Kuvendi voton qeverinë e re
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 61 vota për, qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga Avduallah Hoti i LDK-së.
Kundër qeverisë së re kanë votuar 24 deputetë dhe një abtestim. Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja arritën marrëveshje për bashkëqeverisje, mirëpo koalicion u prish pasi kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e brendshëm, Agim Veliu.
Qeveria Kurti u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës. Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti Thaçi kërkoi një kandidat të ri nga Lëvizja Vetëvendosje, gjë që nuk ndodhi.
Presidenti Thaçi pas konsultimit me partitë politike nëse janë në favor të shkuarjes në zgjedhje apo zgjedhjes së një qeverie të re, mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për formimin e qeverisë së re. Dekreti i presidentit Thaçi përfundoi në Gjykatë Kushtetuese e cila tha se dekretimi i Avdullah Hotit ishte veprim kushtetues.
Shala: Nisma dhe Aleanca Kosova e re mbështesin formimin e qeverisë
Endrit Shala, shef i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, tha se votat e subjekteve të tyre do të jenë për qeverinë Hoti. Ai tha se Nisma dhe Aleanca Kosova e re, që do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës do angazhohen për zbatimin në përpikëri të planit qeverisës.
Haxhiu: Bashkë me partnerët synojmë luftimin e korrupsionit
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka folur për qeverisjen e Vetëvendosjes duke thënë se situata në të cilën është Kosova, është si pasojë e veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haxhiu ka arsyetuar vendimin e AAK-së për tu futur në koalicion qeverisës me LDK-në dhe partitë e tjera.
“Ne si AAK vepruam natyrshëm në kuadër të përgjegjësisë që e kemi”, deklaroi Haxhiu.
Duke folur në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Haxhiu tha se me partnerët kanë qëllime të përbashkëta.
“Qëndrim të përbashkët kemi sidomos në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe shtetet e Bashkimit Evropian”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu ka përmendur edhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi duke thënë se duhet përfunduar procesi i korrektimit të marrëveshjes.
PDK nuk e voton Qeverinë Hoti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova në këtë situatë ka ardhur nga mashtrimet e bëra të partive politike, LVV dhe LDK.
Rrjedhimisht ai tha se PDK, nuk e voton qeverinë Hoti. Ai në fjalën e tha se Kosova nuk qeveriset me mashtrime.
“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi. Do ta bëjë edhe më të rëndë situatën në vend.
Ai tha se LDK, kur nuk ka qenë në pushtet, sipas tij gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë.
“Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas, nuk mund të mos pyesësh: A ka mbetur pak nder e moral te këta njerëz?”, tha Veseli.
Veseli tha se Kosova ka nevojë t’i kthehet agjendës së rimëkëmbjes nacionale dhe se sipas tij, votimi që do të ndodhë është vazhdimësi mashtrimi.