Ndërlidhjet

Kllokoqi: Liberalizimi i energjisë sjell kursim, investime dhe inovacion


Shtyllat elektrike të tensionit të lartë afër Obiliqit. Fotografi nga arkivi.
Shtyllat elektrike të tensionit të lartë afër Obiliqit. Fotografi nga arkivi.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një mundësi për zhvillim, vlerëson eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ky hap mund të sjellë kursime për bizneset, investime të reja dhe nxitje të inovacionit.

Pavarësisht sfidave, eksperti i lartë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë vlerëson se tregu i hapur është rruga më e qëndrueshme për të ardhmen e sektorit të energjisë.

Bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në tregun e hapur të energjisë, duke u dhënë fund çmimeve të rregulluara nga institucionet shtetërore.

Subjektet ekonomike e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke kërkuar shtyrjen e tij deri në një përgatitje më të mirë.

Arben Kllokoqi.
Arben Kllokoqi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kllokoqi, bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në treg të hapur të energjisë elektrike. A mendoni se vendi ka qenë i përgatitur për këtë hap?

Arben Kllokoqi: Hapja e tregut të energjisë dhe reformat në sektorin e energjisë burojnë nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, të përqafuara nga Kosova përmes Traktatit të Komunitetit të Energjisë që nga viti 2005.

Kjo hapje është kërkesë ligjore që nga viti 2016. Edhe pse faza e parë ka nisur mirë, hapi i dytë është përballur me një debat nganjëherë tejet konstruktiv, e nganjëherë i ngarkuar politikisht, duke krijuar pasiguri.

Në përgjithësi, është e vështirë të përcaktohet momenti ideal për një hap të tillë. Për shembull, para krizës energjetike të vitit 2021, çmimet ishin më stabile dhe relativisht të ulëta, duke e bërë më të favorshme daljen në treg të lirë.

Pas krizës, çmimet janë bërë më të paqëndrueshme dhe më të larta mesatarisht, por, nga ana tjetër, ka më shumë furnizues dhe më shumë përgatitje, përfshirë edhe bursën ALPEX, si mekanizëm për shitblerje të energjisë elektrike.

Duhet theksuar se edhe më herët ka qenë e mundur për bizneset të dalin në treg të lirë. Nga 1 qershori, disa biznese nuk mund të furnizohen më me çmime të rregulluara bazuar në shërbimin universal, por vetëm me çmime tregu. Megjithatë, në mënyrë vullnetare, ato kanë pasur mundësi ta ndërmarrin këtë hap shumë më herët.

Tani, edhe pse disa kushte janë më të favorshme - si më shumë furnizues, funksionimi i ALPEX-it, kontrolli i zonës tregtuese dhe linjave ndërkufitare, transparenca në çmime, etj. - nuk mund të neglizhohet fakti që bizneset po përballen me një ambient të ri, që i ekspozon më shumë ndaj rrezikut të çmimeve të tregut.

Nga këndvështrimi i sektorit të energjisë, kjo hapje është më se e nevojshme. Pavarësisht sfidave, ajo krijon mundësi për kursim, optimizëm, investime në vetëkonsum dhe, në përgjithësi, në inovacion.

Radio Evropa e Lirë: A ka Kosova infrastrukturë dhe kapacitete të mjaftueshme për të mbështetur një treg të lirë dhe konkurrues të energjisë?

Arben Kllokoqi: Duke qenë se kjo është një kërkesë ligjore, shpresoj se aspektet e infrastrukturës janë marrë në konsideratë. Si ekspert i fushës, nuk shoh arsye pse Kosova të mos e implementojë tregun e lirë, kur i njëjti mekanizëm funksionon prej kohësh në vendet e BE-së dhe në rajon.

Kosova ka pasur sfida, veçanërisht për shkak të tarifave të ulëta të rregulluara, të cilat nuk kanë nxitur kursim, optimizëm apo investime në prodhim dhe rehabilitim. Megjithatë, zhvillimet e fundit, si krijimi i ALPEX-it, integrimi me tregun e Shqipërisë, rritja e transparencës, kontrolli i linjave ndërkufitare dhe rritja e numrit të furnizuesve, krijojnë një bazë solide për liberalizimin e tregut.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë janë të licencuara 22 kompani furnizuese, por vetëm pesë nga to, aktualisht, mund ta ofrojnë këtë shërbim për rreth 1.300 biznese të mëdha. A është i mjaftueshëm ky numër?

Arben Kllokoqi: Numri i furnizuesve nuk pasqyron domosdoshmërisht likuiditetin e tregut. Nuk e di se në çfarë mase bizneset kanë filluar të kërkojnë oferta para afatit të liberalizimit, meqë e ceka më herët, bizneset kanë pasur të drejtë të dalin në treg të lirë.

Unë, personalisht, kam pasur mundësi të shoh disa oferta, dhe në njërën prej tyre më ka befasuar mungesa e qartësisë. Nuk dua të paragjykoj, por oferta i referohej një indeksi për koston e energjisë pa saktësuar nëse ishte mujor, javor, ditor apo orë për orë. Gjithashtu, indeksi për koston ndërkufitare ishte i paqartë.

Ofertat duhet të jenë të qarta. Nëse nuk janë me çmim fiks, duhet të shoqërohen me formula të sakta për përllogaritjen e çmimit. Konsumatori mund ta optimizojë konsumin duke pasur ofertë të qartë. Rregullatori ka autoritet të monitorojë tregun dhe të ndërmarrë masa nëse konstaton abuzime.

Radio Evropa e Lirë: Çmimi i ofruar nga disa kompani, sipas bizneseve në Kosovë, është mbi 260 euro për megavat. Sipas jush, a është i lartë ky çmim dhe pse është në këtë nivel?

Arben Kllokoqi: Nuk do të ishte profesionale të komentoj direkt mbi nivelin e çmimeve, por do të habitesha nëse nuk ka apo nuk do të ketë oferta më të leverdishme. Duhet pasur parasysh se shtyrjet e mëparshme mund të kenë krijuar pasiguri për furnizuesit.

Konfirmimi se vendimi po implementohet dhe se konsumatorët po furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (KEK-u) apo furnizues të tjerë, krijon më shumë siguri dhe shpresoj të sjellë oferta më të mira.

Gjithashtu, është e rëndësishme të mos harrojmë kualitetin e shërbimit. Në treg të hapur, ku çmimi nuk përmban elemente subvencionuese, duhet të ketë mekanizma për të garantuar cilësinë e furnizimit dhe kompensimin në rast të ndërprerjeve apo devijimeve.

Negocimi duhet ta përfshijë edhe këtë, jo vetëm çmimin.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të ketë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndonjë çmim tavan apo ta monitorojë tregun në mënyrë që të mos keqpërdoret situata?

Arben Kllokoqi: Në tregun me shumicë ekzistojnë tavane çmimesh, por ato janë zakonisht shumë të larta. Në tregun me pakicë (tregun e konsumit) nuk ka praktikë për vendosje të tavaneve. Roli i Rregullatorit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për monitorimin e tregut, çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.

ZRRE-ja mund të vlerësojë nëse ka pasur abuzime, duke krahasuar çmimet e ofruara me ato të tregut vendor dhe rajonal. Një praktikë e mirë që mund të zbatohet, është krijimi i një mjeti për krahasim çmimesh, që do t’i ndihmonte si konsumatorët, ashtu edhe furnizuesit në rritjen e transparencës.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e mundshme nëse liberalizimi i tregut të energjisë zbatohet para se të jenë përmbushur kushtet e nevojshme, ashtu siç po pretendojnë subjektet ekonomike në Kosovë?

Arben Kllokoqi: Megjithëse sfidat ekzistojnë, mendoj se ka zhvillime te mira për ta përballuar këtë proces më mirë se disa vite më parë. Do të ishte ideale që liberalizimi të bëhej në mënyrë vullnetare, pra bizneset të kishin kontraktuar furnizues më herët dhe të mos prisnin afatin e fundit.

Kjo sjell stres shtesë, rrit rrezikun dhe çmimet. Furnizuesit nuk e kanë të qartë portofolin e tyre deri në momentin e fundit dhe ekspozohen ndaj paqëndrueshmërisë së tregut. Bizneset, nga ana tjetër, nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i analizuar ofertat.

Objektivi afatgjatë i Direktivave të BE-së dhe i Komunitetit të Energjisë është që të gjithë konsumatorët të furnizohen në treg të lirë. Konsumatorët në kushte të vështira ekonomike duhet të përfitojnë mbështetje të targetuar nga burime të tjera, ndërsa çmimi duhet të përcaktohet në treg.

Nuk mund të presim investime derisa funksionojmë me çmime të rregulluara që shpesh janë nën kosto. Vetëm çmimet e tregut mund të nxisin investime që garantojnë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Pra, mendoj se të dyja rrugët, si liberalizimi, ashtu edhe mosliberalizimi, bartin rreziqe. Megjithatë, besoj se rruga e liberalizimit është më strategjike dhe më e qëndrueshme në afat të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Si ka shkuar procesi i liberalizimit të energjisë në vendet e rajonit dhe cilat mësime mund t’i nxjerrë Kosova prej tyre?

Arben Kllokoqi: Tregu në BE është liberalizuar prej kohësh. Edhe vendet e rajonit janë shumë përpara Kosovës. Në Maqedoni të Veriut, disa biznese nga Kosova furnizohen në treg të lirë. Edhe Shqipëria, megjithëse më e vonuar, prej vitit të kaluar e ka kaluar shumicën e bizneseve, sipas kushteve të caktuara, në treg të lirë.

Sa më i madh të jetë numri i konsumatorëve në tregun e lirë, aq më i lartë është likuiditeti dhe mundësia për më shumë furnizues. Portofoli më i madh tërheq më shumë konkurrencë dhe sjell çmime më të favorshme për bizneset.

Është thelbësore që Rregullatori të krijojë një mekanizëm të vazhdueshëm monitorimi, të insistojë në transparencë dhe të sigurojë cilësinë e shërbimeve.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Komuniteti i Energjisë në këtë proces dhe si mund të kontribuojë më tej në përmirësimin e tregut të energjisë në Kosovë?

Arben Kllokoqi: Edhe pse sot flas në cilësinë e ekspertit, jo në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, po e përmbledh shkurt: Kosova është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe si e tillë është pjesë e barabartë në vendosjen e kornizës ligjore të këtij komuniteti. Korniza bazohet në direktivat dhe rregulloret e BE-së. Pra, sektori i energjisë duhet t’i zbatojë rregullat sipas kësaj kornize.

Komuniteti i Energjisë është mekanizmi që e mundëson këtë, ndërsa Sekretariati monitoron dhe mbështet procesin e zbatimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG