Ndërlidhjet

Lëvizja Besa dhe PDSH-ja bëhen pjesë e Qeverisë së Maqedonisë


Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Maqedonisë, foto nga arkivi
Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Maqedonisë, foto nga arkivi

Koalicioni qeverisës në Maqedoni do të zgjerohet edhe me dy partitë politike, Lëvizjen Besa që drejtohet nga Afrim Gashi dhe Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) të Menduh Thaçit.

Dy partitë, që deri tani ishin në opozitë pritet t’i bashkohen Lidhjes Socialdemokrate së kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim së Ali Ahmetit, që së bashku me disa parti tjera të vogla rrisin numrin e përbërjes parlamentare në 68 deputetë. Nuk përjashtohen mundësia që shumicës t’i bashkëngjiten edhe tre deputetë të Partisë Socialiste, që aktualisht janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në opozitare.

Partia Demokratike Shqiptare ka konfirmuar se në Qeverinë e re do të ketë një post të ministrit dhe pozita tjera më të ulta.

“PDSH-së i është ofruar posti i ministrit të Investimeve të Huaja, një post i zëvendësministrit të Transportit dhe Lidhjeve si dhe pozicione në eshalonin e tretë, për të cilat janë formuar komisione partiake”, ka deklaruar Thaçi.

Lëvizja Besa e Afrim Gashit, siç bëhet e ditur, në Qeveri do të drejtojë Ministrinë e Kulturës, ndërsa do t’i takojnë edhe poste të zëvendësministrave dhe të ndërmarrjeve publike.

Kryerari i kësaj partie Afrim Gashi, ofertën për pjesëmarrje në Qeveri, e ka bërë të ditur në një tubim partiak ndërsa ka premtuar se kuadrot e saj do të jenë të denjë të përballen me sfidat, para se gjithash me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Po përfundojnë fjalët, po vjen koha e dëshmisë tonë, e luftës tonë kundër krimit dhe korrupsionit. Unë ju premtoj se unë personalisht do të luftoj me funksionarët e Besës që të jetë të drejtë dhe të ndershëm”, ka thënë mes tjerash Gashi, duke shtuar se njerëzit që do ta përfaqësojnë partinë e tij në Qeveri do të zgjidhen me shumë kujdes.

Kryeministri Zoran Zaev më parë kishte deklaruar se me zgjerimin e Qeverisë me parti tjera, synon forcimin e shumicës parlamentare si dhe realizimit më efikas të reformave, që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit.

“Ideja është që të zgjerojmë shumicën parlamentare për dy arsye. E para të forcojmë shumicën me qëllim që deputetët të kenë më shumë kohë të kalojnë me zgjedhësit e tyre, pra qytetarët dhe e dyta është për shkak të çështjeve serioze që na presin, para se gjithash reformat si dhe kontesti rreth emrit. Në të njëjtën kohë, priten vendime të rëndësishme ekonomike”, pati deklaruar Zaev.

Dy partitë, Besa dhe PDSH bëhen pjesë e Qeverisë pas largimit prej saj të Aleancës për Shqiptarët, e pakënaqur nga qasja e kryeministrit ndaj zhvillimeve në vend dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila në zgjedhjet lokale ishte ndihmuar nga LSDM-ja gjë që nxiti përplasje të vazhdueshmes mes tyre.

Kreu i kësaj partie, Ziadin Sela pas njoftimeve se në Qeveri do të përfshihen dy parti të reja, ka dalë me kritika ndaj tyre duke u akuzuar për servilizëm ndaj kryeministrit, Zoran Zaev.

“Edhe tani me shumë shqetësim e ndjek këtë garë se kush i pari të bëhet pjesë e Qeverisë dhe kush më mirë t’i shërbej kryeministrit. Kjo logjikë fatkeqësisht, e them me keq ardhj,e është logjikë e Nikolla Gruveskit, dhe e instaluar gjatë 10 vjetëve të regjimit të tij, i cili mbante të dy partitë shqiptare, si rezervë të mundshme për t’u bërë pjesë e Qeverisë, duke ulur pazarin politik, jo të dy liderëve, por të shqiptarëve”, ka deklaruar Sela.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG