin ndërlidhje me anëtarë të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, që kryen sulmin e armatosur në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Gjatë ndalimit të njërit grup në Gjakovë, policia gjeti një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë.

Personave që nuk i deklaruan këto armë të ftohta, Gjykata Themelore në Gjakovë ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, sipas gjykatës, iu caktua masa e paraburgimit për shkak të “dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Arrestimi nxiti reagime në Beograd ku zyrtarët atje, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq që tha se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG