Ndërlidhjet

LVV-ja merr shumicën dërrmuese të votave të diasporës


Komisionerët duke numëruar vota në Qendrën e Numërimit në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Komisionerët duke numëruar vota në Qendrën e Numërimit në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të publikojë të dhëna të reja lidhur me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas përditësimit të fundit të bërë mëngjesin e 28 shkurtit, nga 93.02 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 80.75 për qind apo 10.898 vota.

Në vendin është Partia Demokratike e Kosovës me 1.010 vota apo 7.48 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar katër vota më pak se PDK-ja, përkatësisht 1.006 apo 7.45 për qind të votave.

Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.93 për qind apo 260 vota.

Më 28 shkurt, KQZ-ja konfirmoi se ka nisur numërimi i votave me postë, pasi Komisioni ka aprovuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se numërimi i këtyre votave po bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku paralelisht po numërohen edhe votat nga përfaqësitë diplomatike. Elezi tha se numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike është drejt fundit.

Numërimi i votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike pasditen e 26 shkurtit.

Për herë të parë, Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të vendit në botë.

Votimet e 8 shkurtit u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Pjesëtarja ishte e lartë, përkatësisht votuan 73.56 për qind të votuesve apo 15.552 persona. Për votime në përfaqësi diplomatike ishin regjistruar 20.324 votues.

Përveç votave nga diaspora - qoftë në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës - ende nuk janë numëruar edhe votat me kusht brenda Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Këto vota, KQZ ka thënë më herët se do të numërohen në ditët në vijim, pasi paraprakisht është dashur që të skanohen listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.

Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG