Edhe pse Kosova ka Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra penale, ai nuk i ka penguar këta të fundit që t’u afrohen viktimave - madje as në raste kur ato kanë pasur urdhër mbrojtës nga gjykata.
Më 30 nëntor, një grua 35 vjeçe, shtatzënë, është vrarë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Krimi, i cili dyshohet se është kryer nga bashkëshorti i saj, ka ndodhur me gjithë faktin se viktima ka pasur urdhër për mbrojtje nga policia.
Raste të ngjashme - kur vrasësit e dyshuar ose të dënuar të grave kanë pasur dosje në polici - kanë ndodhur në Kosovë edhe më herët.
Ekspertët besojnë se shumë prej tyre do të mund të shmangeshin nëse institucionet e sigurisë do të zbatonin Ligjin për mbikëqyrje elektronike, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015.
Por, institucionet përgjegjëse, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, prokuroritë, gjykatat dhe Shërbimi Korrektues, “kanë dështuar” në zbatimin e tij, ka konstatuar një raport i Komisionit Parlamentar për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, në korrik të vitit 2022.
Raporti ka nxjerrë në pah se asnjë nga këto institucione nuk ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave e as nuk ka ndarë mjete për të blerë byzylykë dhe pajisje të tjera të nevojshme për zbatimin e ligjit.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se deri në fund të vitit 2023 do të nisë aplikimin e mbikëqyrjes elektronike të të dyshuarve ose të akuzuarve për vepra penale.
Çfarë është monitorimi elektronik?
Me Ligjin për mbikëqyrje elektronike në Kosovë, gjykata vendos për mbikëqyrje elektronike të dikujt me kërkesën e prokurorit, personit, mbrojtësit të tij, prindërve, apo kujdestarit të personit të mitur.
Për të realizuar monitorimin elektronik nevojiten disa pajisje dhe softuerë, përfshirë byzylykun që i vendoset personit të monitoruar në dorë ose në këmbë dhe me të cilin monitorohen lëvizjet e tij nga distanca. Monitorimi përcillet edhe me pajisje që e sinjalizojnë policinë dhe në disa raste viktimën se i dyshuari është duke hyrë në zonën që ia ka ndaluar gjykata.
Ekzistojnë disa forma të monitorimit elektronik, ku bën pjesë edhe gjurmimi me valë satelitore.
Sipas Komitetit Evropian për Problemet e Krimit, monitorimi elektronik si term i referohet monitorimit të lokacionit, lëvizjes dhe sjelljes specifike të personave të caktuar.
Ligji u votua, por s’u blenë pajisjet
Albana Hasani, nga Lëvizja ‘FOL’, autore e raportit “Byzylykët elektronikë: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, thotë se përveç argumentit se pajisjet për monitorim elektronik janë të shtrenjta, ka pasur edhe neglizhencë institucionale që ka çuar në moszbatimin e Ligjit për mbikëqyrje elektronike.
“Për shkak të kostos së këtyre pajisjeve, institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për krijimin e kushteve për zbatimin e ligjit. Kostoja e pajisjeve duket se është shumë e lartë, e sidomos mirëmbajtja”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të gjeturave të raportit të saj, kostoja në Shqipëri për një njësi monitorimi në vitin 2017 ka shkuar deri në 9.000 euro.
Megjithatë, thotë Hasani, praktikat nga vendet që e aplikojnë monitorimin elektronik, tregojnë se ato kanë efekt të ndjeshëm në zvogëlimin e rasteve të dhunës në familje.
Ajo përmend rastin e Suedisë - një prej shteteve të para në BE që ka filluar t’i përcjellë lëvizjet e të dyshuarve në mënyrë elektronike.
- Jeta plot dhimbje e Shkëlqimit pasi ia vranë motrën
- Normalizimi i dhunës që mund të çojë në vrasje
- Faktet kryesore që duhet t’i dini rreth femicidit
Hasani thotë se kjo metodë është treguar efektive në uljen e numrit të viktimave në përgjithësi dhe të rasteve të dënimit me burgim efektiv.
Ajo shpreh bindjen se monitorimi i të dyshuarve do të mund të parandalonte edhe ndonjë rast të vrasjes së grave në Kosovë.
“Viktima mund të ketë një lloj garancie, meqenëse, në këtë mënyrë, dhunuesi e ka të vështirë t’i afrohet asaj”, thotë Hasani.
Lavdim Makshana, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë po ashtu se monitorimi elektronik i personave të dyshuar për vepra penale do të ndihmonte në parandalimin e rasteve të dhunës në familje.
“Jo të gjitha rastet mund të parandalohen, por, në njëfarë mënyre, do t’i ndihmonte institucionet përgjegjëse në mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve, me një vendim gjyqësor, u është lëshuar ky urdhër, që të jenë nën mbikëqyrje”, thotë Makshana për Radion Evropa e Lirë.
Tre milionë euro për fillim të monitorimit
Pas rastit të vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, Qeveria e Kosovës tha se do të bëjë përpjekje që, deri në fund të vitit të ardhshëm, të funksionalizojë sistemin e monitorimit elektronik të personave të dyshuar për vepra penale.
Ajo paralajmëroi se do të ndajë tre milionë euro për t’i blerë byzylykët dhe pajisjet e tjera të nevojshme.
Nazlie Bala, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se monitorimi elektronik nuk është zbatuar deri më tani, sepse qeveritë e kaluara, sipas saj, nuk kanë bërë asnjë veprim në drejtim të shtrirjes së infrastrukturës, blerjes së pajisjeve e as trajnimit të stafit për këtë qëllim.
“Fare nuk është punuar në këtë drejtim nga qeveritë e kaluara. Është tepër me rëndësi që tashmë kemi një zotim nga ana e Qeverisë për ndarjen e buxhetit për mbikëqyrjen elektronike, që i ka munguar Kosovës në momentin kur edhe ka hyrë në fuqi ligji”, thotë Bala.
Ajo shton se Qeveria synon të aplikojë teknologjinë më të fundit sa i takon monitorimit elektronik.
“Ne besojmë se kapacitetet njerëzore veçse ekzistojnë në Policinë e Kosovës, por duhet pjesa e avancimit apo trajnimeve sa i përket mbikëqyrjes elektronike, pajisjeve monitoruese, që duhet të vendosen gati në të gjitha stacionet policore, dhe po ashtu byzylykëve që vendosen në dorën apo këmbën e të dyshuarit”, thotë Bala.
Nga viti 2015, kur ka hyrë në fuqi Ligji për mbikëqyrje elektronike, në Kosovë janë vrarë 32 gra.
Të dyshuar ose të dënuar për vrasje kanë qenë kryesisht bashkëshortët e tyre.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, rastet e dhunës në familje janë në rritje.
Nga 2.069 raste të tilla të raportuara në vitin 2020, numri i tyre ka arritur në 2.273 vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti.
Vetëm në vitin 2022 janë vrarë tri gra - për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.