Ndërlidhjet

DASH: Liritë fetare me shumë probleme në Kosovë


Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje që të ketë ligje të mira sa i përket të drejtave fetare mirëpo në shumë raste këto të drejta u janë mohuar besimtarëve të religjioneve të ndryshme në Kosovë.

Në raportin për vitin 2017 të DASH-it për tolerancën fetare në botë, flitet edhe për mbështetjen financiare që Qeveria e Kosovës iu bënë institucionit të edukimit islam, BIK, Medresës në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.

Megjithatë për këtë fakt në raport thuhet se janë ankuar grupe e tjera religjioze të cilat nuk marrin mbështetje financiare.

“Disa pjesëtarë të grupeve të tjera dhe përfaqësues të tjerë jofetarë kanë thënë se ata ishin të shqetësuar se qeveria nuk e kishte financuar edukimin religjioz për grupet e tjera fetare”, thuhet në raport.

Më tej, thuhet se qeveria ka punuar së bashku me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Shoqërinë Civile në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Si pjesë e strategjisë së qeverisë, BIK thuhet se ka mbajtur sesione në Medrese dhe Fakultetin e Studimeve Islame me qëllim të njoftimit të të rinjve që të mos bien pre e ekstremizmit.

Në raport përmendet edhe raportimi i mediave për presionin që qeveria turke iu kishte bërë institucioneve të Kosovës për t’i mbyllur shkollat e lidhura me klerikun mysliman, Fethullah Gylen.

Raporti përmend disa herë Lëvizjen Vetëvendosje, në veçanti rastin kur një anëtar i këtij subjekti politik kishte paralajmëruar zhdukjen e Izraelit.

“Më 29 korrik, partia nacionaliste Vetëvendosje, kandidati për kryetar komune (Rahovec), Fisnik Korenica, kishte shkruar në Facebook se shumë shpejt Izraeli do të “zhdukej nga faqja e dheut”, si përgjigje ndaj incidenteve në Jerusalem”, thuhet në raport.

Vetëvendosje poashtu përmendet edhe për incidentin në Gjakovë kur sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë të kuqe në autobusin ku gjendeshin pelegrinët duke dëmtuar dritaret dhe duke shkruar me sprej në murin e jashtëm të kishës fjalën “vrasës”. Policia shpërndau protestuesit dhe arrestoi shtatë nga ata për mosbindje ndaj urdhrave të policisë dhe vandalizëm”, thuhet në raport.

Pavarësisht nga një vendim i presidentit të shpallur në nëntor 2016 për të ndaluar shitjen dhe shpërndarjen e librave anti-semitikë, deri në fund të vitit qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim administrativ për zbatimin e vendimit, konstaton raporti.

Raporti thotë se ka pasur raste të dhunës me bazë fetare, ndërhyrje në pelegrinazhet fetare, gjuhë të urrejtjes dhe vandalizëm.

Dy bashkësitë fetare, BIK dhe Kisha ortodokse serbe kritikuan mediat për nxitje të një klimë jotolerante. BIK-u tha se mediat përgjithësisht portretizuan myslimanët në mënyrë negative, ndërkohë që Policia e Kosovës raportoi 44 incidente që synonin dëmtimin e pronës fetare, vjedhje dhe grafite gjatë vitit 2017.

Sipas raportit në shumë shkolla zyrtarët i kanë ndaluar nxënëset të veshin rroba fetare në objektet shkollore. Drejtorët e shkollave po ndjekin një urdhëresë administrative të lëshuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. BIK-u ka raportuar për disa raste kur vajzat janë larguar nga mësimi ose janë detyruar t’i heqin shamitë nga koka.

“BIK-u ka raportuar diskriminim në punësim ndaj besimtarëve të devotshëm myslimanë, posaçërisht në sektorin e edukimit, duke përmendur rastin e një mësueseje në një shkollë publike në Prizren e cila refuzoi ta heq shaminë në punë.”

Raporti thotë se Komuna e Prishtinës ka vazhduar që mos të lejojë Kishën Serbe të bëjë meremetime në objektin e Kishës Ortodokse në Kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Raporti shkruan se komuniteti protestant ka pasur vështirësi në shumë komuna të Kosovës si për caktimin e vendit të varrezave ose të marrë leje për ndërtimin e kishave protestante.

“Edhe pse pronë publike, jozyrtarisht BIK kontrollon varrezat e qytetit (në Prishtinë). BIK nuk ka lejuar të vendoset kryqi në disa varreza, ka pasur taksë për jo-myslimanët për shërbimet e varrimit dhe në disa raste u ndaluan ritet e tyre të krishtera”.

Raporti thotë se ende nuk ka filluar ndërtimi i xhamisë në Prishtinë e cila “sipas planeve do të jetë më e madhja në Ballkan”.

Në Kosovë jetojnë rreth 1.9 milion banorë nga ta 95.6 janë myslimanë, 2.2 përqind katolikë si dhe 1.4 përqind i përkasin besimit ortodoks të përfaqësuar nga serbët.

Pakica serbe nuk i pranon këto të dhëna sepse ata nuk kanë marr pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 duke thënë se ka më shumë serbë në Kosovë sesa janë regjistruar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG