Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Darko Kostadinovski, njoftoi të hënën se seanca përgatitore e Ligjit për përdorimin e gjuhëve pritet të mbahet në periudhën prej 19 deri më 21 mars të vitit të ardhshëm.
Sipas tij, janë propozuar mbi 20 emra si ekspertë të së drejtës kushtetuese, të drejtës ndërkombëtare dhe ish-gjykatës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilët do të ftohen për t’i dhënë mendimet e tyre. Finalizimi dhe publikimi i këtyre propozimeve, së bashku me çështje kontestuese juridike, pritet të bëhen të martën, më 24 dhjetor.
“Kushdo që mendon se, sundimi i ligjit dhe shteti ligjor do të pengohet nga manipulimet, presionet dhe ndikimet politike, e ka të kotë! Askush nuk është mbi Kushtetutën. Të gjithë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën”, deklaroi Kostadinovski gjatë një konference për media.
Ai shtoi se Kushtetuesja ka kërkuar edhe "këshilla miqësore – (amicus curiae)" nga Komisioni i Venecias, që do të miratohen në seancën e 14 dhe 15 marsit, dhe do të publikohen disa ditë më vonë (17 – 18 mars), para seancës.
Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shtyjë seancën për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, për shkak se munguan dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, duke e bojkotuar kështu procesin.
Kostadinovski deklaroi se pret që të dy gjykatësit të jenë të pranishëm në seancën e ardhshme dhe t’i paraqesin argumentet e tyre juridike.
"Minimumi i kuorumit për punën e Gjykatës Kushtetuese është pesë gjyqtarë, vendimet merren me pesë vota, përveç nëse kërkohet shumicë e kualifikuar. Seanca përgatitore do të mbahet nëse plotësohen kushtet e minimumit të gjyqtarëve të pranishëm për punë", tha ai.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili përbëhet nga 25 nene, është miratuar në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019.
Kreu i Kushtetueses, Kostadinovski, bëri të ditur gjithashtu se në seancën përgatitore të muajit mars, të pranishme do të jenë edhe 13 iniciativat që kundërshtojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, mes tyre edhe parti politike.
Me 13 iniciativat kundërshtohet jo vetëm emri i Ligjit, por edhe të gjitha 25 nenet e tij, përfshirë zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset gjyqësore, në bankënota, uniforma policore dhe në lëshimin e dokumenteve personale në dy gjuhë.
Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.
Komisioni, atëbotë, vlerësoi se në disa fusha ligji mund të shkojë shumë larg duke u imponuar institucioneve publike detyrime juridike të parealizueshme, veçanërisht në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore.
Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut.
“Balancuesi” ishte një mekanizëm që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore në këtë vend.