Ndërlidhjet

Liderët e G20-ës nuk e dënojnë Rusinë për luftën në Ukrainë, bëjnë thirrje për paqe


Disa nga liderët e vendeve të G20-ës, gjatë samitit të Nju Delhit, 9 shtator 2023.
Disa nga liderët e vendeve të G20-ës, gjatë samitit të Nju Delhit, 9 shtator 2023.

Grupi i 20 kombeve e miratoi një deklaratë të përbashkët gjatë një samiti të shtunën në Nju Delhi, në të cilën nuk e dënoi Rusinë për luftën e jashtëligjshme në Ukrainë, por vetëm u bëri thirrje të gjitha shteteve të përmbahen nga përdorimi i forcës për të zaptuar territore.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, njoftoi se Deklarata e Liderëve u miratua në ditën e parë të samitit të fundjavës në Nju Delhi.

“Falë punës së zellshme të të gjitha ekipeve, ne arritëm konsensus për Deklaratën e Samitit të Liderëve të G20-ës. Njoftoi se kjo deklaratë është miratuar”, tha Modi para liderëve, përfshirë para presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe krerëve të qeverive dhe shteteve nga e gjithë bota.

Ky pajtim mes vendeve është goxha befasi, duke qenë se grupi i G20-ës është thellësisht i ndarë rreth luftës në Ukrainë.

Vendet e Perëndimit kishin bërë trysni në fillim për ta dënuar fuqishëm Rusinë në Deklaratën e Liderëve pas samitit, derisa vendet e tjera kërkuan përqendrim më të madh në çështjet ekonomike.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve t’i ruajnë parimet e ligjit ndërkombëtar, përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin, të drejtën humanitare ndërkombëtare, dhe sistemin multilateral që ruan paqen dhe stabilitetin”, thuhet në Deklaratën e Liderëve.

“Ne.. i mirëpresim të gjitha nismat relevante dhe konstruktive që e mbështetin një paqe gjithëpërfshirëse, të drejt dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Përdorimi i apo kërcënimi me armë bërthamore është i papranueshëm”.

Megjithatë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se deklarata dëshmoi qëndrimin e qartë në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke thënë se integriteti territorial i vendeve nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes dhunës.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha se deklarata kishte “një gjuhë të fuqishme për luftën e jashtëligjshme të Rusisë në Ukrainë”.

“Mendoj se rezultati është i mirë dhe i fortë”, tha ai.

Nuk ka pasur reagime të menjëhershme nga Rusia, e cila po përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Ai kishte paralajmëruar se do ta bllokonte Deklaratën e Lidervë, nëse në të nuk pasqyrohet qëndrimi i Moskës rreth Ukrainës dhe krizave të tjera.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë vendosur të mos marrin pjesë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka qenë i pranishëm vazhdimisht në samitet ndërkombëtare, përfshirë në atë të G20-ës vitin e kaluar në Indonezi, qëkur Rusia e pushtoi vendin e tij para më shumë se 18 muajve, nuk u ftua nga qeveria e Mondit për tubimin e këtij viti.

Si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2022, dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur dhe ekonomia ka përjetuar kaos në gjithë botën. Moska e mohon se po kryen krime gjatë konfliktit, të cilin e quan si “operacion i veçantë” për “demilitarizimin” e Ukrainës.

Në Deklaratën e Liderëve u bë thirrje, po ashtu, për zbatimin e marrëveshjes së Detit të Zi për eksportimin e sigurt të drithërave dhe produkteve ushqimore e të tjera nga Ukraina dhe Rusia.

Moska u tërhoq nga kjo marrëveshje në korrik të këtij viti, pasi u ankua se kërkesat e saj nuk ishin zbatuar për zbatimin e një marrëveshje paralele për relaksimin e rregullave eksportimin e mallrave dhe produkteve ushqimore të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG