Grenell mirëpret formimin e qeverisë së re
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka mirëpritur votimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Masa e reciprocitetit është vendosur nga qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.
Protestuesit kundërshtuan formimin e qeverisë së re
Disa qytetarë kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës ku po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re. Ata për një moment kanë tentuar të hyjnë në Kuvend mirëpo janë penguar nga policia. Protestuesit, përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.
SHBA përshëndet votimin e qeverisë Hoti
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin e qeverisë së re të drejtuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës.
“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshirë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë formimit të qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, SHBA-ja kërkoi respektim të vendimit të gjykatës.
Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, mori 61 vota gjatë votimit në Kuvendin e Kosovës. 24 vota ishin kundër ndërsa ishte vetëm një abstenim.
Presidenti Thaçi përgëzon deputetët për votimin e qeverisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se votimi i qeverisë së re është një veprim i rëndësishëm për demokracinë dhe për qytetarët e vendit.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti ka ofruar bashkëpunim qeverisës së drejtuar nga Avdullah Hoti.
“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti u votua me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.