Ndërlidhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Votohet Qeveria Hoti, Kurti e quan të paligjshme

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, kanë votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
  • Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të Kosovës, pasi përmes mocionit të mosbesimit ishte rrëzuar Qeveria Kurti.
  • Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit.
  • Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.
  • Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.
  • Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkaktare të prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh.
14:04 3.6.2020

Protestuesit kundërshtuan formimin e qeverisë së re

Disa qytetarë kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës ku po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re. Ata për një moment kanë tentuar të hyjnë në Kuvend mirëpo janë penguar nga policia. Protestuesit, përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Protesta para Kuvendit në kundërshtim të qeverisë së re
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

14:12 3.6.2020

Grenell mirëpret formimin e qeverisë së re

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka mirëpritur votimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Masa e reciprocitetit është vendosur nga qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

14:42 3.6.2020

Kush është Avdullah Hoti?

Avdullah Hoti është bërë kryeministri i tetë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I lindur në vitin 1976, në një fshat në afërsi të Rahovecit, Hoti ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet e Magjistraturës dhe të Doktoratës për ekonomi i ka kryer mes viteve 2001 dhe 2007, në Staffordshire University në Britani të Madhe.

Që nga viti 1998 ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, njëherë si asistent dhe nga viti 2012 si profesor në drejtimet bachelor, master dhe doktoraturë.

Kuvendi voton Qeverinë Hoti

Në vitet 2010-2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, derisa kryetar ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2014, Hoti është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai e ka lënë postin e deputetit dhe është bërë ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe miku i tij më i afërt brenda kësaj partie, Isa Mustafa.

Në vitin 2017, ai ka qenë i nominuar për kryeministër në listën zgjedhore, por LDK-ja nuk i ka fituar zgjedhjet dhe partia e tij ka shkuar në opozitë.

Në zgjedhjet e vitit 2019, partia e tij ka dalë e dyta dhe ai ishte personi i dymbëdhjetë më i votuar në zgjedhje.

Për më pak se dy muaj, Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit.

Ai është shkarkuar nga Kurti, kur partia e Hotit ka udhëhequr me sukses mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë, pas 51 ditësh në pushtet.

Hoti është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Më 3 qershor, 2020, Hoti është zgjedhur kryeministër me 61 vota në Kuvendin e Kosovës që ka 120 deputetë.

15:00 3.6.2020

Vjosa Osmani deklarohet kundër qeverisë

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani duke folur për refuzimin e saj që të drejtojë seancën në të cilën u votua qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, tha se kjo qeveri nuk përfaqëson vullnetin qytetar.

“Në radhë të parë një qeveri e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe do të thotë nga Beogradi dhe së cilës votën e 61 ia siguroi presidenti Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, deklaroi Osmani.

Osmani nuk bëri të ditur nëse do të vazhdojë që të mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdimësi Osmani bëri të ditur se ishte në favor të formimit të një qeverie teknike me mandat 6 deri në 9 muaj dhe shkuarje të vendit në zgjedhje pas pandemisë.

Qeveria Hoti u votua në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për 24 kundër dhe një abstenim.

Votë vendimtare ishte ajo e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili në fillim të seancës tha se do të vinte qeverinë pasi ia kishin ndërruar mendjen presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët sic tha ai, e kishin vizituar në shtëpinë e tij.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG