Ndërlidhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Votohet Qeveria Hoti, Kurti e quan të paligjshme

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, kanë votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
  • Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të Kosovës, pasi përmes mocionit të mosbesimit ishte rrëzuar Qeveria Kurti.
  • Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit.
  • Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.
  • Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.
  • Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkaktare të prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh.
15:28 3.6.2020

BE-ja mirëpret qeverinë e re

Bashkimi Evropian ka uruar votimin e qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se mezi pret të bashkëpunojë në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e përbashkët të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së thonë se pandemia e koronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen.

“BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje për reforma si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

16:22 3.6.2020

Hoti: Nuk do të lejojmë ndryshim të kufijve

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ekspozesë të prezantuar para deputetëve të kuvendit, tha se qeveria e tij nuk do të lejojë asnjë lëvizje të kufijve, gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë.

“Autoritetet e Kosovës do ta respektojnë në plotësi Kushtetutën e Kosovës gjatë këtyre bisedimeve. Dialogu do të bazohet në objektiva të qarta që duhet të arrihet nga kjo marrëveshje përfundimtare pastaj çështjeve që duhet të dialogohen si dhe raportimi dhe transparenca gjatë këtij procesi”, tha Hoti.

“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, tha ai.

Në këtë fazë, kryeministri i Hoti tha se është shumë i rëndësishëm përmirësimi i raporteve me partnerët strategjikë të Kosovës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk kemi dilema të llojit me Amerikën apo më dikë tjetër. Për ne partneriteti me SHBA-në nuk ka alternativë. Prandaj ne do ta kthejmë zotimin tonë 30-vjeçar që raportet tona me SHBA-në janë raporte të një miqësie speciale dhe të përhershme”, theksoi Hoti.

Në ekspozenë e prezantuar, Hoti foli edhe për reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri dhe drejtësi duke mbështetur edhe procesin e vettingut në drejtësi.

16:42 3.6.2020

Presidenti Thaçi fton Kurtin që t’ia dorëzojë detyrën Hotit

Pas votimit të qeverisë së re, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti që të bëjë dorëzimin e detyrës së kryeministrit te Avdullah Hoti.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kurti duhet larguar, nga siç ka thënë ai, “uzurpimi” i zyrave të qeverisë.

Presidenti Thaçi gjatë një konference për media. Foto nga arkivi.
Presidenti Thaçi gjatë një konference për media. Foto nga arkivi.


“Gjithashtu kërkohet që Kurti të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar. Barrikadimi i tij që nuk i bën nderë as atij e as partisë së tij, as shtetit të Kosovës, as demokracisë në Kosovë. Pas shkarkimit, ai tanimë po bëhet edhe më qesharak”, ka deklaruar në një konferencë për media presidenti Thaçi.

Me votimin e qeverisë së re, presidenti Thaçi ka thënë se përfaqësuesit legjitim të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës i dhanë përgjigjen e merituar, siç u shpreh ai, “ndërmarrjes kriminale të Vetëvendosjes”.

Duke folur për qeverinë e re, presidenti Thaçi ka thënë se mirëpret zotimin e kryeministrit Avdullah Hoti për ndërtimin e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca e presidentit Thaçi është penguar nga brohoritjet e një grupi qytetarësh që ishin tubuar në sheshin para objektit të Kuvendit të Kosovës, ku gjendet edhe Presidenca.

Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti u votua me 61 vota pro në Kuvendin e Kosovës.

17:05 3.6.2020

Raportuesja për Kosovën në PE dënon “presionin ndaj deputetëve të Kosovës”

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka mirëpritur votimin e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Në një deklaratë për media, ajo ka thënë se shpreson që qeveria e re të mund të zbatojë reforma të reja dhe të “punojë për një Kosovë më të mirë”.

Megjithatë, Cramon-Taubadel ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin “nën presion të madh” nga lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi për të votuar pro qeverisë së re.

“Disa burime kanë thënë se presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka vizituar personalisht këta deputetë të kuvendit, pa votat e të cilëve nuk do të mund të zgjidhej qeveria. Nëse këto pretendime janë të vërteta, ky është një sinjal i keq që tregon se roli i parlamentit është minuar, e që një gjë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Si një pjesëtare e parlamentit, për mua është e papranueshme që anëtarëve të parlamentit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, t’iu bëhet presion”, tha ajo, duke shtuar se është bazë e demokracisë që deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua për qeverinë e re, ishte deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala që deklaroi se ai kishte ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ishte takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për ka votuar Qeverinë Hoti dhe vota e deputetit Shala po shihet si vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG