Gashi: Qeveria të jetë e kujdesshme në negociata
Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria e re, ka kërkuar nga kabineti i propozuar qeveritar që të jetë i kujdesshëm në qeverisje.
Gashi është fokusuar në procesin e dialogut për të cilin ka kërkuar angazhim të kryeministrit Avdullah Hoti. Ky proces, sipas Gashit, duhet kaluar me konsensus të brendshëm politik që kërkon angazhimin e të gjithë spektrit politik.
Gashi ka thënë se një çështje e rëndësishme është edhe perceptimi se Kosova është shtet i kapur.
Duke folur për qeverisjen e Vetëvendosjes, Gashi tha se as ky subjekt politik nuk ishte imun ndaj kapjes së shtetit pasi sipas tij emëroi persona politikë në pozita udhëheqëse.
Selimi: Kjo është qeveri ilegale dhe jolegjitime
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se thirrja e seancës dhe tentimi për formimin e një qeverie të re është tentim edhe një hap tjetër për zhbërjen e verdiktit të sovranit. Ai tha se qeveria që po formohet është ilegale.
“Qeveria që doni ta formoni është edhe ilegale edhe ilegjitime. Është ilegale se vije pas shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës së Kosovës siç është dekreti jokushtetues për mandatimin e humbësit të zgjedhjeve për kryeministër e deri të aktgjykimi i padrejtë dhe jo kushtetues i Gjykatës Kushtetuese”, tha Selimi.
Ai tha se qeveria qe po formohet është më shumë se qeveria “Thaçi 3”.
“Kjo qeveri do t’i duhet atij vetëm sa për t'i shërbyer për legjitimin e ndarjes së Kosovës dhe të përfitojë nga kjo qeveri edhe një mandat tjetër si president”, tha Selimi.
Selimi tha se Vetëvendosjes nuk i vije keq për veten e tyre por, siç u shpreh ai keqardhja është se po tentohet të bëhet një qeveri qe do ta kthejë shtetin në duart e grupeve e individëve.
“Ju qëllimet i keni të cekta, por të rrezikshme, të thjeshta po të këqija”, tha Selimi mes tjerash në fjalën e tij.
Vendimi që i hapi rrugë seancës sot
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës pason vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës, duke e cilësuar si të ligjshme dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për të mandatuar Avdullah Hotin si kandidat për formimin e qeverisë së re.
Cilat ishin reagimet në rrjetet sociale mbi këtë vendim?
Përbërja e kabinetit qeveritar të qeverisë Hoti
- Avdullah Hoti, kryemnistër
- Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë
- Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
- Albulena Bala – Halimi, zëvendëskryeministre
- Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal
- Hykmete Bajrami, ministre e Financave
- Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
- Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
- Anton Çuni, mbetet ministër i Mbrojtjes
- Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit
- Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme
- Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
- Blerim Kuçi , ministër i Zhvillimit Ekonomik
- Selim Selimi, ministër i Drejtësisë
- Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
- Ramë Likaj, ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
- Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale
- Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë
- Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete
- Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal