Ndërlidhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Votohet Qeveria Hoti, Kurti e quan të paligjshme

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, kanë votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
  • Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të Kosovës, pasi përmes mocionit të mosbesimit ishte rrëzuar Qeveria Kurti.
  • Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit.
  • Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.
  • Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.
  • Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkaktare të prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh.
13:10 3.6.2020

Shala: Nisma dhe Aleanca Kosova e re mbështesin formimin e qeverisë

Endrit Shala, shef i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, tha se votat e subjekteve të tyre do të jenë për qeverinë Hoti. Ai tha se Nisma dhe Aleanca Kosova e re, që do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës do angazhohen për zbatimin në përpikëri të planit qeverisës.

13:17 3.6.2020

Kuvendi voton qeverinë e re

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 61 vota për, qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga Avduallah Hoti i LDK-së.

Kundër qeverisë së re kanë votuar 24 deputetë dhe një abtestim. Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja arritën marrëveshje për bashkëqeverisje, mirëpo koalicion u prish pasi kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e brendshëm, Agim Veliu.

Qeveria Kurti u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës. Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti Thaçi kërkoi një kandidat të ri nga Lëvizja Vetëvendosje, gjë që nuk ndodhi.

Presidenti Thaçi pas konsultimit me partitë politike nëse janë në favor të shkuarjes në zgjedhje apo zgjedhjes së një qeverie të re, mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për formimin e qeverisë së re. Dekreti i presidentit Thaçi përfundoi në Gjykatë Kushtetuese e cila tha se dekretimi i Avdullah Hotit ishte veprim kushtetues.

13:33 3.6.2020

Presidenti Thaçi përgëzon deputetët për votimin e qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se votimi i qeverisë së re është një veprim i rëndësishëm për demokracinë dhe për qytetarët e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti ka ofruar bashkëpunim qeverisës së drejtuar nga Avdullah Hoti.

“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti u votua me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

13:49 3.6.2020

SHBA përshëndet votimin e qeverisë Hoti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin e qeverisë së re të drejtuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshirë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë formimit të qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, SHBA-ja kërkoi respektim të vendimit të gjykatës.

Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, mori 61 vota gjatë votimit në Kuvendin e Kosovës. 24 vota ishin kundër ndërsa ishte vetëm një abstenim.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG